Mahnit bujaria e shqiptarit Ramadani në Zvicër: Jep pica gratis për të varfërit (Foto)

Diaspora

Mahnit bujaria e shqiptarit Ramadani në Zvicër: Jep pica gratis për të varfërit (Foto)

Nga: Fitim Dika Më: 19 maj 2016 Në ora: 12:12

Duket se imazhi i mirë i shqiptarëve në Zvicër nuk ka ndryshuar vetëm nga muzika dhe sporti në përgjithësi. Por edhe nga shumë biznesmenë të cilët me veprimet e tyre kanë mahnitur shumë media dhe njerëz të vendit alpik. Rasti i fundit që ka bërë bujë është me picerinë e Gino Ramadanit (39), i cili, ka shkruar përpara restorantit të tij se “nëse ke uri dhe nuk ke mundësi ta paguash, atëherë mund të merrni një pice papagesë. Paratë mund ti ktheni më vonë, por edhe nëse s’keni mundësi, atëherë nuk ka nevojë ti ktheni- askush nuk duhet të qëndrojë i uritur”

Pizzeria Toscana e 39 vjeçarit ndodhet në Greifensee ZH.

«Dua të bëj diçka, që ti gëzonte njerëzit. Kanë ndodhur shumë gjera negative. Unë vetë kam jetuar në kushte të varfëra, ndërsa sot më shkon biznesi mirë. Si shumicës. Kemi mjaft për të hëngër dhe për të pirë. Këtë dua ta ndaj edhe me tjerët,” thotë 39 vjeçari për blick.ch, përcjell botasot.info.

Idenë ai e ka marrë nga të afërmit në Gjermani. Bashkëshortja e tij fillimisht ka qenë skeptike mbi idenë, por së fundi duket se i ka pëlqyer.

“Mendoja se te ne nuk ka persona të varfër për t’i shërbyer me pica gratis. Megjithatë paskam gabuar,” thotë Elvira Ramadani (36). Varfëri në Zvicër ka më shumë sesa mund ta mendosh.

Rreth 35 persona e kanë shfrytëzuar rastin për ushqim gratis për të varfërit, ndërsa asnjë sosh nuk ka qenë pa çati mbi kokë.

“Një familje me tre fëmijë ishin për ushqim te ne. Ata hëngrën pak dhe nuk morrën për të pirë. Më pas erdhi babai për të paguar, duke më thënë se prej nëntë vitesh nuk kishte qenë në restorant. Normalisht se edhe atyre ua dhash gratis,” tha ai me mirësjellje. “Unë i thash atij, një herë në muaj mund të vish dhe të mos paguash.”
Reakcionet e para janë tepër pozitive. Kanë filluar edhe lëvdatat përmes rrjeteve sociale madje ka edhe njerëz që duan të ndihmojnë familjen Ramadani për të mbajtur këtë ofertë, përcjell albinfo.ch. Me mijëra veta kanë shpërndarë dhe kanë pëlqyer idenë e tij. Një grua e cila me familje e saj nuk kishte ngrënë në restorant dhe as kishte bërë pushme për 14 vjet, kishte qarë nga emocionet kur i ishte ofruar kjo ofertë.

Nuk duhet të kesh frikë nga oferta

Ka persona të cilat duan të dhurojnë për njerëzit në nevojë. Andaj nuk duhet të kesh frikë nga një ofertë e tillë. Por gjithashtu nuk duhet të jesh naiv.
“Mund të ndodh që kjo të keqpërdoret, por nuk duhet të përbëjë argument për të na evituar nga të vepruarit mirë.”/Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat