Të rinjtë nga Kosova i sfidojnë pengesat për një të ardhme më të mirë

Kosova

Të rinjtë nga Kosova i sfidojnë pengesat për një të ardhme më të mirë

Nga: RYCO Më: 26 maj 2021 Në ora: 21:07
Fitim Tërstena

Fitim Tërstena, mësimdhënës në shkollën “Bahri Haxha” në qytetin e Vushtrrisë në Kosovë, insiston se paqja mund t’u shërbejë më së miri të rinjve në Ballkanin Perëndimor për ta pasur një të ardhme më të mirë dhe për ta nxitur bashkëpunimin midis bashkëmoshatarëve.

Tërstena është njëri nga 24 mësimdhënësit nga Ballkani Perëndimor që është trajnuar për dialogun ndërkulturor në rajon nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO). Pasi e ka përfunduar trajnimin, ai mendon se ambicia e të rinjve për ta parë dhe kuptuar mënyrën e të jetuarit në rajon nuk mund të arrihet pa paqe.

“Sot ne i shohim njerëzit ndryshe, ata mendojnë ndryshe, mendojnë në mënyrë më pozitive. Ata duan të udhëtojnë, ta shohin botën, ta shohin rajonin. Kanë shumë ambicie të ndryshme, duan të kuptojnë kultura të ndryshme, mënyra të ndryshme të të jetuarit dhe kjo nuk mund të arrihet nëse nuk ka paqe", tha Tërstena.

Image
Fitim Tërstena

Tamara Vuçiq, trajnere dhe mentore në Y-PEER, thotë se ka pengesa për t'u kapërcyer për ta krijuar një frymë të bashkëpunimit midis gjeneratave të reja në Ballkanin Perëndimor.

“Kemi shumë pengesa për të kapërcyer, por çfarë kam parë unë nga përvoja ime është se të rinjtë kryesisht kanë frikë të flasin për vetveten. Pa komunikim, nuk ka bashkëpunim. Kështu që unë do të thosha se frika nga të qenit i keqkuptuar dhe i papranuar është njëra nga pengesat kryesore", tha Vuçiq.

Eranda Haxhinikaj, pjesëmarrëse në RYCO Youth Exchange, shpjegoi se ka mësuar shumë gjatë programit.

“Çfarë që më pëlqeu më së shumti ishte se ishim shumë mendjehapur me të gjithë që morën pjesë në këtë projekt. Ky projekt na pëlqeu shumë dhe do të vazhdojmë të bëjmë shumë të tjerë si ky”, potencoi Haxhinikaj.

Image

Gjatë tërë projektit "Mbështetja e Lidershipit Kolektiv të Ballkanit Perëndimor për Pajtim", financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Ndërtim të Paqes dhe zbatuar nga RYCO dhe tri Agjenci të Kombeve të Bashkuara: UNDP-ja, UNFPA-ja dhe UNICEF-i, u organizuan punëtori për të rinjtë me prejardhje të ndryshme etnike, synim i të cilave ishte që atyre t'u krijoheshin mundësi për t'i identifikuar prioritetet e përbashkëta për paqe dhe siguri dhe për t'u angazhuar në një dialog konstruktiv me bashkëmoshatarët e tyre nga i tërë rajoni. Për më tepër, u dhanë grante të vogla për aktivitetet e të rinjve për ta avancuar një bashkëpunim rajonal të qëndrueshëm.

Që nga marsi i vitit 2020, partnerët e RYCO-s dhe Kombeve të Bashkuara kanë qenë të angazhuar edhe me 24 mësimdhënës nga rajoni dhe kanë zhvilluar mjete për forcimin e dialogut ndërkulturor në rajon.

Më në fund, projekti ofroi edhe punëtori për të rinjtë nga rajoni, me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve të grupeve dhe organizatave rinore themelore për të pasur qasje në resurset e RYCO-s dhe për t'i përdorur ato për t'u angazhuar në aktivitetet e ndërtimit të paqes në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë muajit maj, RYCO e lansoi fushatën njëmujore "Rini e frymëzuar nga Paqja", e cila synon ta ngritë vetëdijen dhe t'i shtojë përpjekjet për ndërtim të paqes dhe pajtim midis të rinjve në Ballkanin Perëndimor përmes ngjarjeve të ndryshme të kësaj fushate.

Në tërë vazhdën e saj, kjo fushatë përqendrohet në temat siç janë arsimi, pranimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për ta vënë në pah rëndësinë e investimit në rini, rëndësinë e historive të tyre dhe fuqinë e tyre për ndryshim.

Me punën e mësimdhënësve dhe studentëve në plan të parë, në këtë fushatë përdoren praktikat më të mira të punës në pedagogjitë transformuese të ndërtimit të paqes në tërë Ballkanin Perëndimor, përmes rrjeteve shkollore si mjet për promovimin e dialogut rajonal.

Në këtë fushatë ofrohen edhe aktivitete promovuese përmes intervistave me mësimdhënësit dhe studentët e përfshirë në aktivitetet e projektit. Për më tepër, shkollat në gjashtë qytete me strukturë etnike të përzier u ndriçuan si simbol i tejkalimit të dallimeve ekzistuese midis të rinjve.

Historik

Për fushatën

Fushata "Rinia e Frymëzuar nga Paqja" ndërmerret në kuadër të projektit të përbashkët të UN-RYCO-së "Mbështetja për Lidershipin Kolektiv të Ballkanit Perëndimor për Pajtim", financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Ndërtim të Paqes. Zbatohet nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) dhe tri Agjenci të Kombeve të Bashkuara: UNDP-ja, UNFPA-ja dhe UNICEF-i. Projekti synon t'i ndërtojë kapacitetet dhe tempin për RYCO-në, t'i fuqizojë të rinjtë që të kenë zë në vendimmarrjen publike që ndikon në jetën e tyre si dhe t'i forcojë ata që të jenë faktorë në ndërtimin dhe ruajtjen e mjediseve të sigurta dhe paqësore për vetveten dhe komunitetet e tyre.

Për RYCO-n

RYCO është mekanizëm institucional që funksionon në mënyrë të pavarur, i themeluar nga 6 shtete pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor (BP 6): Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, me qëllim të promovimit të frymës së pajtimit dhe bashkëpunimit midis të rinjve në rajon përmes programeve të shkëmbimit midis të rinjve.

Marrëveshja për Themelimin e RYCO-s është nënshkruar nga gjashtë kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor gjatë Samitit të Procesit të Berlinit më 4 korrik të vitit 2016 në Paris.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat