Uzuni nuk gabon si Muriqi, Granada merr fitoren e parë në La Liga

Futboll

Uzuni nuk gabon si Muriqi, Granada merr fitoren e parë në La Liga

Më: 26 gusht 2023 Në ora: 21:24
Granada

Myrto Uzuni fiton derbin kuqezi me Vedat Muriqin. Granada triumfoi 3-2 përballë Mallorcas, ku një nga golat e vendësve, atë të 3-1, e realizoi Uzuni nga pika e bardhë e penalltisë.

Të njëjtën mundësi e pati edhe Muriqi në pjesën e parë, por gaboi duke goditur shtyllën. Ishte hera e dytë që “Pirati” dështonte nga 11-metra largësi në këtë fillim sezoni.

Zhbllokohet që në minutën e 13-të derbi i shqiptarëve (Uzuni-Muriqi) në kuadër të javës së tretë të La Liga-s.

Vendësit kaluan në epërsi falë golit të shënuar nga Miguel Rubio, që shfrytëzoi në maksimum krosimin e veteranit Callejon nga e djathta e sulmit.

Festë për skuadrën andaluze, ku luan sulmuesi beratas, trishtim për ishullorët, që shpresojnë te cilësitë e sulmuesit “dardan” për të marrë pikë në këtë transfertë.

Vetëm pesë minuta më vonë, Muriqi dështoi të shënonte nga pika e bardhë e penalltisë, për të dytën herë në këtë fillim sezoni.

Gjithsesi, Mallorca ia doli të barazonte me Prats, me Muriqin që e shtyu topin me gjoks drejt rrjetës pasi e kishte kaluar vijën fatale.

Sapo nisi pjesa e dytë, Zaragoza i dha epërsinë Granadas pas një veprimi të bukur në hyrje të zonës.

Golin e sigurisë për Granadan e relaizoi pikërisht Myrto Uzuni me 11-metërsh. Ishte finalizimi i parë për futbollistin e Kombëtares Shqiptare në këtë seozon.

Goli i Costas në minutën e 87-të nuk i mjaftoi Mallorcas për të shmangu humbjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat