Dinamo–Skënderbeu, duel mbijetese

Futboll

Dinamo–Skënderbeu, duel mbijetese

Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 23:58
Dinamo–Skënderbeu, duel mbijetese

Kush do ta imagjinonte në fillim të këtij sezoni se Dinamo, e sapongjitur në elitë, me ambicie menjëherë maksimale e investime të rëndësishme, do ta luante ndeshjen e fundit të vitit 2021 në kuotë të njëjtë pikësh me Skënderbeun. Bledi Shkëmbi nuk mund ta dinte atëkohë se përballja me skuadrën ku ka shijuar suksese të jashtëzakonshme si lojtar dhe kapiten do të kishte një rëndësi të veçantë për të, tanimë në kostumin e trajnerit.

Dinamo shkon në sfidën e kësaj të mërkure me Skënderbeun si në një finale. 4 ndeshje pa fitore, ku kanë koleksionuar 3 humbje dhe së fundmi një barazim me Vllazninë, kanë sjellë rënien në zonën e ftohtë të tabelës.

Te Dinamo, Shkëmbit i duhet të merret edhe me problemet e formacionit, nuk do të ketë Imamin, ndërkohë që probleme ka dhe për Mihanën e Sofranac, e megjithatë trajnerit, këtë të mërkurë, i bën punë vetëm fitorja, për të shijuar pak qetësi e pse jo dhe vetëbesim para festave dhe merkatos së janarit.

Ndaj Vllaznisë, edhe pse mungoi fitorja e shumëpritur, solli një performancë të mirë në mbrojtje, ndaj një prej skuadrave me sulmin më të mirë të kampionatit, ndërkohë që ndaj Skënderbeut do të duhen edhe golat.

Skuadra korçare ndërkohë vjen me moralin e lartë, ata kanë fituar ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë, Egnatias dhe Kastriotit, duke u shndërruar në favoritët e frontit të mbijetesës, ndërkohë që Memelli, para pak kohësh, deklaroi se pret ta mbyllë këtë vit kalendarik, duke lënë pas edhe blutë, arritje për të cilën do t’i duhet një fitore e bujshme përballë bluve për të përmbushur një profeci te e cila ndoshta pakkush besonte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat