“Pushkë e re” e Plavë-Gucisë

Diaspora

“Pushkë e re” e Plavë-Gucisë

Nga: Ramiz LUSHAJ Më: 26 shtator 2015 Në ora: 15:37

E njëzet e shtata ditë e shtatorit do i ketë sëbashku të gjithë plavë-guciasit në Amerikë. Sipas traditës së vet do të manifestojnë në një “baçe” të madhe të FDR State Park të Nju Jorkut vlerat krahinore të vitalitetit të gjakut e të pragut të fismë, të kuvendimit të mirë, të kulturës të lartë, të sofrës së begatë…Se mos vetëm në këtë Piknik do të jenë sëbashku plavë-guciasit. Jo. Ata janë sëbashku dhe në një baçe të fshatit Martinaj në vendlindje, ku “gurët” e solidaritetit të plavë-guciasve po e ngrejnë nga themelet trojenike në kulme alpine kullën e Fadil Balidemaj, i cili vet i pesti, me familje të tij, jetonte me vështirësi jetike në një kasolle druni të atyhit.

Fadil Balidemaj kishte nevojë për Plavë-Gucinë e tij dhe Plavë-Gucia kishte nevojë për Fadil Balidemajn e vet. Ata ishin në një udhë, për një kauzë të përbashkët: Të mos mos braktiset trualli i tyre etnik.

Ndaj Fondacioni kombëtar, humanitar e kulturor i Plavë-Gucisë, me kryetar Alex Selimaj, e mbarti e burimoj si përgjegjësi e nismë të tij, të antarëve të vet, që kushdo e ndjente për akt atdhetarie e mirësie të kontribuonte sipas dëshirës e mundësisë së vet për të pasë flakë e tym dhe një oxhak trojenik në kullë të vet.

Ishte rast i veçantë ky i Fondacionit Plavë-Guci (FPG), pasi ndryshe nga çdo herë tjetër, do të ndihmonte për ngritjen e një kulle në vendlindjen e vet. I veçantë ishte dhe rasti i Fadil Balidemaj. Ndaj në pak kohë kalendarike mbi 80 plavë-gucias e treguan vetveten, ia ri-dëshmuan kohës vlerat e veta për atdhetari e bajemirë, duke mbledhë 20.570 USD. I nderuari të nderon.

Dollari për ngritje të kullës tande (e për të tilla kulla si e Fadil Balidemajt) është ma i mirë se dollari për “bukën” e restorantit, pasi kulla të jep nder e vlerë, kurse ajo bukë të jep pak vitamina e kënaqësi. Askush nuk e ka dollarin të tepërt po ata që nuk kontribuojnë në nisma të tilla gjithmonë janë të vonuar e të munguar. Ndaj nderim pë ata që janë në krye të listës për nga shumat, si Vasil Nikprelaj, Ismet Dedushaj, Bashkim Balidemaj e Dylber Kukaj që dhanë nga 1.000 USD secili prej tyre.

E kqyri listën e kontributorëve të publikueme në faqen e FPG e diçka më tërhjek vëmendje: Rexhep Gali Balidemaj, i martinas, mbi 90 vjeçar, ish i burgosur politik nga rregjimet sllave të Beogradit e Çetinës, i thirrun ndryshe: “Mandela i Plavë-Gucisë”, prej tokës së Amerikës i ka ba hisenik 500 USD.

Vet kryetari i Fondacionit Plavë-Guci, mjeshtri i fotografisë artistike, Alex Selimaj, i kullës së bukës të pastër e të nderave kulla, ka dhanë si gjithnjë shembullin e vet, 500 USD kontribut.

Dikush tjetër, mik i A. Selimajt, i jep 500 USD e do me mbetë anonim në nderen e tij, po këtë akt të dyfishtë ia njeh Zoti, genet e tij në brezni, toka e Plavë-Gucisë me kullën e re të humanitetit e dinjitetit plavë-gucias.

Secili nga 500 USD kanë dhanë dhe dy vllaznit Sadri Mehaj e Naser Mehaj, dy djemtë e Xhemë Sadrisë të Hotit,

Janë dhe dymbëdhjetë të tjerë që kanë dhanë nga 500 USD, si: Agim Rugova, Alexandër Vilajeti, Azem Hasangjekaj, Fadil Goçaj, Halil Hamëz Ahmetaj, Henry Gjonbalaj, Labinot Balidemaj, Nazmi Ahmetaj, Qazim Dedushaj, Sejdi Çelaj, Shkumbin Sadik Balidemaj e Xhevat Goçaj.

Nuk e di a po shkon e gjatë lista me rendit prapë emra, po ma mirë këta punëkryem se fjalët e mia. Ndaj po i shënoj dhe ata që kanë dhanë nga 300 USD si: Burim Vuçetaj, Haxhi Smajl Balidemaj, Joey Haxhi Hoti, Maksi Hoti, Sonny Vataj, Zeqir Xhafer Qosaj.

Edhe Nadzija Krçiç ka kontribue me 250 USD. Kontributor me 200 USD: Bajram Smajl Balidemaj, Beqir Avdi Dedushaj, Beqir Halil Hasangjekaj, Erjoll Kukaj, Gjovalin Nikçi, Renzo Koljenoviç, Sadik I. Balidemaj. Një tjetër bajemirë është dhe Xhevdet Qosaj me 150 USD.

Katërdhjetë e katër plavë-gucias të tjerë kanë dhanë nga 100 USD, ndër ta dhe Imer Mehaj i Hotit, që më vnoi në dijeni për këtë nismë të FPG e u ba shkak për penën time. Në listë po i shoh dhe dy Mehaj të tjerë: Isufin e Ukën. Më shkon syni tek ta e i përveçoj këta Mehajt e Hotit, pasi jemi nip e dajë ndërveti e, ndër Mehaj e kemi të parin tonë për fjalë e për punërat, Shaban Mehajn. Janë pesë Mehaj kontributor e më gëzon akti i tyre atdhetar e bajemirë, e më japin nderim kur shkruaj për këtë nismë të Fondacionit Plavë-Guci, të plavë-guciasve.

Në mes emrave bajemirë jam ka e shoh dhe atë të Naser Vuçetaj, i cili është emigrant në Zvicër, mjaft i lidhun me tokën e historinë e Plavë-Gucisë. Po fjalën e kam gjetkë. Kjo nismë i paska përfshirë dhe mërgimtarët në Europë. Don e mira e punës e shpirti i tyne me u ba pjesë e nismës dhe disa pasanikë plavë-gucias në Shqipëri e në Kosovë. A di pse them kështu? Në listën kontributore ka dhe nga ata bajemirë që nuk janë të krahinës së Plavë-Gucisë, sepse solidariteti nuk njeh kufi. E rëndësishme është pjesmarrja, akti, pasi dhe Smajl Hasangjekaj me 50 USD e Andi Sula me 20 USD e kanë krye misionin e vet për mirë.

Krahina e Plavë-Gucisë në historinë e vet e ka ngritë lart me pushkën e vet lavdinë e Kombit Shqiptar, pasi në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Lufta e Nokshiqit më 1879-1880, është Parathania e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorën e 1912-tës. Krahina e Plavë-Gucisë ka sakrifikue gjithmonë për lirinë e vet në luftë me sllavët, si në Masakrën genocidiale të Previsë 1912-1913 ku u martirizuan e u viktimizuen 700 plavë-gucias. Tashti po na duhen “pushkë të tjera” me e mbajt Plavë-Gucinë shqiptare me rranjë e degë kombëtare, me e ruejt nga asimilimi boshnjak e malazez, me i qëndrue fort spastrimit etnik nga politikat e shtetit të Malit të Zi e të kishës ortotokse sllave të Serbisë e Çetinës. Krejt Plavë-Gucia përnget si një “pashallek” me kullat-vila në truallin e saj etnik, paçka se shumica e tyre i presin vetëm për verime trojenikët e vet genetik. Po i duhet krahinës së Plavë-Gucisë e Kombit Shqiptar edhe kulla e Fadil Balidemajt në Martinaj. Nuk ka randësi katet e dhomat e saj, fakti se ajo kullë frymon Shqip, oxhaku i saj na tregon se aty jeton një familje etnike shqiptare, se ajo kullë ka simboliken e vet të unitetit e bajemirësisë shqiptare. Ajo kullë është një “pushkë e re” për Plavë-Gucinë. Një Pushkë Paqeje. Një Pushkë e shpirtit e qiellit të solidaritetit plavë-gucias. Një nga “pushkët e reja” që i duhen Plavë-Gucisë të sotme e të nesërme.

E, pas disa ditësh, kur Fondacioni Plavë-Guci, kur kompania martinase “Selca”, ta kenë përfundue kullën e Fadil Balidemajt kena me qitë pushkë të madhe paqeje, lumturimi e lartësimi shqiptar sa me u ndie deri në Çamëri e Preshëvë, deri në Ulqin e Sanxhak, deri në Shkup e ishullin e Sazanit. E, atëherë kanë me pyet Shqiptaria, Malet, Historia Koha e Sodit ka me jehonë për të Nesërmen Tonë:

-O ç’ka a pushka more?!
-O Plavë-Gucia ia ndërtoi kullën e re Fadil Balidemajt të Martinajve, more!
- O, iu rrit’të Ndera Plavë-Gucisë Shqiptare, moreee, o heeej!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat