E15, Mustafa:Platformë të Bisedimeve me Serbinë

Kosova

E15, Mustafa:Platformë të Bisedimeve me Serbinë

Më: 21 tetor 2012 Në ora: 16:53

Muhamet Mustafa, udhëheqës i grupit E15, i cili dha dorëheqje me 12 tetor të këtij muaji, nga koalicioni për Kosovën e Re, në një njoftim për media, ka kërkuar sot që për Bisedimet me Serbinë të nxjerrët urgjentisht një platformë e re për bisedimet me Serbinë.
Ky grup konsideron se është koha që të zhvillohen bisedime midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të cilat do të adresonin procesin e ndërtimit të marrëdhënieve fqinjësore me perspektive të normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve fqinje në procesin e integrimit në bashkësinë evropiane.
E15, përmes këtij njoftimi vlerëson se Rezoluta e aprovuar në Kuvendin e Kosovës me 18 të këtij muaji lidhur me këtë çështje dëshmon për qëndrimin konstruktiv të Kosovës për zgjidhjen me dialog të të gjitha çështjeve që pengojnë marrëdhëniet fqinjësore me Serbinë, por aprovimi i saj pa respektuar procedura të nevojshme të Kuvendit e dëmton punën e Kuvendit dhe rolin e tij me Kushtetutë, krijon tensione të panevojshme politike në punën e tij e jashtë tij.
“Kjo praktikë ndikon keq në krijimin e një procesi të arritjes së pajtueshmërisë më të madhe midis pozitës, opozitës dhe akterëve të tjerë për të marrë vendime cilësore e të përgjegjshme lidhur me çështjet më të rëndësishme të zhvillimeve demokratike në vend”, thuhet në deklaratën e lëshuar për media nga E15.
E15 konsideron se Rezoluta e aprovuar në Kuvend nuk përcakton kornizën e domosdoshme të këtyre bisedimeve.
“Qeveria duhet të paraqesë sa më shpejtë Platformën për këto bisedime në Kuvend. Bisedimet duhet të adresojnë realizimin e te drejtave njerëzore të pakicave në të dy vendet sipas parimit të reciprocitetit, ku Kosova duhet të qëndrojë në Kornizat e Planit të Ahtisarit dhe të sigurojnë shformimin e strukturave paralele në veri të Kosovës me prioritet. Pjesë e procesit të rregullimit të marrëdhënieve fqinjësore duhet të jetë kthimi i mbetjeve mortore dhe sqarimi i fatit te personave të pagjetur pas luftës. Zbulimi dhe dënimi i përgjegjësive të krimeve të luftës paraqet një nga çështjet më të rëndësishme për ndërtim të besimit dhe pajtimit reciprok. Shumë me rëndësi është edhe rregullimi i marrëdhënieve ekonomike, tregtia e lirë dhe sigurimi i lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave. Gjithashtu duhet të adresohet edhe zhdëmtimi i dëmeve në pasurinë publike e private, si pasojë e luftës dhe dëmeve të shkaktuara nga regjimi okupues serb në sistemin e pensioneve, kthimin e kursimeve devizore, kompensimin e dëmeve në buxhetin e Kosovës dhe të pagave të humbura për shkak të largimit diskriminues të shqiptarëve nga puna ne sektorin publik në vitet 90-ta. Këto kanë qenë vendime, akte të shtetit serb dhe ai duhet t’i zhdëmtojë viktimat e atij regjimi”, thuhet në njoftimin e grupit E15.
E15, e konsideron me rendësi vitale përgatitjen e mire të institucioneve të Kosovës për këto bisedime, një përgatitje që i kontribuon përmbajtjes dhe suksesit të këtyre bisedimeve dhe ndërton konsensus bazik në shoqërinë tone.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat