Veteranët e Llapit dhe të Diasporës nderojnë ish-presidentin Vokrri

Futboll

Veteranët e Llapit dhe të Diasporës nderojnë ish-presidentin Vokrri

Më: 6 gusht 2018 Në ora: 10:48
Veteranët e Llapit dhe të Diasporës nderojnë ish-presidentin Vokrri

Po vazhdojnë nderimet dhe kujtimi në mënyra të ndryshme për legjendën e futbollit dhe ish presidentin e FFK-së, Fadil Vokrri. Një kujtim i veçantë me një koregrafi ju bë edhe sot, ku në stadiumin “Zahir Pajaziti” veteranët e Llapit dhe të ata të Diasporës zhvilluan një ndeshje futbolli duke nderuar kështu njeriun që aq shumë i dha vendlindjes Llapit, Kosovës dhe më gjerë, duke u shndërruar në legjendë dhe duke i krijuar vetes përjetësi. Në këtë ballafaqim përkujtimor ishin të pranishëm familja e tij, djali Gramozi, vëllai Adili dhe axhallarët  Selatini  e Muhameti, kryetari i FC”Llapi”, Nexhat Dumnica si dhe shumë qytetarë nga Llapi e më gjerë. Me këtë rast presidenti i FFK-së,  Agim Ademi para të pranishmëve duke falënderuar organizatorët për këtë ndeshje përkujtimore  theksoi: “Figura më markante e futbollit të Kosovës,  po vazhdon të nderohet gjithandej kah ka shqiptarë dhe jo vetëm, duke dëshmuar kështu respektin e madh për njeriun e madh. E veçanta e këtij turneu është mungesa Fadil Vokrrit, i cili e ka përkrahur dhe e ka pritur me padurim çdo vit dhe ka qenë prezent për të takuar bashkatdhetarët dhe bashkëlojtarët e tij të dikurshëm. Jam i vetëdijshëm që na presin sfida të mëdha por po ashtu unë dhe KE jemi të vendosur që ta vazhdojmë rrugën dhe vizionin e tij për zhvillimin e futbollit. Për këtë do të punojmë fortë dhe me përkushtimin më të madh dhe ky do të ishte nderimi më i madh që do t’i bëhet atij”. Sot, më 6 gusht veteranët e Llapit dhe të Diasporës në orën 18.00 do të bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Vokrri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat