Allegri vlerëson dikë tjetër

Futboll

Allegri vlerëson dikë tjetër

Më: 28 korrik 2022 Në ora: 12:26
Allegri vlerëson dikë tjetër

Pas suksesit 2-0 në debutim me Çivasin, Juventusi ndalet në një barazim 2-2 me Barcelonën, në turneun veror amerikan ku po marrin pjesë.

Në Dallas, kuqeblutë dhe bardhezinjtë ofruan 4 gola shumë të bukur, ku protagonistë ishin Osman Dembele dhe Mois Ken, autorë të një dopiete secili. Sulmuesi francez, pas shumë peripecish, është rikthyer deciziv dhe dje në të gdhirë realizoi dy gola personalë dehës, duke qenë se me dy aksione fotokopje dribloi këdo që i doli përpara dhe shënoi.

Gjithsesi, sa herë që Dembele realizoi, Ken dhe Juventusi në të kundërt ofruan dy aksione perfekte, duke përfshirë thuajse të gjithë skuadrën, me Mois Kenin që brenda zonës ishte gjithmonë në vendin dhe në kohën e duhur.

Për katalanasit pengje kishte jo pak, duke qenë se pak pas 2-2 të Juves ata patën mundësinë e realizimit të golit të avantazhit, por shtyllat, në të njëjtin aksion brenda 5 sekondash, ndalën Rafinjën pas një goditjeje dënimi spektakolare dhe më pas gjuajtjen e Ansu Fati.

Për të dyja skuadrat ishte një test mjaft i bukur dhe i rëndësishëm për të marrë indicie të shumta, si në rastin e trajnerit të Juventusit, Masimiliano Alegri, i cili mahnitet çdo ditë e më shumë nga Angel di Maria.

“Bëmë një stërvitje të bukur, ndonëse në rastin e dy golave të pësuar prisja më shumë përqendrim dhe agresivitet.

Gjithsesi, në këtë periudhë të sezonit është OK edhe kështu, duke parë se nga ana tjetër Ken ishte fenomenal në zonë dhe barazoi.

Më pëlqyen shumë edhe Zakaria dhe Rovela në mesfushë, por më shumë se kushdo tjetër, dua të nënvizoj Angel di Marian.

Është thjesht një kënaqësi për sytë kur e sheh që të luajë futboll. Çfarë klasi, çfarë ideje loje dhe realisht jam shumë i lumtur për ritmin dhe mënyrën se si po ingranohet në skuadër. Angel është një lojtar që bën të gjithë ekipin të lëvizë dhe kjo është diçka që na duhet për të arritur sukseset e mëdha”, tha Allegri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat