Deklaratë e federatës panshqiptare të amerikës “Vatra” mbi situatën në Kosovë

Diaspora

Deklaratë e federatës panshqiptare të amerikës “Vatra” mbi situatën në Kosovë

Më: 19 nëntor 2015 Në ora: 14:35

Vatranët në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, si të gjithë shqiptarët në përgjithsi, janë të alarmuem për gjendjen kritike të krijueme në Kosovë.Pamjet e shëmtueme të dy ditëve të fundit, transmetue direkt nga Prishtina, nuk i ngjajshin nji vendi ku populli i lirë ka mendue se ka zgjedhë e dërgue ma të përshtatshmit me e udhëheqë drejt konsolidimit të shtetit dhe mirëqenjes së qytetarëvet, dhe ma të mirët për të përfaqsue interesat e tij në Parlament.

Kuvendi i ngjante ma tepër një arene sportive me tifozë të dalun kontrollit se sa një institucioni ku vendosen fatet e Kosovës, në kundërshtim me odat tradicionale të burravet, ku palët kundërshtuese ndigjoheshin me rend, argumentet shqyrtoheshin me gjakftoftësi dhe konfliktet zgjidheshin me arsye e drejtësi, si u ka hije njerëzve të civilizuem.
Pamjet jashtë Kuvendit sjellshin memorjen e kohëve jo të largëta të konfrontimevet me policët serbomalazez dhe nuk i ngjajshin një popull që i gëzohet lirisë së fitueme me aq shumë gjak e sakrifica.
Nuk mund të pajtohemi me metodat e dhunës me prirje anarkike të opozitës, që janë të papranueshme në nji shoqni të civilizueme, të dënueshme si antidemokratike dhe, në anë tjetër, komprometojnë randë kauzën të cilës don t’i dalë zot, sado kauzë e drejtë të jetë ajo.

Koalicioni qeveritar nuk i shpëton përgjegjësisë për situatën e krijueme që asht shkak i një dëshprimi shpërthyes. Korrupsioni i përhapun deri në rrethet ma të nalta qeveritare e parlamentare, zyrtarët e zgjedhun a të emnuem pasunohen “mbrenda natës”si me u pikë parja prej qiellit, ndërsa populli vorfnohet gjithnjë e ma tepër, papunësia rritet, rinija mbetet rrugëvet pa shpresë për të ardhmen dhe mija familjesh lëshojnë trojet e marrin arratinë, manipulimet politike dhe etja e teprueme për pushtet dhe për pasunim të pa kufi, janë disa nga ankesat e zashme të popullit, që asht sovrani të cilit duhet t’i shërbejnë zyrtarët, qofshin qeveritarë ose përfaqësuesa të tij në parlament.

Situata ka shkue tue u keqsue në vend që të përmirësohet dhe ka mbërrijtë në një nivel alarmues mbas nënshkrimit të dy marrëveshjeve që ka ba qeverija me Serbinë për “Zajednicat” dhe me Malin e Zi për përcaktimin e vijës kufitare. Opozita e akuzon qeverinë për lëshime të randa në dam të Kosovës, ndërsa qeverija pohon të kundërtën, dhe kështu çashtja ka kalue në Gjykatën Kushtetuese. Asht e arsyeshme që opozita të ketë durim dhe t’i japi kohë Gjykatës të veprojë.

Për të dalë nga situata e rrezikshme që asht krijue në Kosovë, mendojmë se, së pari, duhet të merret vendim dhe të organizohet sa ma shpejt një referendum për marrëveshjet, për të cilat populli duhet të informohet në mënyrë shumë të qartë dhe t’i kuptojë mirë, kështu që ai, sovrani, në kushte të qeta sigurije, të vendosi në se i pranon ose i shtyn ato për negociata të reja. Së dyti, të shqyrtohet me seriozitet mundësia e shkuemjes në zgjedhje të parakohshme.

Kemi shpresë se të gjithë faktorët politikë, për interesin e popullit e të shtetit të Kosovës, do të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe do të krijojnë klimën e gjakftoftësisë, që të ecet përpara drejt stabilitetit dhe përparimit të vendit e mirëqenjes së popullit. Këtë ua dëshirojmë me sinqeritetin tonë vëllaznor.
Kryesia (New York, 18 nandor 2015)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat