Revolucion i plotë te PSG

Futboll

Revolucion i plotë te PSG

Më: 27 prill 2022 Në ora: 18:46
Revolucion i plotë te PSG

PSG është gati të bëjë një revolucion të plotë në verë, duke larguar shumë lojtarë për të nisur nga e para një cikël të ri. Një revolucion që do të ketë sakrifica dhe një prej tyre është ajo e brazilianit Nejmar, i cili nuk arriti të ngjitej në majën e futbollit botëror siç shpresonte kur firmosi me parisienët.

Këta të fundit paguan një shifër rekord për të në verën e vitit 2017, kur e transferuan nga radhët e Barcelonës, duke paguar 222 milionë euro për kartonin e tij. Por ndonëse ai ka shënuar 98 gola në 141 ndeshje me fanellën e PSG, Nejmar nuk ka përmbushur pritshmërinë më të madhe, që të sillte në Paris Ligën e Kampioneve, ndaj klubi është gati t’i japë lamtumirën.

Kjo, pavarësisht një humbje kolosale, pasi çmimi që i ka vënë futbollistit, sipas “Sky Sports”, është vetëm 90 milionë euro. Pakkush mund të përballojë rrogën e tij që kalon 30 milionë euro në vit dhe për këtë arsye, PSG mendon që kjo shifër mund të bindë ndonjë klub që të investojë për blerjen e Nejmar.

Megjithatë, kjo ide e PSG-së mund të kundërshtohet nga vetë lojtari, i cili pasi skuadra fitoi titullin në fundjavë, iu kundërvu edhe tifozëve të vet. “Do të jem këtu edhe tre vite të tjera ndaj boll me ulërimat kundër, pasi do t’ju nevojitet shumë ajër…”, deklaroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat