“New Born” ngjyroset me 98 flamuj

Kosova

“New Born” ngjyroset me 98 flamuj

Më: 16 shkurt 2013 Në ora: 13:31

98 flamuj të shteteve që deri më tani kanë njohur pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt do të jenë të ngjyrosur në obeliskun e “New Born”, që gjendet para Pallatit të Rinisë, në Prishtinë. Për të realizuar këtë qëllim shumë qytetar që në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës kanë filluar punën e tyre dhe se sipas organizatorëve, e tërë puna pritet të përfundojë në mëngjesin e ditës së diel.

Autori i “New Born” Fisnik Ismajli, ka thënë se qysh nga fillimi ka qenë ideja që çdo përvjetor të Pavarësisë së Kosovës “New Born”, të ngjyroset ndryshe. Por ai shprehet se për një gjë të tillë asnjëherë nuk iu ka dhënë leja.

“Kemi dal ta ngjyrosim “New Born”, ashtu siç ka qenë ideja qysh prej përvjetorit të parë. Pra, flamujt e shteteve të cilat na kanë pranuar pavarësinë. Meqenëse ideja qysh kur është mbaruar “New Born”, të ngjyroset çdo vjet dhe ideja për një vjetorin ka qenë me u ngjyros me këta flamuj, natyrisht ma pak ka pas atëherë se tash. Por mua nuk mu ka dhënë leja asnjëherë për ta vazhduar punën, por sivjet filluam me nis këtë traditë dhe tash e tutje do të ngjyroset ndryshe çdo 17 shkurt”, ka thënë ai.

Ideatori i “New Born”, Fisnik Ismajli ka bërë të qartë se tash e tutje çdo vit ky obelisk do të duket ndryshe. Ai ka akuzuar vendimin e Qeverisë së Kosovës, për siç tha ai fshirjen e nënshkrimeve dhe ngjyrosjen e “New Born”, pa u konsultuar fare me autorët e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat