Francë - Gjermani, sfida që çon në këmbë

Futboll

Francë - Gjermani, sfida që çon në këmbë

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 19:42
Francë - Gjermani, sfida që çon në këmbë

Sot në “Allianz” do të luhet Francë–Gjermani. Në njërën anë kombëtarja e në tjetrën një pjesë e mirë e shokëve me të cilët ka luajtur për 12 vite te Bajerni.

Takimi i sotëm vendos në vështirësi edhe dikë si Frenk Riberi, i cili ka në Gjermani një atdhe të dytë. Pas një vizite në selinë e klubit, sulmuesi i Fiorentinës, ka dhënë një intervistë për televizionin e Bajernit ku nuk mund të mungonin edhe pyetjet për duelin e orës 21:00.

Mëmëdheu Franca dhe atdheu i dytë Gjermania do të përballen në ndeshjen e parë të Europianit. Çfarë prisni në aspektin e lojës?

Jam i bindur që do të jetë një ndeshje shumë e bukur mes dy skuadrave të mëdha që në gjirin e tyre kanë lojtarë fantastikë. Duele të tilla janë gjithmonë të veçanta dhe presioni është i lartë. Është një përballje me shumë rëndësi për secilën skuadër, por njëkohësisht është shumë bukur të luash një të tillë.

Për cilin ekip uroni fitoren?

(qesh) Sa pyetje e vështirë. Kam shumë miq që luajnë te Gjermania, ndaj edhe zemra ime rreh për kombëtaren tuaj. Sidoqoftë, nuk e kam harruar që jam francez dhe Franca është vendi im. Uroj të asistojmë në një ndeshje të bukur. Nëse fiton Franca do të jem i lumtur, por i lumtur do të jem edhe nëse tri pikët i fiton Gjermania.

Bajerni ka dhjetë lojtarë të shpërndarë në të dyja kombëtaret. Çfarë do të thotë për ju diçka e tillë?

Ka shumë lojtarë francezë që në vitet e fundit i janë bashkuar Bajernit. Në kombëtaren e Francës të kuptojnë edhe nëse flet gjermanisht, por kur vesh fanellën e vendit tënd atëherë harron gjithçka e mundohesh të sigurosh në çdo mënyrë fitoren. Fakti që ndeshja do të luhet në “Allianz Arena” e bën sfidën magjepsëse edhe për shumë lojtarë të Bajernit, që nesër do të mbajnë veshur fanellën e Gjermanisë.

Franca, Portugalia dhe Gjermania janë në grupin e tmerrshëm me Hungarinë. Cilin ekip shihni si favorit për t’u kualifikuar në fazën tjetër?

Franca ka shumë futbollistë të cilësisë të lartë, sidomos në sulm ku shpejtësia dhe driblimet janë armët kryesore. Gjermania gjithashtu ka potencial të madh, sidomos taktikisht. Organizimi më pëlqen ndaj nuk mund t’i skarcoj. Portugalia me Ronaldon mund të bëjë shumë, teksa Hungarisë nuk i jap dot shanse. Sidoqoftë, për mendimin tim, grupin do ta kapërcejnë Franca me Gjermaninë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat