Festë pa tubime në botë, incidente të shumta në Gjermani e Itali

Evropë

Festë pa tubime në botë, incidente të shumta në Gjermani e Itali

Më: 1 janar 2021 Në ora: 21:12
Gjermani

Festa e Vitit të Ri në vitin 2019 përfshiu ngjyra tradicionale dhe fishekzjarrë të shumtë që tërhoqën pas vetes mijëra njerëz nëpër ahengje për të shënuar orët e para të vitit 2020.

Mirëpo, kur fishekzjarrët ndizeshin dhe tapat e shampanjave shkonin përpjetë në qytetet si Sydney, Parisi, Berlini dhe New Yorku, lajmet nisën të përhapeshin se Kina po hetonte shenjat e para të asaj që u shndërrua në pandemi të koronavirusit.

Tani, me më shumë se 1 milion të vdekur dhe 82 milionë të infektuar, ceremonia e ndërrimit të moteve kaloi në heshtje, pa turma dhe në shumicën e qyteteve pa ndezje fishekzjarrësh.

Autoritetet bënë thirrje për festë nëpër shtëpi, me shpresën se fushata e vaksinimit do të mundësojë që festa e vitit të ardhshëm të jetë ashtu siç ishte një vit më parë.

Mirëpo, në ato raste kur njerëzit tentuan të marrin vetë situatën në dorë dhe të festojnë me fishekzjarrë, disa prej tyre përfunduan duke kërkuar ndihmë nga zjarrfikësit.

Vetëm gjashtë minuta pas mesnatës, shërbimi i zjarrfikësve në Berlin është telefonuar për 18 zjarre. Në këto incidente nuk ka pasur të lënduar.

Gjermanët zakonisht kanë dalë në rrugë për të ndezur fishekzjarrët, por autoritetet ndaluan përdorimin e tyre në 50 zona të Berlinit me qëllim që të shmangnin turmat e mëdha.

Pasi e patën të ndaluar përdorimin e fishekzjarrëve, disa banorë të Berlinit kanë tentuar t’i lëshojnë nga shtëpitë e tyre dhe kështu kanë shkaktuar zjarre të shumta nëpër shtëpi.

Në Itali, një 13-vjeçar ka humbur jetën dhe 79 të tjerë janë lënduar shkaku i fishekzjarrëve.

Fishekzjarrët në sheshet italiane ishin të ndaluar, por shumë njerëz i kanë ndezur nga shtëpitë.

13-vjeçari vdiq në spital pasi mori lëndime në abdomen.

Zjarrfikësit kanë ndërhyrë në 229 raste të lidhura me përdorimin e mjeteve piroteknike vetëm në natën e ndërrimit të moteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat