Latifi: Rugova luftoi kundër pohimeve anti-shqiptare

Diaspora

Latifi: Rugova luftoi kundër pohimeve anti-shqiptare

Më: 4 shkurt 2016 Në ora: 22:12

Kryetari i degës së LDK-së në Zvicër, Haki Latifi në Akademi përkujtimore për Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova përshëndeti me një fjalë rasti anëtari i kryesisë së LDK-së, deputeti i Parlamentit të Kosovës dhe Komandanti i kosharës Heroike Anton Quni.

Latifi në fjalimin e tij ka thënë se përkujtimi për Presidentin Dr.Ibrahim Rugova, ka rikthyer dhembjen edhe njëherë dhjetë vite më pas duke shprehur rrespektin e madh për veprën e tij, për jetën e tij, përkushtimin e tij për lirinë pavarësinë, dhe demokracinë e Kosovës dhe për të gjitha që gjatë kohës së tij e bëri për Kosovën.

Fjalë rasti në dhjetë vjetorin e vdekjës së Presidentit Dr.Ibrahim Rugova

"I nderuari anëtar i kryesisë së LDK-së dhe deputet i Parlamentit të Kosovës z. Anton Quni;
I nderuari deputet i Parlamentit të Kosovës z. Sali Morina;
E nderuara deputete e Parlamentit të Kosovës dhe e bija e lajmëtarit të lirisë Enver Malokut zonja Dorontina Maloku;
Të nderuar kryetar të subjekteve të organizuara në Zvicër, Kryetar të Shoqatave Shqiptare në Zvicër;
Të nderuar familje të dëshmorëve;
Të nderuara përfaqësues të mediave;

Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Degës, kryetar dhe anëtarë të kryesive të nëndegëve, Forumit të Gruas dhe Forumit Rinor të degës së LDK-së, veprimtarë dhe simpatizantë të LDK-së;
Zonja dhe zotrinjë,

Kam nderin që në emër të Degës së LDK-së në Zvicër, t'ju falenderojmë për pjesmarrjen t`uaj në këtë Akademi përkujtimore, që së bashku t'a shenojmë përvjetorin e dhjetë të shuarjës fizike të Presidentit tonë historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.

Sot e nderojmë Presidentin Dr.Ibrahim Rugovën si prijësin e popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe si kreatorin institucional të pavarësisë së Kosovës. Ai e mori gjithë dashurinë, shpresën, gjithë besimin e qytetarëve të Kosovës, ai e mori edhe respektin e pafund të botës demokratike. Duke i pasur me vete këto vullnete vepra e tij u bë vepër për Kosovën. Prandaj, ajo nuk është vetëm vepër e kryer por është edhe një trashëgimi politike dhe konstitucionale për Kosovën edhe sot edhe nesër, duke e rrespektuar edhe si dijetar edhe si filozof edhe si prijës shpirtëror të Republikës së Kosovës.

Përkujtimi për Presidentin Dr.Ibrahim Rugova, ka rikthyer dhembjen edhe njëherë dhjetë vite më pas duke shprehur rrespektin e madh për veprën e tij, për jetën e tij, përkushtimin e tij për lirinë pavarësinë, dhe demokracinë e Kosovës dhe për të gjitha që gjatë kohës së tij e bëri për Kosovën.

Andaj 21 janari 2006 ishte goditje e rëndë për popullin dhe institucionet e Kosovës. Vdekja e hershme e Presidentit Rugova ishte goditja më e rëndë për popullin, në kohën kur më së shumti i duhej atij për t'i dalë në krye procesit të gjatë e të mundimshëm historik për pavarësinë e Kosovës.

Dr. Rugova ishte dijetari, studiuesi dhe letrari, duke na lënë një trashëgimi në themelet e dijes sonë. Ai në krye të popullit të tij erdhi si njeri i letrave, si shkrimtar, si akademik e intelektual dhe kur të tjerët bënin thirrje për luftë, ai bënte thirrje për paqe. Kur të tjerët bënin thirrje për ndarje, ai bënte thirrje për bashkim. Kur të tjerët bënin thirrje për urrejtje, ai bënte thirrje për dashuri. Fillimisht nuk u kuptua drejt, por koha po e dëshmon se lufta e armatosur ka qenë mjet i politikës paqësore, por mjet i fundit të cilin ka dashur ta shfrytëzoj në Kosovë për t’i realizuar qëllimet politike dhe idealet që qytetarët e Kosovës i kanë pasur.

Dr.Ibrahim Rugova si studiues i thellë i letërsisë dhe kulturës shqiptare, la një trashëgimi që rri në themelet e dijeve tona. Rugova dijetar doli në ballë të lëvizjes sonë të madhe për liri, pavarësi e demokraci, formoi Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe vuri bazat e shtetit modern të Kosovës. E gjithë kjo, në kohën e një pushtimi të egër e gjenocidial, në kohën e rrezikut permanent për zhbërjen fizike të popullit të tij të okupuar.

Në rrethanat çfarë ishim si komb Dr. Ibrahim Rugova u paraqit në skenën politike Kosovare ne momentin më të pikërishëm, vjen në historinë tonë kombëtare si një gjeni i vizionit kombëtar. Në fundin e viteve '80 dhe fillimin e viteve '90, Rugova i vetëm shpalli para kombit, Evropës dhe botës vizionin për Kosovën e pavarur. Këtë vizion, në atë kohë i papritur, Presidenti Rugova e hartoi dhe formësoi, duke lexuar dhe kuptuar më mirë se çdo kush tjetër shpirtin e shqiptarëve të Kosovës.

Sot ne e përkujtojmë kreatorin e pavarësisë së Kosovës, pa të cilin pavarësia e Shqipërisë e 1912 është gjysmake, e përkujtojmë si një prej presidentëve më të suksesshëm, si një prej njerëzve, që ka dhënë kontributin më të madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të një figure monumentale të shtetit tonë. Me këtë tregojmë që LDK me çdo kusht do të vazhdojë rrugën rugoviane, rrugën e cila është e orientuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës,në rrespektimin e institucioneve mbi baza që i ka vu presidenti Dr. Ibrahim Rugova, me një demokraci të mirëfilltë dhe mbi një liri të mirëfilltë për të gjithë qytetarët tanë. Ai, e zhveshi deri në lakuriqësi politiken e kamotshme serbe kundër-shqiptare e cila ishte çimentuar në qendrat botërore të vendosjes.

Sot, në këtë hark kohor, që mund të duket i shkurtër, e kuptojmë më së miri sa shumë i mungon shtetit të Kosovës njeriu që jetoi në kohën e tij, por vazhdimisht e projektoi dhe e përjetësoi të ardhmen, sikur të ishte duke e jetuar shumë vite para të gjallëve të tjerë, njeriu që vuri themelet e shtetit të Kosovës, duke i dhënë zë kudo në botë dhe duke mbledhur e kthyer me sy prej nesh shtetet dhe liderët më të fuqishëm të globit, njeriu që deri në frymën e fundit nuk u ndal së punuari për ëndrrën e madhe të të gjithë shqiptarëve - lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, njeriu që për dekada, breza, e shekuj do të kujtohet si Presidenti Historik i Kosovës.

Në këtë funksion Ai vazhdonte ta potenconte miqësinë dhe politikën e bashkëpunimit me SHBA dhe vendet evropiane nga të cilat vazhdimisht kërkonte pranimin formal të pavarësisë së Kosovës. Si askush tjetër, Dr. Ibrahim Rugova i paraqiti botës përdhunimin historik të kombit shqiptar dhe bota me në fund e dëgjoi dhe filloi të interesohej për tragjedinë që po ndodhte në Kosovë. Me urtinë e tij të madhe, Dr. Ibrahim Rugova luftoi kundër pohimeve anti-shqiptare të të gjithë atyre që i paraqisnin shqiptarët si të egjër, dhe si njerëz jo të zotët për vet-qeverisje.
Të nderuar Zonja dhe zotrinjë,

Në këtë dhjetëvjetor të vdekjes të liderit dhe të udhëheqësit të parë historik të Kosovës të Vizionit të tij na bën që të nderojmë dhe të kujtojmë me respektin më të madh liderin, arkitektin dhe udhëheqësin, i cili e orientoi popullin tonë dhe vendin tonë drejt vlerave properëndimore dhe drejt miqësisë së përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti Historik i Kosovës dr.Ibrahim Rugova është dekoruar me shumë çmime ndërkombëtare për paqe, kundër diskriminimit, për tolerancë, për demokraci dhe angazhim për lirinë e popullit të tij të shtypur.

Dr. Ibrahim Rugova meriton vlerësim të veçantë për aftësinë e tij për të krijuar shumë miq të Kosovës e të pavarësisë së saj, në të katër anët e botës, andaj edhe nga bota e amshimit, presidenti Rugova mund të quhet engjëll mbrojtës i Kosovës.

Ai ishte burrë shteti i madh i të gjitha kohërave për shqiptarët, ishte lidhja e dy shekujve për së gjalli. Shekulli që nisi luftën për Lirinë e Kosovës dhe shekullin që ndërtoi Lirinë dhe Demokracinë e Kosovës, ishte vizionari i pavarësisë së Kosovës, e tërë filozofia politike e Dr. Rugovës ishte e ndërtuar në ruajtjen e qenies shqiptare në Kosovë që me vizionin e tij largpamës, me këmbëngulje, me guxim dhe me trimëri bëri që Kosova të jetë emër i njohur në institucionet më të larta ndërkombëtare. Me vizionin e tij arriti që të jetë njeriu më i dashur për shqiptarët dhe personaliteti me i adhuruar edhe për popujt tjerë të Evropës dhe të botës. Ai, mbetet modeli unikal i urtësisë por, brenda urtësisë së tij të pashembullt gjendej vendosmëria dhe këmbëngulja e pa shoqe për të realizuar qëllimet e kombit shqiptarë.

Ai me vizionin e tij politik që i buronte nga thellësia e dijës së mirëfilltë, e guximit qytetar u shndërrua në emblemë të lëvizjes politike të shqiptarëve, në të cilën ia hapi derën paqës, si kundërpeshë për terrorin afër qindvjeçar kundër shqiptarëve të Kosovës, duke bërë pokështu që lëvizja e përgjithshme e rezistencës të identifikohet si lëvizje e modelit sui generis në Evropë. Ai më së miri artikuloi qëndrimin politik të shqiptarëve dhe të popullit të Kosovës për liri dhe demokraci, në kërkesë dhe këmbëngulësi kreative për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Në historinë tonë shqiptare në mesin e dy ose tre ikonave të shqiptarisë është dhe do të mbetet Ibrahim Rugova. Dihet se në vetëdijen tonë zë vend Skënderbeu si më i madhi i historisë sonë kombëtare. Por Rugova mësoi edhe nga gabimet e Skënderbeut dhe i dha popullit shqiptar, sidomos Kosovës, modelin e një qëndrese, e cila nuk do ta boshatiste atdheun nga bijtë e bijat e veta. Siq dihet nga historia jonë kombëtare fatkeqësisht pas vdekjes së Skëndërbeut apo pas rënjës së sistemit monist, shqiptarët u degdisën në dhe të huaj dhe u shpërndanë si zogjtë e korbit. Ibrahim Rugova, me veprën e tij e madje edhe me vdekjen e tij i grupoi shqiptarët dhe i bëri një, duke i frymëzuar ata për të realizuar një të ardhme të ndritur, në mesin e kombeve më të qytetërura të botës ndërsa është hera e parë në historinë tonë pas largimit nga dhuna fashiste serbo-sllave , shqiptarët kthehen sërish në trojet e veta stërgjyshore…

Ishte studiues dhe krijues burimor, njohës i thellë i traditës dhe kulturës sonë të lashtë, kritik letrar me aftësi të rralla shkoqitëse, njohuri të sakta, stil elegant, qëndrime gjithnjë pozitive dhe optimiste për kontekstin shoqëror dhe hapësinor shqiptar. Mbi të gjitha ishte strategu i politikës paqësore, do të thoja edhe më tepër, Profeti i Paqes, Gandi i ditëve tona në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, njeri i cili shkencën, kulturën, artin, jetën e vuri në shërbim të politikës, ndërsa politikën në shërbim të të mirës së përbashkët, duke dëshmuar kështu një stil të ri tejet human të politikës paqësore dhe jodhunore.

Presidenti Rugova do të skalitet në ndërgjegjen e popullit shqiptarë dhe vendeve mike të Popullit shqiptar si Lider historik i pavarësisë së Kosovës. Dhe kishte shumë të drejtë presidenti Dr. Ibrahim Rugova, prandaj është lider historik duke rikujtuar thënjën e tij prej Urtaku se;

"Duhet t'i tregojmë botës se ne dimë dhe mund të mbajmë shtet".
Të gjithë jemi të vetëdishëm se njeriu vdes, por veprat nuk vdesin. Ato mbeten dëshmitë më të mira të jetës në kohë e hapësirë, me të cilat gjithmonë do të rikthejmë kujtesën tonë ndaj emrave siq ishte Presidenti Rugova që la gjurmë dhe që kontriboj për ngritjën e vetëdijës kombëtare dhe themelimin e shtetit të Kosovës.
I doktoruar në fushën e letërsisë, dr. Ibrahim Rugova, ishte presidenti i parë i Kosovës dhe udhëheqësi 16 vjeçar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Bashkëpunimi i degës së LDK-së në Zvicër me Kryetarin Rugova ishte i natyrshëm në të cilën sa herë udhëtonte në takimet e tij zyrtare për të informuar kancelaritë e botë për nevojën e ngutshme të zgjidhjës së çështjës së Kosovës, Ai u kthente dhe e vizitonte degën e LDK-së në Zvicër . Ishte një nder i veçant për degën e LDK- së në Zvicër takimet që zhvillonte me të, ishte shtëpia e dytë e Tij pas asaj në Prishtinë. Mënyra e veprimit të sajë e bërë sipas udhëzimeve të kryetarit Rugova hasi në simpati dhe përkrahje të qytetarëve zviceran. Kjo ishte mënyra e hapjes së mundësive të veprimit e cila bënte pjesë në doktrinën e dr. Rugovës, doktrinë e cila i angazhonte te gjitha energjitë pozitive, potencialet egzistuese dhe veprimet mobilizuese. Ne kemi qenë veprimtarë qe e kemi zbatuar politika dhe pjesë të vizionit të Ibrahim Rugovës sepse figura e tij, vizioni i tij, madhështia e tij nuk ka lënë shumë hapësirë as të mendosh shumë e as të debatosh shumë sepse ai ka qenë një hap të madh para çdo kujt jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë. Dega e LDK në Zvicër mbetet e përcaktuar për veprimtari institucionale e cila do të veprojë me urtësi në ruajtje të unitetit dhe institucioneve të cilat i krijuam me shumë mund, njëherit do të vazhdojë ti qëndroje besnike filozofisë politike të Presidentit Rugova dhe do të mbetet e vëmendshme që ti ruajë miqt të cilët i krijoi Presidenti Rugova.

Dr.Ibrahim Rugova fill i vetëm, me forcën e mendjes dhe me të vetmen armë – fjalën, i fitoi të gjitha betejat, i mposhti të gjithë armiqtë, i lumturoi të gjithë miqtë, e arriti atë që e kishte synuar dhe, shkoi…, duke lënë prapa mungesën e frikshme, brenda së cilës po ballafaqohemi me rrezikun e shterjes së guximit për ta thënë të vërtetën dhe të drejtën.

Ai ishte figura që rrezatoi siguri e shpresë gjatë gjithë rrugës sa udhëhoqi Kosovën. Ai i priu një ideali historik. Vepra e tij do të mbetët shembull i një karakteri të veçantë.

Andaj të nderuar pjesëmarrës të këti tubimi përkujtimor, zëri i Ibrahim Rugovës ishte një zë i popullit të Kosovës dhe shprehje apo shpalosje e identitetit tonë andaj edhe i mbetemi borxh vizionit të tij për ta ndërtuar lirinë dhe shtetin që tash e kemi.

Lavdi jetës dhe veprës së Kryetarit Dr. Ibrahim Rugova.
Zoti e bekoft shpirtin Dr. Ibrahim Rugovës!", ka thënë Latifi./A.M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat