Barcelona nuk e ka lehtë

Futboll

Barcelona nuk e ka lehtë

Më: 12 mars 2024 Në ora: 12:14
Pamje nga një ndeshje

Liga e Kampionëve do të rikthehet sonte me ndeshjet tjera të kthimit të së tetës së finales.

Loja kryesore e natës sonte do të jetë ajo mes Barcelonës dhe Napolit.

Skuadrat barazuan 1:1 në duelin e parë të zhvilluar në “Diego Armando Maradona”.

E sonte, katalunasit dhe napolitanët do të luftojnë për një vend që çon në çerekfinale të garës prestigjioze.

Përkundër disa mungesave të rëndësishme, ekipi i Xavi Hernandezit do të mundohet ta vazhdojë serinë pozitive ndaj Napolit.

Më saktësisht, Barça mbetet e pamposhtur në pesë përballje me kampionin aktual italian në të gjitha garat duke fituar tri herë dhe duke barazuar dy herë.

Të dy ekipet kanë shënuar në të gjitha pesë duelet mes tyre, andaj historia thotë se edhe sonte mund të kemi gola.

Një statistikë interesante është se kur Barça e ka shmangur humbjen në lojën e parë të fazës së parë eliminuese të Championsit, ka kaluar tutje në 20 prej 21 rasteve.

Nga ana tjetër, Napoli është eliminuar në 11 rastet e fundit kur ka dështuar ta fitojë lojën e parë në fazë eliminuese të kësaj gare.

Barcelona ka dështuar të fitojë në katër ndeshjet e fundit në fazë eliminuese të Championsit.

Sidoqoftë, Amir Rrahmani me shokë do ta kërkojnë mrekullinë sonte në Spanjë për ta përsëritur sezonin e kaluar kur shkuan deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Në duelin tjetër të natës, Arsenali do ta kërkojë përmbysjen ndaj Portos, e cila e fitoi lojën e parë në Portugali me rezultat 1:0.

Por, “Dragonjtë e Portos” s’do të shkojnë në Londër sa për sy e faqe pasi edhe ata e duan biletën që dërgon në çerekfinale të këtij kompeticioni.

Dy ndeshjet e sontme të Ligës së Kampionëve do të nisin në orën 21:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat