Mos i gjykoni çlirimtarët, zbardhni masakrat e Millosheviçit

Kosova

Mos i gjykoni çlirimtarët, zbardhni masakrat e Millosheviçit

Më: 18 qershor 2013 Në ora: 19:07

Mijëra qytetarë të Skenderajt e kanë shënuar ditën e çlirimit të këtij qyteti duke protestuar ndaj arrestimit të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga ana e EULEX-it, nën akuzat për krime lufte. Drejtues të Komunës së Skenderajt dhe Shoqatave të dala nga lufta thanë se misioni i EULEX-it po i prinë fushatës politike që ka filluar kundër luftës së drejtë të popullit shqiptarë të prirë nga UÇK-ja me akuza të montuara e me dëshmitarë të shantazhuar.

Protestuesit në duar kanë mbajtur pankarta me mbishkrimin, “EULEX kriminelët janë në veri”, “Mos na gjykoni çlirimtarët”, “Lironi gjeneralët e UÇK-së”, derisa kishin të veshura bluza me mbishkrimin “Mos ma gjykoni lirinë”.

Me këtë rast, nënkryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura ka deklaruar se EULEX-i nuk po i zbardh krimet që kanë ndodhur në Kosovë nga okupatori serb, masakrat anekënd Kosovës të cilat ende vazhdojnë të mos zbulohen kryesit e tyre.

Ai tha se në ditën e çlirimit të Skenderajt nuk janë tubuar për të festuar po të protestuar ndaj qasjes destruktive të EULEX-it ndaj UÇK-së.

“Por fatkeqësisht për të ndarë ndjenjat e përbashkët ndaj qasjes destruktive të disa eksponentëve brenda për brenda prokurorisë së EULEX-it të cilët po përpiqen përmes metodave të ndryshme duke shfrytëzuar autorizimet ligjore të projektojnë një maksi proces ndaj Luftës Çlirimtare të popullit shqiptarë të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. E kjo është e turpshme, e dhimbshme, e padrejtë dhe jo humane, shkurtë është marre”, tha Nura.

Ai shtoi se Komuna e Skenderajt nuk mund të rrijë indiferent ndaj këtyre padrejtësive, ndonëse beson në drejtësi dhe në pafajësinë e kryetarit, Sami Lushtaku dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së.
Ndërkohë, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli tha se të gjithë duhet të jenë të bashkuar si një trup që të kundërshtojnë ata që tentojnë të rrezikojnë të ardhmen e gjeneratave që po vinë.

“Misioni i EULEX-it është udhëheqës i luftës politike që po zhvillohet kundër ushtrisë e cila na mundësoj që ne të punojmë lirshëm. Kemi përcjellë me shqetësim të thellë arrestimin e bashkëluftëtarëve me procese të montuara, me dëshmitarë të rrejshëm e të shantazhuar, proces që kanë prekur secilin që e ndjen vetën shqiptarë”, tha Xhemajli.

Ndërsa, Jashar Jashari foli në emër të familjeve të të arrestuarve, i cili tha se askush nuk duhet të kërkoj të bëjë diçka në emër të drejtësisë, duke bërë të padrejtën, pasi diçka të tillë po kërkojnë të bëjmë 14 vjet pasi u larguan forcat serbe nga Kosova.

“Si është e mundur që në ditën kur Tribunali i Hagës liroj udhëheqësit famëkeq të UDB-së në Kosovë të arrestohen luftëtarët e lirisë. Si është e mundur që pas 14 vjetëve të mos e gëzojnë lirinë që na mundësuan neve lirinë. Ne po pyesim se si është mundur që të akuzohen këta djem që me trupat e tyre luftuan kundër kasapit të Ballkanit Millosheviq”, tha Jashari.

Në këtë protestë kanë folur edhe udhëheqës fetar, ku hoxhë Fahrush Rexhepi në emër të Bashkësisë Islame, i ka shprehur shqetësimet e tyre për burgosjen e ish komandantëve të UÇK-së. Ai tha se nuk dëshirojnë të ndërhynë në organet e drejtësisë, por se janë të bindur që kjo luftë ishte e drejtë dhe ajo u shndërrua në liri e pavarësi për Kosovën.

Ndërsa, Don Viktor Sopi u shpreh se shkaku i tërë këtyre sakrificave të popullit shqiptarë është liria. Ai deklaroi se Drenica gjatë shekujve ishte zemra e luftimit për t’i thënë jo tjetërsimit të trojeve shqiptare, dhe këtë e vazhduan edhe ushtarët e UÇK-së.

Në këtë protestë ish bashkëluftëtarë të të arrestuarve kishin veshur uniformat e UÇK-së, për të rikujtuar edhe një herë luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat