Mbaroi turneu futbollistik në St Gallen

Diaspora

Mbaroi turneu futbollistik në St Gallen

Nga: Fitim Dika Më: 2 shkurt 2016 Në ora: 13:18

Me iniciativën e klubin shqiptar të futbollit, FC Besa, 56 ekipe të Zvicrës janë përballur gjatë fundjavës në St Gallen, me rastin e turneut tradicional. Një ekip që spikati gjatë turneut ishte edhe ai i kandidatëve shqiptarë që ishte edhe bashkim i forcave politike SP, FDP dhe CVP.

Në fund të muajit do mbahen zgjedhjet kantonale, 28 shkurt, ku do marrë pjesë edhe një vazjë shqiptare, Adelina Muhagjeri.

Adelina ka mbrojtur ngjyrat e kuqe të socialdemokratëve bashkë me Arber Bullakajn dhe Isuf Sherifin duke marrë pjesë në këtë turne me ekipin “Kandidatët Shqiptarë”. Sulmuesi i tyre ka qenë nga radhët e FDP-së, kandidati Egzon Zhuta dhe mesin e ka mbajtur i riu i CVP-së, Veton Rasaj. Kandidatët Shqiptarë nga ky turne janë ndarë me dy fitore dhe dy humbje, por të kënaqur me pjesëmarrjen dhe mikpritjen që kanë gjetur në mesin e shumë pjesëmarrësve të tjerë, shkruan albinfo, përcjell Bota sot.

“Si shqiptarë dhe për të mirën tonë, na duhet t`i përkrahim këta kandidatë dhe do t`i përkrahim duke i votuar”, thotë Gjergj Bibaj. „Unë dhe krejt rrethi ynë do të lobojmë në përkrahje të tyre“.

Në finale arritën dy klubet Ludovik GmbH dhe LH Cars, e cila, përfundoi me fitoren e Ludovikëve, 2:1. Ndeshja u zhvillua të dielën në mbrëmje. Vendi i tretë i takoi Grejzave, ndërsa për fair-play u shpërblye po e njejta ekipë.

Si në çdo kompeticion edhe këtu u shpall lojtari më i mirë, që i takoi ekipës së LH Cars, Rexhep Ibrahimit, ndërsa portieri më i mirë ishte Boban Antiç.

“Turneu ka kaluar në një atmosferë të vërtetë sportive duke u dalluar me një rritje të madhe të ekipeve pjesëmarrëse, gjegjësisht plot 56 ekipe të ndara në dy kategori; futbollistë aktivë dhe ekipe të firmave”, deklaroi për albinfo.ch presidenti i klubit, Muhamed Krasniqi.

Sipas Krasniqit, klubi futbollistik “Besa” ka një organizim të mirë që dallon për vite me radhë nga atmosfera festive dhe emocionale në lojë. „Ne kemi mbi 40 sponzorë që mbështesin Besën si njëri ndër ekipet më të vjetëra shqiptare në historinë e futbollit kampional të Zvicrës“, shprehet kryetari i klubit.

“Fair-Play është mbi gjitha dhe kjo tani po shihet”, deklaron sekretari i Fc Besës, Kushtrim Koprani. Pjesëmarrësit janë vetëdijësuar dukshëm dhe luajnë futboll të pastër e pa ekcese, kultura e lojës në fushë ka ndryshuar shumë, sidomos tek futbollistët e rinj që pak a shumë i takojnë gjeneratës së tretë”, shprehet Koprani në bisedë me albinfo.ch.

Këta të rinj janë, sipas tij, po ashtu pasqyra e skuadrave shqiptare që luajnë në kampionatin zviceran duke treguar lojë të mirë dhe të disiplinuar. „Besa është skuadra e vetme në Zvicrën lindore të ligës së katërt që nuk ka pësuar asnjë humbje që pothuaj se një vit e gjysmë, kemi zhvilluar dhjetë lojë pa humbur“, thotë Koprani.

Në fjalimin përmbyllës, nga Isuf Sherifi u theksua:

Të dashur miq, simpatizantë dhe mbështetës të kandidaturës sime.

Kam kënaqësinë, që në emër timin personal, të familjes sime dhe Komitetit Mbështetës, të falënderoj përzemërsisht KF “BESA” në St. Gallen, për mundësinë e dhënë që të jem edhe unë, së bashku me kandidatë të tjerë shqiptarë, gjatë dy ditëve të turneut bashkë me qindra futbolldashës, nga ku edhe tematizuam aktualitetet politike helvetike. Mbështetja e tyre është edhe një ogur i mirë për bashkëpunimet tona në të ardhmen. Për fund, kryesisë, si dhe organizatorëve të KF “Besa” ju uroj suksese të mëtejme në ngjarje të tilla sportive!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat