Miku më i madh që ka Kosova në Bukuresht - Bota Sot
Miku më i madh që ka Kosova në Bukuresht

Diaspora

E diel, 23 shtator 2018

Miku më i madh që ka Kosova në Bukuresht

Nga: Baki Ymeri Më: 9 korrik 2018 Në ora: 00:06
Kopertina

Zt. Tiberius Puiu është miku më i madh që ka Kosova në Bukuresht. Është autor i dhjetra artikujve për Shqipërinë dhe Kosovën në gjuhën rumune, ish këshilltar qeveritar, publicist dhe përkthyes nga mbi 20 gjuhë të huaja. Ka përkthyer dy vepra të Fahri Balliut dhe librin e ish ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Zt. Islam Lauka. Në njërin nga përurimet e librit të F. Balliut, Zt. Puiu ka deklaruar në Muzeun Nacional të Rumanisë, para kamerave të televizioneve rumune dhe para një auditorium të gjerë ku ishin prezentë dhjetra ambasadorë e diplomatë vendesh të huaja, se derisa rumunët e Basarabisë (Republika e Moldovës) shpëtuan nga kolonializmi rus më 1992, shqiptarët e Kosovës shpëtuan nga kolonializmi serb më 1999.

Organizuar nga Fundacioni Europian Titulescu, para një auditoriumi të përbërë nga anëtarë të trupës diplomatike të akredituar në Bukuresht, ish ambasadorë, profesorë, juristë, studentë, gazetarë, para disa vitesh u përurua në Bukuresht libri i Dr. Islam Laukës, “Kosova, rast universal apo sui generis”. Moderator i këtij manifestimi të rëndësishëm ishte Prof. univ. dr. Adrian Nastase, ish kryeministër dhe president i fundacionit respektiv. Raportorë: Oana Popescu, drejtore e Global Focus Center, ambasadorë, si Vasile Simleanu, Ion Diaconu, Nitu Vasile, Leca Vasile. Ishin prezentë: Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shqipërisë në Rumani, Zt. Sami Shiba, kryeveterani i komunitetit të këtushëm shqiptar, Dr. Xhelku Maksuti, ish ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Gheorghe Micu, ish shefi i Zyrës rumune në Kosovë, Gheorghe Bucura, shqiptarë dhe miq të Fondacionit Titulescu.

Ligjëruesja, Oana Popescu, drejtore e Global Focus Center, autore e parathënies së librit, theksoi përpos të tjerash, se Rumania të mos mbetet pas në vlerësimin e saj për Kosovën, duke kritikuar qëndrimin absurd që ka  Rumania në politikën e jashtme për njohjen e Kosovës në nivelet e larta, duke përshëndetur qëndrimet pozitive të Kryeministrit Victor Ponta që pat deklaruar para autoriteteve amerikane (2014), gjoja se Rumania do ta njohë pavarësinë e Kosovës pas një viti (2015), por Ponta ra nga pushtetit dhe Kosova mbet e panjohur sot e kësaj dite. Vlen t’i ripërkujtojmë qëndrimet banale të ish presidentit Basescu për mosnjohjen e saj, gjoja se, sipas tij, mosnjohja e Kosovës shkon në favor të interesave kombëtare të Rumanisë!

Prof. Ion Diaconu, në fjalën e tij, perveç të tjerave u perpoq nëpërmjet argumentimeve të tij, të legjitimojë qëndrimin e deritanishëm të Rumanisë ndaj problemit të Kosovës. Sipas tij, megjithatë, Rumania nuk duhet të mbetet vendi i fundit që duhet të njohë Kosovën, sepse interesi i Rumanisë është që të dy shtetet: Serbia dhe Kosova të jenë pjesë e familjes europiane. Vasile Simileanu, Drejtor i revistës “Gjeopolitika”, bëri dallimin, përmes paralelizmit midis marrëdhënieve të etnikëve hungarezë dhe rumunëve e shqiptarëve të Kosovës me serbët, se në Kosovë ishte fjala për shpërbërjen e një shteti federativ, kurse në Rumani kemi të bëjmë me një shtet nacional.

Përkthyesi i librit, Tiberius Puiu, i njohur si publicist për qëndrimet proshqiptare, në fjalën e tij vuri në dukje se shumë nga qëndrimet proserbe të Rumanisë bëjnë pjesë në një mit të rremë se, kinse miqtë e vërtetë të Rumanisë janë serbët, dhe se gjithçka që është dhënë për Kosovën në shtyp dhe për opinionin publik rumun, ka ardhur nga Serbia. Zoti Puiu kritikoi si të pavërteta teoritë se shqiptarët paskan migruar në trevat serbe, duke dhënë argumente se shqiptarët ishin popullsia e tretë nën ish-Jugosllavi, dhe se janë një popull autokton me një lashtësi bimilenare në ato treva.

Ish-Kryeministri i Rumanisë, Adrian Nastase, në përmbyllje të takimit, tha se “Rumania, mbase jo në respektim të të drejtës ndërkombëtare, por si një qëndrim politik, duhet ta njohë shtetin e Kosovës". Sipas mendimit tonë, qëllimi i këtij manifestimit ishte për ta njohur Kosovën në dritën objektive. Krahasimi i Kosovës me Transilvaninë është i gabuar. Qeveria serbe tallet me pasurinë e rumunëve të Vojvodinës, kurse rumunët ende nuk janë zgjuar nga gjumi letargjik si pasojë e propagandave serbe me karakter antikosovar.

Interesat nacionale të këtij vendi ndërlidhen me  Europën e Amerikën, e jo me kriminelët e Millosheviqit që e mbushën Kosovën dhe Bosnjën me varreza masive. Nuk është e vërtetë gënjeshtra gjoja se në rastin e Kosovës qenka shkelur e drejta ndërkombëtare, siç trumbetojnë disa ish komunistë të këtij vendi. Zoti e bekon Kosovën edhe në Bukuresht. Themi ditë e madhe për Kosovën në Bukuresht, edhe pse këto ditë i ka organizuar për herë të parë Dr. Xhelku Maksuti (31 mars 1999), dhe autori i këtij shkrimi përmes një serë lansimesh publike me krijues nga Kosova, si dhe përmes organizimit të Tryezës së Miqësisë së Kosovës me Bukureshtin.

Sa herë që e viziton Shqipërinë apo Kosovën, me lekët e honorarit të veprave të përkthyera, Zt. Tiberius Puiu blen libra që trajtojnë subjektet shqiptare. Ky njeri banon në lagjën time, dhe sa herë shihemi në shtëpinë e tij të mbushur me rafte librash, bisedon vetëm për shqiptarët dhe Shqipërinë. Zt. Puiu sakrifikon kohën, shëndetin dhe paratë për afirmimin tonë në një vend që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Më shumë lidhur me preokupimet dhe dashurinë e tij ndaj kombit, historisë dhe kulturës shqiptare, keni mundësi të njiheni nëpërmjet intervistës që ia ka dhënë Televizionit Shqiptar.

Intervistë e Zt. Tiberius Puiu për Televizionin Shqiptar

Ju jeni përkthyesi i monografisë “Zonja e zezë” në gjuhën rumune. Si ishte për ju puna për përkthimin e këtij libri?

E kam blerë librin në Tiranë para disa vitesh, dhe mu duk fort interesant. E njihja, disi nga larg realitetin shqiptar (kam qenë i abonuar nga viti 1975 deri më 1990 në Zëri i popullit), dhe dëshiroja të di më shumë për historinë e këtij vendi. Deri atëherë pata shkruar artikuj të ndryshëm për komunizmin shqiptar, botuar në shtypin e Rumanisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë (sidomos mbi subjektin Kosova, por për shembull kam botuar edhe një reçension të gjerë për librin e Pjetër Pepës – Dosja e diktaturës). Përndryshe, me rastin e asaj vizite në Tiranë, i dhash një intervistë gazetës Koha jonë, në të cilën deklaroja se dëshiroj ta shkruaj një histori të Shqipëroisë. Vetëm se ky libër i Zotit Fahri Balliu më rrëmbeu dhe arrita në konkluzion se është, së paku deri tani, jo vetëm një vepër e mirë letrare, por vepra më e mirë e komunizmit shqiptar. Kështu u përpoqa ta kontaktoj autorin për të marrë pëlqimin e tij për përkthimin e librit, dhe me këtë rast i falënderoj për besimin që ma akordoi. Është evident se fjalori i gjuhës shqipe, i përvetësuar përmes Zërit të popullit (kursim, kursim, në një dorë pushkën, në tjetrën kazmën, etj.) nuk më ishte i mjaftuar, kështuqë disa herë kam përdorur për verifikimin e përkthimit tim edhe verisonin në gjuhën angleze. Më ka ndihmuar fakti se njihja shumë fakte nga historia e freskët e Shqipërisë dhe personalitetet respektive.

Si do ta gjykonit stilin e zt. Balliu, dhe rrëfimin e tij në këtë monografi?

E kam çmuar shumë stilin e Zotit Balliu dhe jam përpjekur t’ia përshtas sa më mirë lexuesit rumun. Nëse ky libër ka patur një jehonë të favorshme në Rumani, kjo i detyrohet në rradhë të parë stilit të autorit. Mund të them se për mua libri përfaqëson një konstrukcion solid, të cilit më dukej se nuk duhet shtuar asgjë dhe se nuk ka asgjë për mënjanim. Unë i kam bërë disa shënime që ishin të nevojshme për lexuesin rumun, për njohjen sa më të mirë të disa personazheve dhe rolit të tyre (evident, lexuesi shqiptar nuk kishte nevojë për një gjë të këtillë).

“Kritika rumune e quajti këtë libër një hetim të thellë të një universi politik që prodhon tmerr dhe hakmarrje. “Në këtë libër nuk është bota e intrigave florentine, por ajo e pasioneve klanore të kamufluara në një llafollogji dialektik”, thotë prof Tismaneanu. Për ju çfarë është ky libër? Nuk mund të ndalem vetëm te aspekti i vënë në pah i profesorit Tismaneanu. Një tjetër meritë e madhe e librit, qëndron në atë se na tregon gjëra që ishin të mundshme vetëm në një regjim totalitar, siç ishte ai komunist. Për atë mendoj se çdo studim lidhur me historinë e komunizmit duhet ta citojë librin e Zotit Balliu.

Shtypi rumun e ka krahasuar Nexhmije Hoxhën me Elena Çausheskun. Si do vleresoje këto dy personazhe në atë çfarë dhanë në historinë e vëndeve të tyre?

Nuk duhet të kuptohet se jemi kundër pjesëmarrjes së gruas në aktivitetin politik, por kjo nuk duhet bërë nën hijen e burrit, në bazë të autoritetit të tij. Kurse Nexhmije Hoxha, Elena Çaushesku, Jovanka Broz, Qian Zhi, nuk kishin asnjë meritë përveç asaj se ishin bashkëshortet e udhëheqësve. Nuk kemi asgjë që ngritet në politikë përmes meritave të saj.

Cili sipas jush duhet të jetë raporti që vëndet ish komuniste duhet të mbajnë me të shkuarën?

Mendoj se lufta kundër komunitmit nuk ka marrë fund derisa nuk do ta dëbojmë mentalitetin komunist që ka mbetur i rrënjosur te shumëkush prej nesh. Ne, rumunët, kemi një shembull të keq përmes asaj se edhepse zyrtarisht në kohën respektive është luftuar kulti i personalitetit, që nga kulti i Gjergjiu Dezhit kemi arritur te kulti I Çausheskut, që pothuajse e tejkalonte atë të Stalinit (që barazohej me atë të Enver Hoxhës).  Për fat të keq mendoj se në Rumani ende ekziston rreziku i një kulti të ri të udhëheqësit.

Si do ta vlerësoje letërsinë e vëndeve post-komuniste, duke u nisur nga Rumania apo Shqipëria?

Në të vërtetë mund të them se kam ndjekur dhe e ndjek në vazhdim literaturën, sa atë beletristike, po aq edhe atë dokumentare, nga ishvendet komuniste. Konsideroj se pothuajse të gjitha vendet kanë prurë kontribut në përshkrimin e terorit komunist. Me një përjashtim të veçantë: Rusia, ku sot e kësaj dite flitet gjithnjë e më pak për komunizëm, dhe Serbia, që jo rastësisht, faktikisht nuk ka bërë një shkëputje totale nga regjimi komunist.

Libri i Zt. Balliu është quajtur si një manual që duhet lexuar për të kuptuar filozofinë e një vëndi nën diktaturë. Sa sipas jush publiccistët apo intelektualët po bëjnë për të demaskuar të shkuarën e dhimbshme, siç ishte komunizmi?

Po, është një doracak i patologjisë komuniste dhe është bërë një punim bazë për studimin e komunizmit. Ndihmon për një kuptim më të mirë të teorisë dhe sidomos të praktikës komuniste. Intelektualët, publicistët, duhet të gjejnë format më të mira për të mbajtur zgjuar kujdesin e publikut të gjerë lidhur me gjurmat e lëna nga komunizmi në sjelljen dhe mentalitetinn tonë.

Zoti Puiu! Ju njiheni si një mik i madh i shqiptarëve të Kosovës. Si do ta vleresoje situatën aktuale në Kosovë pas pavarësisë?

Kam shkruar shumë për Kosovën. Gazeta Evenimenti i Ditës (Evenimentul Zilei), ka botuar deri tani dy faqe kushtuar qëndrimeve të mia lidhur me Kosovën. Sipas bindjes sime, Kosova ka në rradhë të parë nevojën të gjejë rrugët më të shpejta për zhvillimin e saj ekonomik. Natyrisht, unë nuk mund të jap këshilla, por vetëm them se kush ka të drejtë, por ndoshta se një luftë politike e brendshme tejet armiqësore, nuk shkon në favor të Kosovës. Pastaj, propaganda serbe është mjaftë aktive dhe ja se si pas 25-30 vitesh, Evropa ishte e terrorizuar nga mafitë serbe…

A mund të na thoni diçka më tepër mbi punën tuaj krijuese si përkthyes?

Kam përkthyer nga gjuha ruse, ukrainase, bjelloruse, sa punime letrare, po aq edhe çështje historike. Kam shkruar një histori të Ukrainës. Të gjitha ndërlidhen me periudhën komuniste, ngase unë mundohem të sjell kontribut për atë që ju kam ekspozuar më lart, njohja e manifestimeve të komunizmit mund të na ndihmojë të shërohemi nga kjo sëmurje me të cilën na kanë infektuar udhëheqësit që kanë përfituar nga ajo. Intencionoj të sjell në një libër aspekte të ndryshme nga historia e komunizmit në vendet ishkomuniste. Jam i entiziazmuar tani nga librat e një autori kinez, i vendosur në SHBA, i cili përshkruan në një libër luftën e Koresë dhe në tjetër revolucion kulturor (kohëve të funbdit kam qenë në Kore të Jugut dhe në Taivan). Ndoshta do ta shkruaj një një libër për Kosovën, pas një vizite që do ta bëj atje. Jam i interesuar për problematikën shqiptare. Do të ishte i dobishëm përkthimi i një libri për botën shpirtërore shqiptare, nuk e di nëse “Don Kishoti shqiptar” i korespondon këtij qëllimi (e kam në plan ta lexoj).

Ju falënderoj për rastin që më keni dhënë për të komunikuar me lexuesit tuaj! U dëshiroj një vit të ri, të lumtur e të gëzuar!

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test