Historia shkruhet në “Old Trafford”

Futboll

Historia shkruhet në “Old Trafford”

Më: 24 tetor 2021 Në ora: 11:24
Historia shkruhet në “Old Trafford”

Në “Old Trafford” zbret historia e futbollit anglez. Dy klubet më të suksesëshme të kombit që shpiku futbollin, Manchester United dhe Liverpool, sfidohen në klasiken e futbollit britanik teksa vijnë mbi dy dallgë të ndryshme për sa i përket momentit.

Në vitet e kaluara fitorja 3-2 e United me përmbysje ndaj Atalantës do të shihej si një sukses , por tanimë në sytë e opinionit sportiv ajo shihet në kontekstin e një klubi që po kalon një krizë identitet.

Ole Gunner Solskjaer pasi është krenuar me progresin shkallë pas shkalle në dy vitet e fundit, i duhet të bëjë hapin e madh, të fitojë dicka të rëndësishme, dicka që se ka arritur edhe pse yjet nuk i mungojnë dhe Manchesteri i tij duhet ta tregojë veten në sfida si kjo, mbi të gjitha tanimë me një yll të madh më shumë, Cristiano Ronaldon.

Trajneri është në apel, dhe nuk është cudi që të rrezikojë në rast të një dështimi në këtë përballje.

Edhe Liverpuli fitoi në mesjavë , duke mposhtur kampionët e Spanjës, Atletikon e Madridit në trasfertë. Në atë ndeshje nuk mungoi në apel Mohamed Salah, që Jurgen Klopp e konsideron njeriun më në formë të momentit në botën e futbollit, dhe shifrat i japin të drejtë, pasi Liverpool shënon të paktën 3 gola në 8 nga 9 ndeshjet e tij të fundit, çka flet shumë për forcën e të kuqve.

Mbrojtja gjithsesi nuk është më aq perfekte me Virgil Van Dijk, që i duhet ende të shpalosë dominimin që kishte para se të dëmtohej në sezonin e shkuar, por me një treshe si Salah, Sadio Mane dhe Firminho aty para për Liverpulin bëhet gjithcka më e thjeshtë.

Mbrojtja e United duhet të gjejë një marsh më shumë. Kapiteni Harry Maguire është fajësuar si për 4 golat e pësuar nga Leicester fundjavën e kaluar, ashtu dhe për ata në sfidën me Atalëntën dhe nëse nuk përmirësohet në këtë sfidë, gjërat mund të bëhen të vështira për Ole Gunnar Solskjaer.

Për sa i përket të rejave nga skuadrat, te Manchester United shqetësojnë Marcus Rashford dhe Bruno Fernandez që kanë pësuar lëndime në mesjavën e Champions ndërsa te Liverpool mungon Thiago Alcantara mungon për shkak dëmtimi, por Curtis Jones është sërish në dispozicoon, ndërsa Fabinho pritet të rikthehet në formacionin titullar pasi luajti si zëvndësues ndaj Atletikos.

Majin e kaluar Liverpool fitonte 4-2 në “Old Trafford” dhe Manchester United nuk e ka mundur rivalin e madh që nga marsi i 2018. Megjithatë thonë se në përplasjet titanike si këto statistikat apo dhe klasifikimi nuk vlejnë, dhe kjo mbetet një sfidë tejet e hapur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat