Reagon mbrojtësi i Juves

Futboll

Reagon mbrojtësi i Juves

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 13:37
Andrea Kambiaso

Pasi bindi trajnerin Masimiliano Alegri që ta rikthente te Juventusi, pas huazimit të sezonit të kaluar te Bolonja dhe mbi të gjitha pas paraqitjeve të shkëlqyera dhe golit të fitores që dhuroi ndaj Veronës në minutën e 97-të, Andrea Kambiaso ka marrë edhe grumbullimin e tij të parë në Kombëtaren italiane, nga ana e trajnerit Spaleti.

Por mesa duket, dikush nga familja e tij është tallur keq pas këtij emocioni të bukur: “Isha në grumbullim me Juventusin, përpara ndeshjes me Kaljarin dhe më telefonoi menaxheri i klubit.

Nuk e prisja atë që do të më komunikonte, ndonëse ishte normale që e ëndërroja, e shpresoja një grumbullim në përfaqësuese dhe pasi mora lajmin, isha thjesht në qiellin e shtatë.

Brenda meje ndjeva menjëherë një ndjenjë që nuk e kisha provuar më parë, por nëse përpara menaxherit të grupit të skuadrës e mbajta veten, me të shkuar në dhomën time, shpërtheva nga lumturia.

Madje, menjëherë kërkova që ta konfirmoja emrin tim në listën e shpallur nga Spaleti. Menjëherë pas lajmit mora në telefon prindërit dhe vëllain tim.

Babai im ishte shumë i lumtur, por në të njëjtën kohë ma preu edhe shkurt: ‘Komplimente, por rri i qetë se do të shkosh vetëm për të mbajtur çantat. Ka të tjerë që e kanë blinduar atë pozicion ku ti luan’. Sigurisht që bëhej fjalë për një shaka, pasi me babain kam një marrëdhënie fantastike, edhe sepse bëjmë shumë shaka bashkë”.

Për Andrea Kambiason është një hap shumë i madh ky që ka hedhur, duke qenë se nëse tri vite më parë ishte protagonist në Serinë D, brenda një kohe kaq të shkurtër fitoi besimin e Juventusit dhe të kombëtares:

“Patjetër që mbaj kontakte me shokët e mi që luaja në Serinë D, në radhët e Abisolas. Me këtë skuadër fitova titullin kampion, edhe pse as që renditeshim mes favoritëve të mundshëm. Por pa dyshim që Juventusi dhe tani Italia janë një ndjesi edhe më fantastike sesa kaq.

Si është Spaleti? Ka ide shumë moderne për futbollin dhe kërkon një lojë sulmuese. Madje, më bëri edhe komplimentat për mënyrën sesi unë e shihja lojën në fushë dhe ky ishte një motiv krenarie për mua”, përfundoi mbrojtësi i majtë juventin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat