Rusia synon ta shpallë lëvizjen LGBT si ekstremiste

Evropë

Rusia synon ta shpallë lëvizjen LGBT si ekstremiste

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 23:22
Flamuri i komunitetit LGBT.

Ministria ruse e Drejtësisë e ka dorëzuar një mocion në Gjykatën Supreme të vendit për t’i ndaluar aktivitetet e asaj që e quan “lëvizje publike ndërkombëtare LGBT” dhe synon ta shpallë atë si ekstremiste.

Ende është e paqartë nëse deklarata e ministrisë i referohet komunitetit LGBT (homoseksual, biseksual, transgjinor, ndërgjinor) si tërësi, apo organizatave specifike.

Në të është thënë se lëvizja ka treguar shenja të “aktivitetit ekstremist”, përfshirë nxitjen e “mosmarrëveshjeve sociale dhe fetare”.

Ndalesa mund ta bëjë komunitetin LGBT të cenueshëm ndaj gjyqeve penale.

Shpallja e një individi apo grupi si ekstremist, është përdorur në të kaluarën nga autoritetet ruse kundër organizatave për të drejta të njeriut dhe grupeve opozitare sikurse ajo e Aleksei Navalnyt, aktualisht në burg.

Gjykata Supreme duhet të japë vendim për mocionin deri më 30 nëntor.

Ndalesa e bën të pamundshme për organizatat LGBT që të operojnë dhe i vendosin aktivistët dhe punëtorët në rrezik të përndjekjes penale, ka thënë Moscow Ttimes, duke i cituar disa aktivistë LGBT, brenda Rusisë.

Analistët kanë sugjeruar se vendimi është populist, dhe i menduar për të fituar sa më shumë vota, para zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Presidenti aktual, Vladimir Putin, pritet ta fitojë edhe një mandat të pestë si president, ndonëse ende nuk e ka shpallur kandidaturën zyrtarisht.

Rusia nën Putinin e ka shtypur aktivizmin për komunitetin LGBT, të cilin ai e sheh si pjesë të sulmeve të Perëndimit ndaj “vlerave tradicionale ruse”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat