Danimarka u revokon azilin sirianëve, 1000 persona protestuan përballë parlamentit kundër dëbimeve

Evropë

Danimarka u revokon azilin sirianëve, 1000 persona protestuan përballë parlamentit kundër dëbimeve

Më: 24 prill 2021 Në ora: 18:31
Danimarkë

Qindra persona morën pjesë në një tubim përballë parlamentit danez, pasi Danimarka u bë vendi i parë në Europë që po i revokon lejet e qëndrimit disa emigrantëve sirianë.

“Familja ime jeton këtu në Danimarkë, dhe nëse unë kthehem, në Siri nuk ka ligje që mund të më mbrojnë mua. Për shkak se babai im është shpallur në kërkim në Siri, sigurisht që unë do të arrestohem sapo të shkel atje dhe do të me detyrojnë të tregoj se ku ndodhet im atë, me qëllim që ta arrestojnë edhe atë”, thotë Faeza Satouf, studente infermierie.

Sipas ligjvënësve danezë, tashmë kryeqyteti i Sirisë, Damasku dhe rajonet përreth janë të sigurta dhe ata persona me leje qëndrimi të përkohshme duhet të kthehen në vendlindjen e tyre

“Nuk është qëllimi ynë që ata të jetojnë në këto qendra për një periudhë të gjatë. Është qëllimi ynë që t’u garantojmë kthimin në shtëpitë e tyre dhe që ata të japin kontribut në vendlindjet e tyre me aftësitë dhe edukimin e marrë këtu në Danimarkë”, tha Rasmus Storklund, deputet Social Demokrat në Parlamentin danez.

Një panel ekspertësh që kontribuuan në raportet mbi të cilat autoritetet daneze mbështesin vlerësimin e tyre dënuan keqpërdorimin e raportit, duke paralajmëruar që deportimet e detyruara bien ndesh me kthimin e sigurt të emigrantëve.

“Unë e di që kur sirianët erdhën këtu, atyre iu tha që kjo ishte për një periudhë të përkohshme, që do të qëndronin deri sa vendi i tyre të ishte sërish i sigurt, po a është Siria e sigurt? Vetëm Danimarka thotë një gjë të tillë”, thotë Gerda Abildgaard, vullnetare në Kryqin e Kuq.

Në raportin e OKB-së Siria kategorizohet si një vend në konflikt ku grupe të armatosura vazhdojnë të kryejnë sulme terroriste, teksa një pjesë e territorit vazhdon të kontrollohet nga ekstremistët islamikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat