Shkrimtari Adem Gashi boton librin e dytë për Lady-n

Kosova

Shkrimtari Adem Gashi boton librin e dytë për Lady-n

Më: 19 dhjetor 2013 Në ora: 11:05

“Poeti në kërkim të kthimit të pamundur. Të dashurisë, të lirisë poetike, të njësuara dhe të pandara. Realizimi do frymëzim autorial, një Adem që reflekton”, shkruan kështu në kopertinat e librit më të ri me poezi “Kthimi i pamundur, Lady”, të shkrimtarit Adem Gashi.

Gjatë këtij promovimi, i cili u bë të mërkurën në mesditë në Bibliotekën Kombëtarë dhe Universitare në Prishtinë, nga të pranishmit u tha se libri risjell të njëjtën lady të shfaqur shtatë vjet më parë në “Lady Mak(th)beth”, që pavarësisht implikimeve nga jeta personale, për nga ana gjyqësore artikulohej si një homazh për shkollën françeskane dhe shkodrane.

Shkrimtari Ag Apolloni ka folur për këtë libër duke thënë se poezia e Adem Gashit shtrihet nga metafora më e ndërlikuar deri te ligjërimi i zhveshur, dy raste këto në të cilat siç ka thënë ai, shkalla e motivacionit është shumë e lartë.
“Në librin e dytë për Lady-n, Adem Gashi me të njëjtin pasion dhe me të njëjtën mjeshtëri poetike krijon vargje që përsosin frymën dhe formën e njeriut të dashuruar, i cili provon siç thotë poeti ta thyejë diademën e madhe duke u shprehur herë në dialektin gegë herë toskë por edhe në gjuhën standarde, dhe duke aktivizuar arkaizmat, neologjizmat, fjalët e shprehjet nga bota rurale e urbane, që i japin poezisë një kolorit stilistik”, është shprehur Apolloni.

“Kthimi i pamundur, Lady” është më shumë se arritje e poezisë sonë më të re, është jo dashuria e humbur, por dashuria përherë në kërkim. Abdulla Zeneli, nga shtëpia botuese “Buzuku”, ka thënë se ky libër dallon prej librave të tjerë dhe vjen në një kohë kur ne kemi nevojë për artin e poezisë, sado që vështirësitë e jetës kanë bërë që artin në një mënyrë ta lëmë anash.
“Tërë këto vite Adem Gashi ka qenë poet i formatit, i cili ka ditur të artikulojë veten, mesazhin, figurat, të gjitha. Ajo kohë vërtet ka qenë kohë e artit që po reflekton dita- ditës, duke kulmuar me librin që po promovojmë sot”, ka thënë botuesi Zeneli.

Ndërkaq vetë autori Adem Gashi me fjalën e tij në këtë promovim falënderoi të pranishmit dhe shtëpinë botuese, duke thënë se ajo jo vetëm që ka botuar thjeshtë një libër por bën artin e një libri.

“Ishte pikërisht këmbëngulja e Abdulla Zenelit që bëri të mundur botimin e kësaj vepre, se për ndryshe nuk di a do ta botoja ose jo librin, e falënderoj shumë dhe e çmoj pasionin e tij për librin”, tha me këtë rast Gashi.

Gjatë promovimit u lexuan edhe disa poezi nga vepra nga studentë të Fakultetit të Arteve.

“Kthimi i pamundur, Lady” është botuar nga shtëpia botuese “Buzuku”. Libri ka 106 faqe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat