Protestat e dhunshme në periferi të Parisit, autoritetet franceze thirrje për qetësi

Evropë

Protestat e dhunshme në periferi të Parisit, autoritetet franceze thirrje për qetësi

Më: 28 qershor 2023 Në ora: 15:10
Paris

Qeveria e Francës bëri thirrje për qetësi pas shtimit të pranisë së forcave të policisë rreth Parisit dhe qyteteve të tjera të mëdha për shkak të dhunës që shpërtheu pasi policia qëlloi për vdekje një shofer 17 vjeçar. Incidenti ndodhi gjatë një kontrolli policor të makinës në Paris të martën.

Vrasja e 17 vjeçarit shkaktoi tensione midis banorëve të zemëruar që u vunë flakën barrikadave dhe policisë që gjuante protestuesit me gaz lotsjellës në rrugët e lagjes Nanterre në perëndim të Parisit.

“Pas kësaj drame, pas vdekjes së një të riu, ka patur disa akte dhune që unë i dënoj. Tridhjetë e një persona janë arrestuar nga policia kryesisht në Hauts-de-Seine, në Ile-de-France, kryesisht rreth lagjes Nanterre. Njëzet e katër policë janë plagosur dhe rreth 40 makina janë djegur”, tha ministri i brendshëm francez, Gerald Darmanin.

Oficeri i policisë, i cili qëlloi në drejtim të adoleshentit u arrestua nën akuzat për vrasje nga pakujdesia, sipas zyrës së prokurorit.

Një pasagjer, që ishte në makinë gjatë incidentit, u ndalua për një kohë të shkurtër dhe më pas u lirua, ndërsa policia tha se është në kërkim të një pasagjeri tjetër që u largua nga vendi i ngjarjes.

Banorët e lagjes, ku ndodhi incidenti, zhvilluan një protestë para stacionit së policisë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat