Kombëtarja e vajzave viziton kuqezinjtë

Futboll

Kombëtarja e vajzave viziton kuqezinjtë

Më: 15 tetor 2023 Në ora: 20:13
Foto ilustrim

Suksesit të Kombëtares shqiptare po i gëzohet këto ditë e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm. Veç krenarisë, futbollistët kuqezi janë kthyer edhe në motivuesit më të mëdhenj. Jo vetëm për brezat më të vegjël që luajnë futboll, por edhe për ekipin Kombëtar A të vajzave. Që në shtator nisi rrugëtimin në edicionin e ri ‘UEFA Nations League’ për këtë kategori.

Dy Kombëtaret patën një takim shumë të ngrohtë e miqësor pasditen e sotme në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’. Kuqezinjtë u vizituan në stërvitjen e sotme nga disa prej vajzave të Kombëtares.

Teksa të pranishëm në këtë vizitë ishin edhe edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka; Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku, stafi teknik i Kombëtares A të djemve, me në krye trajnerin Sylvinho. Dhe trajneri i Kombëtares A të vajzave, Armir Grima. Si edhe anëtarja e KE-së, Anila Basha.

Kreu i FSHF-së mbajti një fjalim të shkurtër përpara futbollistëve dhe futbollisteve. Duka dha një mesazh shumë të fortë për djemtë e vajzat e ekipit tonë Kombëtar.  ‘

NE JEMI NJË’, u shpreh kreu i futbollit shqiptar, i cili u shpreh se vetëm duke qenë të bashkuar futbolli shqiptar mund të ecë përpara. Për të pasur sa më shumë fëmijë futbollistë dhe rezultate pozitive. Ndër të tjera, Duka tha se djemtë dhe vajzat kuqezi janë shembujt më pozitivë në Shqipëri.

“Rezultati i ndeshjes me Çekinë na ka lumturuar të gjithëve, edhe gocat e Kombëtares dhe çdo shqiptar. Ne e duam shumë Kombëtaren, duam fanellën e Kombëtares, pavarësisht se kush e vesh atë. Dhe për këtë jemi këtu: Ne jemi NJË për një qëllim! Për të zhvilluar sa më shumë futbollin në Shqipëri, dhe ju jeni shembujt më të mirë.

Pa dyshim që fitoret dhurojnë emocion, si ajo fitore me Çekinë. Ajo që është e rëndësishme është që rinia shqiptare, djemtë dhe vajzat e këtij vendi të mendojnë të bëhen si ju, pasi ju jeni shembujt pozitivë të Shqipërisë. Nuk ka Shqipëria shembuj më të mirë se ju, jo vetëm në futboll, djem dhe vajza. Mesazhi im është: ‘Ne jemi NJË’ dhe duke qenë NJË, pa dyshim që do të ecim përpara për të pasur një komunitet akoma edhe më të madh.

Për të pasur më shumë fëmijë rreth nesh dhe sigurisht të marrim edhe rezultate pozitive. Uroj që t’i realizojmë të gjitha bashkë. Kemi realizuar disa ëndrra, por ato vazhdojnë”, deklaroi Duka përpara djemve e vajzave kuqezi.

Trajneri Sylvinjo foli shumë pak, por mesazhi i tij ishte i qartë: ‘Futbolli nuk luhet vetëm’.

Numri një i pankinës kuqezi të djemve ritheksoi fjalinë e Dukës se ‘ne jemi një’ dhe falënderoi vajzat dhe trajnerin Grima për vizitën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat