Kurti premton ngritjen e kapaciteteve për shërimin e kancerit të gjirit

Kosova

Kurti premton ngritjen e kapaciteteve për shërimin e kancerit të gjirit

Më: 30 tetor 2021 Në ora: 17:25
Një ngjarje e organizuar në Prishtinë për vetëdijesimin kundër kancerit të gjirit. Fotografi nga arkivi.

Në Kosovë janë përmbyllur aktivitetet për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit të cilat janë zhvilluar gjatë tërë muajit tetor.

Në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës të shtunën (30 tetor) është vendosur një fjongo ngjyrë rozë, simbol ky i luftës kundër kësaj sëmundjeje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se autoritetet kanë punuar në ndërgjegjësimin dhe vetëdijësimin e shoqërisë dhe sidomos të sistemit shëndetësor për një lidhje të ngushtë me gratë dhe vajzat që sa më herët të zbulojmë këtë sëmundje tinzare dhe të inkurajojmë të sëmurat që bashkë t’ia dalim.

“Me reformat në sistemin e shëndetësisë ne do të investojmë dhe angazhohemi të ketë parandalim të kësaj sëmundjeje por edhe gjithashtu të ngrisim kapacitetet dhe kushtet në mënyrë që përqindja e atyre që shërohen të rritet nga viti në vit”, tha Kurti.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Hahjaga, e cila udhëheq Fondacionin “Jahjaga” tha se përmes këtij aksioni simbolik shprehet përkrahja e të gjithëve veçanërisht grave që t’i bëjnë kontrollat e rregullta për të zbuluar sa më herët këtë sëmundje.

"Një kontroll apo skanim vjetor nënkupton zbulimin e hershëm të sëmundjes dhe shpëtimin e jetës”, tha Jahjaga.

Përveç Fondacionit të Jahjagës organizatore e aktiviteteteve gjatë muajit tetor ka qenë edhe Shoqata “Jeta Vita”, udhëheqësja e së cilës, Nafije Latifi, u bëri thirrje institucioneve të krijojnë kushtet që gratë të diagnostifikohen sa më herët dhe të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme.

Organizata “Jeta Vita” që merret me mbrojtjen dhe përkrahjen e grave është duke i ndihmuar gratë me aktivitete të ndryshme në aspektin psiko-social e moral.

Në Klinikën e Onkologjisë, prej janarit deri në pjesën e parë të shtatorit të vitit 2021 janë ofruar rreth 200,000 shërbime mjekësore onkologjike për pacientët e prekur me kancer.

Gjatë kësaj periudhe janë diagnostikuar 1,100 raste të reja me kancer. Më shumë se 300 gra janë diagnostikuar me kancer të gjirit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat