NallbanI: Kundërshtari i shfrytëzoi dy gabime të mbrojtjes tonë

Futboll

NallbanI: Kundërshtari i shfrytëzoi dy gabime të mbrojtjes tonë

Më: 10 shtator 2022 Në ora: 19:00
Kosova

Kombëtarja e Kosovës U15 ka pësuar humbje në ndeshjen e fundit në kuadër të turneut zhvillimor të UEFA-s në Shkup.

Djelmoshat e drejtuar nga Ilir Nallbani, pas fitores ndaj Malajzisë, me penallti dhe humbjes kundër Armenisë, po ashtu me penallti, të shtunën, në ndeshjen përmbyllëse të turneut, u mposhtën nga bashkëmoshatarët e tyre nga Maqedonia e Veriut, me rezultat të ngushtë, 2:1, ndonëse patën paraqitje të mirë dhe në dy raste golin ia mohoi shtylla.

Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e vendasve, me golin e shënuar nga Aleksandar Grasheski.

Në pjesën e dytë, Dardanët e rinj arritën t’i barazojnë shifrat me golin e Rezon Ademit nga gjuajtja e lirë, por më pas Grasheski realizoi sërish për t’i dhuruar fitoren ekipit të tij dhe njëherësh edhe duke ia siguruar pozitën e parë në këtë turne me 7 pikë. Pozita e dytë i takoi Malajzisë, me 6 pikë, Kosova u rendit e treta me 3 pikë dhe e fundit Armenia, me 2 pikë. Pas ndeshjes përzgjedhësi Ilir Nallbani në një prononcim për faqen zyrtare të FFK-së theksoi se ka pritur më shumë nga ekipi i tij. “Ta them të drejtën kam pritur më shumë, sepse ia kemi bërë hyzmetin me stërvitje dhe përkushtim maksimal gjatë dy muajve të fundit. Megjithatë, fakti që shumica e lojtarëve për herë të parë luajtën jashtë vendit ndoshta ka ndikuar tek paraqitja e tyre.

Tek disa futbollistë që kemi shpresuar shumë na kanë dështuar. Sidoqoftë, mendoj se ndeshje pas ndeshje ekipi ka luajtur më mirë, teksa lojtarët që janë inkuadruar si zëvendësues kanë pasur paraqitje të mirë.

Natyrisht se për formën sportive të këtyre djemve duhet shumë punë, ngase po shihet se shpejt po i kaplon vetëkënaqësia

. Pra, ata, duhet të jenë të vetëdijshëm se duhet përkushtim e punë me përulje në vazhdimësi në mënyrë që të arrihen sukseset. Sa i përket ndeshjes së sotme patëm paraqitje shumë të mirë, por fati nuk ishte me ne, ngase dy herë e qëlluam shtyllën, derisa kundërshtari i shfrytëzoi dy gabime të mbrojtjes tonë.

Tani na mbetet që me këtë gjeneratë ta vazhdojmë punën për t’i përmirësuar gabimet e evidentuara dhe për ta rritur nivelin e lojës”, ka theksuar Nallban.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat