Rënia e skelës plagosi bashkëshorten e Bledi Shkëmbit

Futboll

Rënia e skelës plagosi bashkëshorten e Bledi Shkëmbit

Më: 23 janar 2024 Në ora: 18:21
Bledi Shkëmbi me bashkëshorte

Rrëzimi i një skele nga një pallat në ndërtim ka lënë të dëmtuar dy kalimtarë, mes të cilëve bashkëshorten e ish-futbollistit të njohur Bledi Shkëmbi, Imelda.

Top Channel kontaktoi me ish-kapitenin Skënderbeut, i cili tha se ishte me avokatin në përgatitjen e dokumenteve për të ngritur padi ndaj firmës së ndërtimit, përfaqësues të së cilës deri në mesditë nuk kanë kontaktuar askënd për të mësuar mbi gjendjen shëndetësore të dy personave.

Vlen të theksohet se, për incidentin mëngjesin e kësaj të marte u arrestuan për veprën penale të shkeljes së rregullave dhe mbrojtjes në punë Elton Osmanllari, punëtor, Erjon Kanto, sipërmarrës dhe Zef Kalaj inxhinier i kompanisë së ndërtimit. Sipas verifikimeve të grupit hetimor në terren, ata nuk kishin zbatuar rregullat për të ruajtur, qoftë punëtorët, ashtu edhe këmbësorët.

Pas arrestimit të 3 përgjegjësve për incidentin, kantieri i ndërtimit ishte boshatisur dhe puna ishte ndërprerë. Nga ana tjetër, dy të plagosurit vijojnë të jenë në spital ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Incidenti i ndodhur në një pallat në ndërtim në Tiranë ku u plagosën dy kalimtarë nuk është një rast i izoluar. Gjatë vitit 2023 u evidentuan 102 raste nga të cilat u identifikuan 115 autorë të shkeljes së rregullave dhe mbrojtjes në punë nga të cilët 35 u arrestuan.

Sektorët me problematikë për sa i përket incidenteve në punë, ku jo rrallë herë kemi hasur edhe humbje jete nga punëtorët janë ndërtimi, minierat dhe fasoneritë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat