Pse Xherdan Shaqiri nuk mund të udhëtojë drejt Serbisë?

Futboll

Pse Xherdan Shaqiri nuk mund të udhëtojë drejt Serbisë?

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 11:14
Pse Xherdan Shaqiri nuk mund të udhëtojë drejt Serbisë?

“Goal.com” i ka kushtuar një shkrim të posaçëm përplasjes së Liverpool me Crvena Zvezda në fazën e grupeve të Champions League. Në qendër është Xherdan Shaqiri, futbollisti shqiptar i finalistëve të këtij kompeticioni në edicionin e kaluar, rrënjët e tij shqiptare, festimi me “shqiponjë” në Botërorin e Rusisë dhe raportet e tensionuara të Kosovës me Serbinë. Duke iu referuar të tillë “gjembave në mish”, ky sajt i mirënjohur ndërkombëtar futbolli apelon klubin nga “Anfield” që të mos e lejojë 26-vjeçarin të udhëtojë për në Serbi, në ndeshjen e 6 nëntorit. “Xherdan Shaqiri ishte në qendër të polemikave gjatë Kupës së Botës së kësaj  vere, pas festimit me “shqiponjë” të golit të tij kundër Serbisë, çka ishte një referencë ndaj shqiponjës mbi flamurin e Shqipërisë. Ky festim u interpretua si një gjest i zjarrtë politik. 

Tensionet midis Serbisë dhe Kosovës, ku Shaqiri ka lindur, mbeten të larta dhe ndërkombëtari zviceran rrezikoi një pezullim për shkak të mënyrës së festimit të tij. Mbi Liverpool, që ka rënë në Grupin C të Ligës së Kampioneve me ekipin serb të Crvena Zvezda, pyetjet mbeten në lidhje me përfshirjen e Shaqirit dhe nëse është tepër e rrezikshme që ai të udhëtojë me “Reds” për në Serbi. Pas shënimit të golit të fitores kundër Serbisë (për Zvicrën), në Grupin E të Kupës së Botës në Rusi, 26-vjeçari i kryqëzoi duart për të formuar një gjest, që ngjan me shqiponjën, duke iu referuar simbolit të flamurit kombëtar të Shqipërisë. Shaqiri ka lindur në Kosovë, një shtet që e ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, megjithëse kjo e fundit nuk e njeh nga atë. Për pasojë, festimi i Shaqirit kishte pasoja politike të diskutueshme, jashtë fushe. 

Shenja e “shqiponjës”, që Shaqiri bëri, ishte një aluzion ndaj dështimit të Serbisë për të njohur vendlindjen e tij si shtet i pavarur dhe u interpretua si një deklaratë e hapur politike. Pavarësisht se Kosova është njohur si një shtet i pavarur nga UEFA dhe FIFA, Serbia ende refuzon ta shohë atë si të tillë, çka do të thotë se marrëdhëniet mbeten të tensionuara. Shaqiri, gjithashtu, mbante këpucë sporti gjatë Kupës së Botës, ku dukeshin qartë flamuri zviceran dhe kosovar. “Unë nuk dua të flas për këtë, – u tha Shaqiri gazetarëve pas ndeshjes. – Në futboll ju keni gjithmonë emocione. Mund të shihni se çfarë kam bërë, kam emocione. Unë jam i lumtur që e shënoj këtë gol. Nuk duhet të flasim për këtë tani”. Bashkëlojtari i Shaqirit te Zvicra, Granit Xhaka, gjithashtu festoi me “shqiponjë”, pasi hapi rezultatin kundër Serbisë me një goditje predhë nga distanca, duke barazuar 1:1. Mesfushori i Arsenalit ka lindur nga prindër shqiptarë nga Kosova, ndërsa babai i tij ishte i burgosur politik, pas demonstratave studentore të vitit 1986 në ish-Jugosllavi, kundër qeverisë komuniste në Beograd. Përveç kësaj, vëllai i Xhakës, Taulanti, luan për ekipin kombëtar të Shqipërisë. 

Kapiteni i Zvicrës, Stephan Lichsteiner, erdhi në mbrojtje të Shaqirit dhe Xhakës, edhe pse trajneri Vladimir Petkoviç hodhi poshtë mundësinë për të diskutuar synimet e tyre politike, duke thënë se gjeste të tilla ishin të papërshtatshme për fushën e futbollit. “Ju kurrë nuk duhet të përzieni politikën me futbollin, – tha Petkoviç. – Është mirë të jesh një tifoz, është e rëndësishme të tregosh respekt. Atmosfera e mrekullueshme dhe emocionet pozitive duhet të mbizotërojnë në futboll. Ky nuk është vetëm mendimi im, por i të gjithë federatës dhe ekipeve në mbarë botën. Duhet ta ndajmë bashkarisht këtë mendim, sepse kjo është diçka, për të cilën nuk kemi nevojë këtu. Unë mendoj se nuk duhet të flasim aq shumë, por të tregojmë veten me futboll në fushë”. Serbia kërkoi pezullimin e dy futbollistëve shqiptarë të Zvicrës, por FIFA, megjithatë, konfirmoi përmes një deklarate pas ndeshjes se ka gjobitur Shaqirin dhe Xhakën me nga 10 mijë franga zvicerane, ndërsa Lichsteiner me 5 mijë franga zvicerane. 

Të tre lojtarëve iu dhanë paralajmërime për “shkelje të kodit disiplinor të FIFA-s, për sjellje josportive dhe në kundërshtim me parimet e lojës së drejtë”. Liverpool ka rënë në një grup me skuadrën serbe të Crvena Zvezda në Ligën e Kampionëve, këtë sezon, kështu që Shaqirin do ta priste një pritje armiqësore, nëse ai do të përfshihet në ndeshjen e largët, më 6 nëntor. Megjithatë, Liverpool mund të tregojë kujdes dhe të vendosë kundër përfshirjes së tij në skuadrën që do të udhëtojë drejt Serbisë, pasi tensioni politik dhe pritja potencialisht e rënduar mund të jenë shumë të diskutueshme. 

Drejtori sportiv i Crvena Zvezda, Zvezdan Terziç, zbuloi se klubi i tij do të bëjë detyrën për të mbrojtur Shaqirin, së bashku me Liverpool, megjithëse theksoi ndikimin e situatës. “Unë mendoj se Shaqiri do t’i nënshtrohet presionit të jashtëzakonshëm psikologjik, – tha Terziç për gazetën serbe “Kurir”. – Ai e di se ku do të shkojë. E di mirë se klubi ynë është një simbol i Serbisë, ndryshe nga Partizani i Beogradit, i cili përfaqëson Jugosllavinë më shumë. Nuk e di nëse ai do të jetë i gatshëm të luajë në Serbi, në këto kushte, kështu që dyshoj se do të vijë. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë Shaqirin të ndihet sikur mund të luajë futboll, është detyra jonë ta mbrojmë atë”. Ndonëse Xhaka kërkoi falje për festimin me “shqiponjë”, Shaqiri mbeti disi i patundur nga kjo gjë. “Sigurisht, kërkoj falje nëse njerëzit ndihen të sulmuar në Zvicër, – tha Shaqiri. – Dikujt, nuk e di, ndoshta në male, ku dikush e ndiqte lojën dhe shqetësohej, me siguri do t’i kërkoj falje”. Ka shkruan “Goal”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat