Gladbach “tremb” një Bayern me probleme…

Futboll

Gladbach “tremb” një Bayern me probleme…

Më: 6 tetor 2018 Në ora: 07:05
Bayern Munich

Bayern Munich ndryshe nga zakonisht nuk është në vendin e parë të Bundesliga dhe këtë javë do të presë Borussia Mönchengladbach, që renditet në vendin e katërt.

Bavarezët nuk fitojnë prej tre ndeshjesh, barazimi 1-1 kundër Augsburg, humbja 2-0 ndaj Hertha dhe barazimi në Champions League kundër Ajax.

Në kampionat ata e kanë humbur vendin e parë në dëm të Borussia Dortmund.

Gjithsesi, Bayern nuk ka humbur asnjë ndeshje në shtëpi deri tani, duek fituar dy nga tre të zhvilluara. Barazimi i tyre i vetëm ndaj Augsburg ishte gjithashtu edhe i vetmi rast që bavarezët nuk fituan pjesën e parë. Ndeshja e sotme parashikohet të ketë gola pasi Bayern Munich ka gjetur golin në secilën prej gjashtë ndeshjeve të luajtura në shtëpi, ndërsa Gladbach ka shënuar në gjashtë ndeshje jashtë fushe.

Për më tepër, dy nga tre ndeshjet e Bayern Munich në këtë sezon dhe dy nga tre ndeshjet e Gladbach jashtë fushe kanë prodhuar katër ose më shumë gola.

Shqetësimi më i madh për Gladbach është tendenca për të pësuar gol. Në të tre ndeshjet e këtij kampionati në transfertë, ku ka barazuar dy dhe humbur një, kjo skuadër ka pësuar gol gjithmonë në pjesën e parë. Gjithsesi, ata mund të krenohen me faktin se kanë sulmin e dytë më të mirë në kampionatin gjerman.

Në vitin e kaluar, secila prej skuadrave fitoi përballjen direkte në shtëpi, 5-1 fitoi Bayern në Munich dhe 2-1 fitoi Borussia në Gladbach.

Arjen Robben ka shënuar tre golat e fundit të Bayern në këtë sezon, ndërsa Alassane Pléa i Gladbach ka shënuar në tre ndeshjet e fundit radhazi.

Bavarezët kanë shënuar në të gjitha ndeshjet e luajtura në shtëpi që nga muaji shkurt.

Bayern ka bërë më shumë goditje drejt portës kundërshtare se çdo ekip tjetër pas gjashtë javëve të para në Bundesliga (111), Borussia renditet në vendin e pestë në këtë aspekt me 85 goditje.

Gladbach ka marrë tre penallti në këtë sezon, më shumë se çdo ekip tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat