Skocia regjistroi 16 mijë vdekje më shumë se lindje në vitin 2022

Evropë

Skocia regjistroi 16 mijë vdekje më shumë se lindje në vitin 2022

Më: 15 mars 2023 Në ora: 00:39
Foto ilustrim

Sipas shifrave zyrtare, në Skoci gjatë vitit 2022 janë regjistruar pothuajse 16 mijë vdekje më shumë sesa lindje.

Regjistrimi Kombëtar i Skocisë (NRS) njoftoi se shifrat e përkohshme tregojnë se në vend gjatë vitit 2022 u regjistruan 62.942 vdekje dhe 46.959 lindje.

“Shifrat e fundit për muajin tetor deri në dhjetor tregojnë se kishte 16.857 vdekje, shifër 9,3 për qind më e lartë se mesatarja 5-vjeçare për këtë periudhë të vitit”, tha NRS-ja, shkruan Anadolu.

Shifrat treguan se kishte një rritje të vdekjeve për një sërë shkaqesh, përfshirë sëmundjet e frymëmarrjes të cilat ishin 8,7 për qind më të larta dhe koronavirusi që ishte shkaku kryesor i 353 vdekjeve gjatë tremujorit.

“Hendeku midis vdekjeve dhe lindjeve vazhdon periudhën e ndryshimeve natyrore negative, ku numri i vdekjeve tejkalon numrin e lindjeve, gjë që filloi në vitin 2015”, tha Julie Ramsay, statisticiane e ngjarjeve jetike në NRS.

Ajo theksoi se të kesh më pak lidje sesa vdekje në një popullsi referohet si një “ndryshim natyror negativ”, që do të thotë se popullsia do të bjerë pa “faktorë të jashtëm” siç është migrimi.

Sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, popullsia e Skocisë është 5.48 milionë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat