Ministri i Jashtëm bullgar vlerëson ngritjen e selisë së ABNA-SE në Sofje

Evropë

Ministri i Jashtëm bullgar vlerëson ngritjen e selisë së ABNA-SE në Sofje

Më: 23 shtator 2022 Në ora: 18:00
Foto ilustrim

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm të Bullgarisë, Nikollaj Milkov, mbajti fjalim në Samitin e Dytë për Informim dhe Demokraci të mbajtur me iniciativën e Francës në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 22 shtator në Nju Jork, njoftoi të premten Ministria e Jashtme bullgare. Nisma kërkon të identifikojë sesi dezinformimi minon qëndrueshmërinë e shoqërive demokratike, dhe të gjejë instrumente për të garantuar lirinë e medias.

Në fjalimin e tij në samit, Milkov theksoi se Bullgaria mbështet Nismën e Besimit në Gazetari në kuadër të Partneritetit për Informim dhe Demokraci.

"Përkeqësimi i vazhdueshëm i lirisë së medias në mbarë botën nuk është vetëm një tendencë alarmante kur bëhet fjalë për garantimin e lirisë së shprehjes, por një kërcënim serioz për mbrojtjen e të gjitha të drejtave të njeriut. Fatkeqësisht po kalojmë disa momente kur përpjekjet për të heshtur, kontrolluar organet e medias, ose frenuar të drejtën për informacion të besueshëm në të gjithë globin po përdoren si armë. Rritja e pashembullt e lajmeve të rreme gërryen pavarësinë dhe pluralizmin e mediave, dhe kështu, minon themelet e vetë demokracisë”, tha Milkov.

"Nga ana tjetër, ne shohim synimet e forta të komunitetit ndërkombëtar për të trajtuar përhapjen e fushatave të dezinformimit në mbarë botën. Më vjen mirë që Bullgaria është pjesë e këtyre përpjekjeve. Vendi im mirëpret dhe mbështet të gjitha angazhimet e përkushtuara për forcimin e bashkëpunimit për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve. Lidhur me këtë, ne jemi shumë të emocionuar që Asociacioni i Agjencive Ballkanike të Lajmeve dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE) do të ketë selinë në Sofje dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Bullgare të Lajmeve do të shërbejë si Sekretar i Përgjithshëm i saj për një periudhë trevjeçare. Udhëheqja e Agjencisë do të ketë si prioritet bashkëpunimin për luftimin e lajmeve të rreme”, tha ministri i Jashtëm bullgar.

Më tej ai theksoi se autoritetet bullgare po fokusohen në të njëjtat prioritete brenda vendit. “Në mes të pandemisë, ne miratuam një Plan Kombëtar me objektivat kryesore për të mbrojtur gazetarët nga kërcënimet dhe ngacmimet, duke përfshirë rritjen e transparencës në lidhje me hetimet; si dhe organizimi dhe financimi i mediave të shërbimit publik; dhe transparencën e pronësisë së mediave”, tha Milkov.

Ministri i Jashtëm bullgar tha se vendi është gjithashtu anëtar i Grupit të miqve për sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve dhe Koalicionit për Lirinë e Medias.

"Për më tepër, ne besojmë me vendosmëri se duhet të veprojmë tani, si dhe se qëllimet e Marrëveshjes së re për gazetarinë duhet të arrihen plotësisht nëse duam të ruajmë përparimin dhe vlerat tona të përbashkëta. Me këtë, kam kënaqësinë të njoftoj mbështetjen e Bullgarisë për Nismën e Besimit në Gazetari në kuadër të Partneritetit për Informim dhe Demokraci. Ne e konsiderojmë këtë iniciativë një tjetër bllok ndërtimi në avancimin e lirisë së medias, dekurajimin e gjuhës së urrejtjes dhe propagandës, në mënyrë që të kemi një shoqëri vërtet demokratike. Dëshiroj t'ju siguroj se Bullgaria do të vazhdojë të jetë e përkushtuar ndaj këtyre synimeve", tha Milkov, siç është cituar në komunikatën për shtyp.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat