Këshilli Prokurorial i Kosovës reagon ndaj vendimit të Qeverisë për miratimin e Projektligjit të ri për KPK-në

Kosova

Këshilli Prokurorial i Kosovës reagon ndaj vendimit të Qeverisë për miratimin e Projektligjit të ri për KPK-në

Më: 13 korrik 2023 Në ora: 14:34
Qeveria e Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka reaguar ndaj vendimit të djeshëm të qeverisë për miratimin e Projektligjit të ri për KPK-në, duke e cilësuar si tentativë të re për të cenuar pavarësinë e saj.

Sipas KPK-së, miratimi i Ligjit të ri për KPK-në është vazhdim i procesit të njëanshëm të qeverisë, i cili sipas tyre, minon bashkëpunimin për procesin e reformës.

“Këshilli Prokurorial, deklaron se përkundrejt asaj që Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së tij, Qeveria e Kosovës nuk është mjaftuar me verdiktin e organit më të lartë kushtetues në vend dhe ka vazhduar me moskoordinimin e plotë dhe ka miratuar me nxitim dhe në mënyrë të njëanshme këtë Projektligj tejet të rëndësishëm, pa përfillur fare Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe procesin e reformës në drejtësi dhe duke injoruar plotësisht bashkërendimin e nevojshëm me sistemin prokurorial dhe partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë”, thuhet në reagim.

Tutje, KPK-ja tha se sistemi prokurorial ka përkrahur reformën e filluar, përfshirë ndryshimet ligjore, por sipas tyre, kjo nismë ligjore është dashur të realizohet në kohën e duhur, teksa paralajmërohet se KPK-ja do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për ligjin e ri të votuar në qeveri dje.

“Andaj çdo rikthim i iniciativave dhe i vendimeve të këtij lloji, pa respektuar ndarjen e pushteteve dhe pa koordinimin e ndërsjellë, siç ka ndodhur në të kaluarën dhe siç po ndodhë edhe tani nga ana e Qeverisë së Kosovës, është kthim i madh prapa dhe sjellë dështim, andaj KPK-ja paralajmëron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për ta kontestuar përmbajtjen e Ligjit të ri të KPK-së, pasi që i njëjti cenon mandatin kushtetues dhe pavarësinë e sistemit prokurorial, si dhe anashkalon standardet ndërkombëtare, duke pamundësuar funksionalizimin e tij dhe duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika”, thuhet në reagim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat