Shoqata “Tradita” Organizoi Manifestimin Kulturor “Lidhja Na Bashkon”

Tetova

Shoqata “Tradita” Organizoi Manifestimin Kulturor “Lidhja Na Bashkon”

Më: 11 qershor 2016 Në ora: 19:21
Manifestimi

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” nga Tetova, më 10 qershor 2016, në  amfiteatrin e Fakultetit të Arteve të Universitetit  të Tetovës, e shënoi  njërën  prej datave më të rëndësishme të historisë së kombit tonë. Në-138 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, “Tradita” e organizoi edicionin e tretë me radhe të  Manifestimit kulturor tradicional “Lidhja na Bashkon”.

 Në këtë mënyrë, jo vetëm që e përkujtoi këtë datë të historisë sonë të lavdishme, por njëkohësisht i promovoi edhe vlerat kulturore të popullit tonë. Manifestimin e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” - Selam Sulejmani, i cili para pjesëmarrësve në këtë aktivitet kulturor theksoi se në historinë e kombit tonë ka disa data që kanë shënuar epokë.  Njëra prej tyre, pa dyshim është edhe Lidhja e Prizrenit, e mbajtur më 10 qershor të vitit 1878.

“Në 138-vjetorin e saj, ne sot të gjithë së bashku e shënojmë dhe e përkujtojmë këtë ngjarje historike nga më të rëndësishmet, e cila e dha kushtrimin e parë  për bashkimin e shqiptarëve rreth idesë së kombit. Ishte Lidhja e Prizrenit që ideoi lëvizjen e Rilindjes Kombëtare për lirinë e kombit shqiptar dhe për konsolidimin e Shqipërisë. Sot e kujtojmë veprimtarinë e rilindësve tanë, të patriotëve të vërtetë dhe të intelektualëve të mirëfilltë që e zgjuan kombin për të punuar për të ardhmen e tij, për ta shkruar gjuhën shqipe, për të hapur shkolla dhe për t’u bërë gati për realizimin e ëndrrës shekullore, për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur” - tha Selam Sulejmani.

Ai në fjalën e tij nënvijëzoi po ashtu se pas Lidhjes së Prizrenit dhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, historia shqiptare hyri në një fazë të re dhe se për  këto si dhe për zhvillimet e mëvonshme historike, e kanë thënë fjalën e tyre studiuesit e historiografisë sonë kombëtare.

Për rëndësinë historike të Lidhjes së Prizrenit, për ngjarjet dhe zhvillimet kronologjike që i paraprinë organizimit të saj si dhe për efektet e saj në rrjedhat e më vonshme historike, para të pranishmëve, e paraqiti referatin e tij tematik - Prof. Dr. Nebi Dervishi.

 Prof. Dervishi u shpreh se njëqind e tridhjetë e tetë vjet më parë, më 10 qershor 1878, në ditët e stuhishme të Krizës së madhe lindore, kur re të zeza ishin grumbulluar mbi qiellin e Shqipërisë, në qytetin e lashtë të Prizrenit u themelua organizata e parë e lëvizjes sonë kombëtare me karakter politik gjithëshqiptar, e cila me emrin Lidhja shqiptare ose Lidhja e Prizrenit ka hyrë në histori si një ngjarje e madhe historike, duke bërë një kthesë vendimtare në luftën për çlirimin kombëtar të popullit shqiptar dhe e cila, me rrjedhimet e saja objektive ndikoi mbi të gjitha periudhat e mëvonshme.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 138-vjetorin e së cilës e përkujtojmë sot dhe veprimtaria e saj në katër vitet e stuhishme të Krizës lindore, zë një vend nderi në panteonin e historisë. Ajo përbën një nga momentet kulmore e kthesë në historinë e lëvizjes kombëtare çlirimtare shqiptare, ku mbarë populli ynë u hodh në rrugën e guximshme të luftës së armëve e të mendimit për të flakur tej zgjedhën e huaj, për të siguruar të drejtën e tij themelore për liri e tokë, për drejtësi e përparim. Ajo përbën një nga ato ngjarje që i rrëmbejnë masat me thirrjen “Ja vdekje, ja liri”, i çojnë në barrikada, i bëjnë të marrin me vete vuajtjet dhe flijimin, për t’i çarë rrugë të reja së ardhmes, me bindje se, në mos vetë, do të jenë brezat e porsalindur që do të korrin fitore. Sot, kur po përkujtojmë këtë 138-vjetor të Lidhjes së Prizrenit, të gjithë shqiptarët në tërë rruzullin tokësor, me mirënjohje i japin vendin e nderit kësaj ngjarjeje kulmore dhe veprimtarëve të shquar të saj”, u shpreh profesor Nebi Dervishi.

Parë nga prizmi historik, ai më tej theksoi se “Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte organizata e parë politike dhe ushtarake mbarëshqiptare me frymëzim patriotik, e themeluar në Prizren më 10 qershor 1878, në kushtet e sundimit osman dhe të Krizës lindore, të viteve 70 të shek. XIX. Ajo mori përsipër të zgjidhte tri detyra themelore që shqetësonin në atë kohë opinionin e mbarë shqiptarëve: të afirmonte në arenën ndërkombëtare kombin shqiptar, si subjekt i të drejtave kombëtare; të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike shqiptare, të vendosur në Kongresin e Berlinit (13.06-13. 1878), në favor të monarkive  fqinje ballkanike; dhe  të realizonte bashkimin e mbarë trojeve autonome në kuadër të Perandorisë Osmane, si hap i parë për të krijuar shtetin shqiptar të pavarur dhe demokratik. Para formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shqiptarët kishin zhvilluar një mori kryengritjesh kundër zgjedhës osmane, por Porta e Lartë nuk kishte pranuar asnjë nga kërkesat e tyre kombëtare”, tha ndër të tjera historiani Nebi Dervishi.

Në përfundim të referatit të tij, ai nënvizoi se Lidhja e Prizrenit, me veprimtarinë e saj të shumanshme, provoi botërisht jo vetëm ekzistencën e kombit shqiptar të cilën e patën mohuar në atë kohë, por edhe se ai ishte liridashës, përparimdashës dhe i vendosur për të mbrojtur të drejtat e tij për të krijuar shtetin kombëtar.

Në kuadër të programit të Manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon”, u promovua vepra “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe çështja kombëtare sot”, e botuar nga Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” – Tetovë.

Në funksion të debatit shkencor, këndvështrimit të sotëm në raport me këtë ngjarje historike, Shoqata “Tradita” nga Tetova, vitin e kaluar (10 qershor 2015), e organizoi konferencën shkencore me temë “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe çështja kombëtare sot”.

Në këtë aktivitet shkencor, studiuesit nga Republika e Maqedonisë, nga Republika e Shqipërisë, nga Republika e Kosovës dhe nga Kosova Lindore, e  trajtuan në hollësi: luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë; këndvështrimin e studiuesve shqiptarë dhe të huaj; programin arsimor dhe kulturor; rolin dhe kontributin e kolonive shqiptare; qëndrimin e shteteve fqinje; rolin e shtypit shqiptar dhe të huaj, si dhe teza të tjera të argumentuara nga aspekti shkencor.

Profesor Xhelal Zejneli, njëri nga redaktorët e librit, tha se vlera e këtij libri është e jashtëzakonshme, për arsye se në kumtesat e përfshira në të, trajtohet njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë politike të kohës më të re të popullit shqiptar.

“Autorët e kumtesave të përfshirë në libër, vijnë pothuajse nga të gjitha trojet etnike shqiptare në Ballkan: nga Shqipëria, nga Kosova, nga Lugina e Preshevës, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi. Autorët e kumtesave janë persona kryesisht me tituj akademikë dhe ligjërues universitarë. Numri më i madh i tyre janë historianë të shquar, të cilët periudhën e Lidhjes së Prizrenit e kanë trajtuar me kompetencë. Në disa nga punimet që janë përfshirë në këtë vepër, periudha e Lidhjes së Prizrenit është shtjelluar në korrelacion të ngushtë me zhvillimet politike, ekonomike, sociale dhe kulturore në botën shqiptare, në faza të caktuara të shekullit XX, e sidomos në tre dhjetëvjeçarët e fundit”, vlerësoi profesor Xhelal Zejneli.

Në vijim të fjalës së tij, ai tha se në disa punime janë shtjelluar veprimtaritë kulturore dhe publicistike të rilindësve tanë, që i kanë prirë themelimit të Lidhjes.

“Është një studim që flet për veprimtarinë pedagogjike në rilindësve, që kishte ndikuar me të madhe në ndërgjegjësimin kombëtar të elitës politike dhe intelektuale të kohës, e cila në momentin historik vendimtar, do të vihet në krye të proceseve politike. Ka shkrime që dëshmojnë se puna e krerëve të Rilindjes kishte ushtruar ndikim ndërgjegjësues edhe mbi segmente të tjera të shoqërisë shqiptare. Në libër zbardhen me prova dhe argumente të reja edhe aktivitet kolosale të inteligjencies shqiptare nëpër kolonitë shqiptare në Stamboll, në Bukuresht, në Sofje, në Selanik, në Aleksandri, në Kajro, duke përfshirë më vonë edhe veprimin politik dhe publicistik të atdhetarëve tanë në Vjenë, në Bruksel, në Londër e deri në Boston të ShBA-së. Në këtë vështrim, është hedhur dritë edhe mbi korrespondencën midis arbëreshëve të Sicilisë dhe të Kalabrisë me rilindësit këndej Adriatikut, gjithmonë në funksion të bërjes së Shqipërisë në kufijtë etnikë”, theksoi profesor Xhelal Zejneli, redaktor i librit.

Shoqata për kulturë dhe art Tradita, në vitin 2014 e  themeloi Çmimin kombëtar “Ali Vishko” dhe në përputhje me Rregulloren e saj, këtë çmim ua ndan personaliteteve nga vendi, rajoni dhe bota, në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit. Me rastin e shpalljes të laureatit të këtij viti, kryetari i shoqatës Selam Sulejmani deklaroi se pas shpalljes së konkursit dhe shqyrtimit të propozimeve të arritura, Komisioni përkatës i përbërë nga: Prof. Dr. Avzi Mustafa, kryetar, Doc. Dr. Salajdin Salihu, anëtar dhe Prof. Xhelal Zejneli anëtar, vendosi që Çmimi kombëtar “Ali Vishko”, për vitin 2016 t’i ndahet Prof. Dr. Remzi Nesimit, me motivacionin për veprimtari jetësore dhe të arritura të veçanta në fushën e shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare .

Kryetari i komisionit Prof. Dr. Avzi Mustafa e lexoi referatin për ndarjen e këtij çmimi, Prof. Dr. Remzi Nesimit. Në pasqyrimin e veprimtarisë së laureatit të vitit 2016, profesor Avzi Mustafa theksoi se bujare është pasqyra krijuese e njeriut-institucion, i cili ka një depozitë historike në albanologjinë, filologjinë, drejtshkrimin, gramatikën dhe në shumë nëndisiplina të tjera gjuhësore.

“Më se gjysmë shekulli, përkatësisht që nga vitet e 60-ta të shekullit të kaluar, me përkushtim e vetëmohim prof. Remziu ka punuar e po punon për ngritjen e përgjithshme arsimore e kulturore dhe të vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar në Maqedoni e më gjerë, për të lëvruar, kodifikuar dhe përpunuar shqipen standarde. Me një fjalë, me veprimtarinë e shumanshme, profesor Remziu po jep ndihmesë të madhe për të ngritur gjithnjë e më lart piramidën e përbashkët kombëtare. Gjuhëtari ynë ka përfaqësuar arritjet shkencore në fushë të shqipes në Maqedoni, duke marrë pjesë aktive në shumë tubime, seminare, simpoziume e konferenca shkencore të organizuara në vend dhe jashtë tij. Kështu, në Kongresin e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ishte delegat dhe anëtar i komisionit organizues; bashkëkryetar i Konferencës shkencore për shënimin e 20-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, që u mbajt në Tetovë në qershor të vitit 1992; anëtar i Këshillit ndërakademik për gjuhën shqipe (themeluar në 27 tetor 2004 në Tiranë në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës) etj”, tha mes tjerash kryetari i komisionit për ndarjen e çmimit të lartpërmendur.

Në mungesë të Prof. Dr. Remzi Nesimit, Çmimi kombëtar “Ali Vishko” iu dorëzua vajzës së tij, profesoreshës Valbona Toska, e cila njëherazi, para auditorit e lexoi letrën  falënderuese të profesor Remziut, ku mes tjerash shkruante:

“Më lejoni që në mungesë të prezencës sime mes jush, t’ju drejtohem me shkrim. Ka vite që unë, për arsye shëndetësore, nuk marr pjesë në manifestime të ndryshme, e madje edhe nëpër ato që ndërlidhen me mua. Ka vite që, po për këtë arsye, nuk merrem me veprimtari shkencore. Me vite unë nuk kryej ndonjë detyrë që do të paraqiste motiv interesi për dikë. Dhe, përkundër kësaj, pikërisht në këtë periudhë, individë dhe institucione të ndryshme vijojnë të vlerësojnë punën time shumëvjeçare. Për këtë, të gjithëve u jam shumë mirënjohës.

Shumë mirënjohës jam edhe sot për Çmimin kombëtar ,,Ali Vishko”. Falenderoj nga zemra kryetarin e Shoqatës për Kulturë dhe Art ,,Tradita”, z. Selam Sulejmani, kryetarin e Komisionit për ndarjen e këtij çmimi, të nderuarin, prof. dr. Avzi Mustafa dhe anëtarët e tjerë të Komisionit. Ky çmim për mua do të mbetet shumë i veçantë për disa arsye. Është çmim që mban emrin e kolegut dhe mikut tim të vjetër! Më nderon shoqata nga vendlindja ime, të cilën e kam në zemër! Çmimi lidhet me ngjarjen e lëvizjes më të rëndësishme historike gjithëkombëtare, Lidhjen e Prizrenit!

I përshëndes të gjithë të pranishmit, ua uroj përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, kurse Shoqatës i uroj ,,Tradita” të ngelë traditë e mirë”.

Po ashtu, në-138 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, Shoqata “Tradita”, për kontributin e veçantë në zhvillimin e kulturës, në kultivimin e traditave atdhetare, të gjuhës, të historisë, si dhe përkushtimin për arritjen e aspiratave kombëtare, u ndau mirënjohje : Festivalit ndërkombëtar të poezisë “Ditët e Naimit”, Bashkësisë Kulturore Shqiptare, Shoqërisë kulturore artistike “Xheladin Zeqiri”, Festivalit të folklorit burimor “Sharri Këndon”, Festivalit për fëmijë “Bletëzat”, Radio Shkupit, Klubit futbollistik “Shkëndija”, Teqesë “Harabati Baba” - Tetovë dhe Klubit të shkrimtarëve  “Oeneum”.

 

 

Edicioni i tretë i Manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon”, përfundoi me programin artistik në të cilin performuan artistët e njohur: Elita Ziberi, Premtim Etemi, Shkëlzen Pajaziti, Dren Dervishi dhe Nuhi Musa.

Vlen të theksohet se Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” nga Tetova në vazhdimësi  angazhohet në organizimin e seminareve, tribunave, tryezave të rrumbullakëta dhe tubimeve të tjera me karakter kulturor, shkencor, artistik dhe informativ.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat