Zogaj flet për projektet në kryeqytet: Nënkalimi, sheshi “Xhorxh Bush” e Lojërat Mesdhetare, prioritet i yni

Prishtina

Zogaj flet për projektet në kryeqytet: Nënkalimi, sheshi “Xhorxh Bush” e Lojërat Mesdhetare, prioritet i yni

Më: 12 maj 2024 Në ora: 10:03
Alban Zogaj

Nënkryetari i komunës së Prishtinës Alban Zogaj ka thënë se ndër projektet më të mëdha të vitit 2024 është nënkalimi i rrugës “Agim Ramadani” i cili do të lidhet me Sheshin “Ibrahim Rugova” dhe pjesën e vjetër të Prishtinës.

Zogaj mes tjerash ka deklaruar se një tjetër projekt i madh është Bulevardi “Xhorxh Bush” dhe sipas tij, Prishtinës do ti shtohet një hapësirë e re me gjelbërim.

Nënkryetari Zogaj në këtë intervistë po ashtu ka bërë të ditur se janë duke përfunduar projektin e Fshatit Olimpik i cili do të vendoset në Bërrnicën e Poshtme. Ai ka shtuar se atje do të jetë edhe një stadium i madh i futbollit dhe stadiume të tjera të vogla të sporteve siç janë tenisi, sportet e ujit por edhe sportet e lojërave me dorë. Zogaj ka treguar po ashtu për organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të mbahen në Prishtinë.

“Janë disa projekte të mëdha që i kemi në plan gjatë vitit 2024. Një prej tyre që po e potencojmë vazhdimisht është tuneli, apo nënkalimi i rrugës “Agim Ramadani” i cili në fakt veturat i fut në nënkalim. Kurse pjesa mbi mbetet e gjitha për këmbësorë dhe qytetarë të Prishtinës. Andaj do të lidhet shumë mirë Sheshi “Ibrahim Rugova” me këtë pjesën e vjetër të qytetit të Prishtinës dhe do të jetë një projekt risi e madhe. Gjithashtu ai projekt ndihmon gjithsesi në trafikun e komunikacionit sepse veturat futen nën dhe nuk kanë asnjë pengesë me këmbësorët dhe me autobusët”, ka thënë Zogaj për Eo.

Zogaj ka theksuar se me rregullimin e Bulevardi “Xhorxh Bush” do t’ia shtojmë Prishtinës një hapësirë të re me gjelbërim për shëtitje. Ai ka folur edhe për tregun e gjelbërt për çka ka thënë se do të zhvendoset tek pjesa e vjetër e qytetit.

“Projekt tjetër i madh që kemi gati për tenderim është edhe Bulevardi “Xhorxh Bush” apo Sheshi “Xhorxh Bush”. Projekti është veçse i gatshëm dhe pritet të dalë në tenderim gjatë javës së ardhshme apo javëve në vazhdim shumë shpejtë dhe do të jetë një prej risive të mëdha të Prishtinës. Po ia shtojmë Prishtinës një hapësirë të re, me gjelbërim, shëtitje shesh të ri. Pra lidhet prej “Grandit” deri tek Katedralja dhe do të jetë kështu një shesh i bukur një bulevard si i kryeqyteteve tjera botërore. Pastaj jemi duke e përgatitur projektin e platformës ndërlidhëse që e lidh lagjen Arbëria me qendrën e qytetit me Pallatin e Rinisë. Ai është një projekt që edhe kërkohet nga qytetarët shumë dhe i lidhë dy lagje që janë tash si me thënë të ndame me njëra tjetrën. Prandaj është një prej projekteve që ne po e presim me padurim. Gjithashtu tregu i gjelbërt tek pjesa e vjetër e qytetit në hapësirën ku ka qenë AKP-ja përpara, aty do të zhvendosim tregun e gjelbër gjatë këtij viti”, ka thënë Zogaj.

“Siç e dini ne kemi prezantuar një mori projektesh në Konferencën e investitorëve, andaj ka investitorë të jashtëm, të diasporës por edhe lokalë që kanë interesim me hy projekte me partneritet publiko-privat”, ka thënë mes tjerash ai.

Zogaj ka përkujtuar se këtë vit Prishtina është qytet i sportit deri sa ka folur edhe për organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të mbahen në Prishtinë dhe përgatitjet që po bën komuna.

“Prishtina është edhe qytet i sportit në vitin 2024. Gjithashtu ne me mburrje të madhe themi që kemi fitu të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të ndodhin në Prishtinë dhe qytete tjera të Kosovës po kryesisht në Prishtinë. Andaj gjatë 5 viteve të ardhshme do të investohet shumë në kapacitetet sportive apo si me thënë në salla të mëdha sportive. Ne jemi duke përfunduar projektin detaj të Fshatit Olimpik i cili do të vendoset në Bërrnicën e Poshtme dhe atje do të jetë edhe një stadium i madh i Futbollit dhe pastaj stadiume të tjera të vogla të sporteve të tjera siç janë tenisi, sporti i ujit por edhe sportet me top dore siç janë basketbolli, henbolli dhe kështu me rradhë”, ka deklaruar Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat