Muaj shkurt pengesa e vetme në rrugën e titullit, Atletico Madrid komplikon llogaritë e Inter

Futboll

Muaj shkurt pengesa e vetme në rrugën e titullit, Atletico Madrid komplikon llogaritë e Inter

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 16:18
Simone Inzaghi

Inter fitoi duelin direkt ndaj Juventus duke iu shkëputur bardhezinjve në katër pikë ndërsa zikaltërit kanë edhe një ndeshje për të rikuperuar me Atalantën, e rrjedhimisht mund të rrisin sërish distancën me torinezët.

Skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi duket e pandalshme në rrugën drejt titullit kampion, teksa pengesa e fundit është muaji shkurt dhe gjysma e muajit mars.

Skuadrat e Inzaghit kanë hasur historikisht probleme në këtë periudhë teksa deri në fundin e shkurtit, Interin e presin pesë ndeshje të sikletshme nëse llogarive iu shtohet edhe Atletico Madrid në Champions League.

Spanjollët janë “klientë” bezdisës për këdo dhe për t’i kaluar do të duhet shumë energji.

Zikaltërit fillimisht do të duhet të mendojnë për Serinë A dhe transfertën e kësaj fundjave ndaj Romës, ndërsa pas verdhekuqve presin Salernitanën. Më datë 20 shkurt, Atetico “viziton” San Siron ndërsa më datë 25 shkurt, Inter luan në transfertë ndaj Leçes për ta mbyllur muajin në shtëpi më datë 28 përballë Atalantës.

Marsi nis me Genoan në shtëpi e Bolognan në transfertë, para ndeshjes së kthimit me Atletico Madrid më datë 13 mars. Nëse Inter ruan vendin e parë në kampionat edhe pas gjysmës së parë të marsit, atëherë zikaltërit mund të marrin “rymë lirisht” pasi periudha e konsideruar e “mallkuar” për Inzaghin do të harrohej dhe titulli numër 20 do të ishte më pranë se kurrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat