Çfarë ndodh me azilkërkuesit e refuzuar

Diaspora

Çfarë ndodh me azilkërkuesit e refuzuar

Më: 25 shtator 2015 Në ora: 11:04

Azil në Gjermani përfitojnë njerëzit, që janë të përndjekur politikisht. Përsa i përket qytetarëve nga të ashtuquajturat "vende të sigurta të origjinës" Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë, (BAMFS), supozon se ata nuk janë të rrezikuar nga përndjekja politike. Kështu që kërkesa për azil është "dukshëm e pabazë", thuhet në § 29a të Ligjit të procedurës së azilit. Vitin e kaluar Serbia, Bosnja-Hercegovina dhe Maqedonia janë shpallur shtete të tilla, aktualisht po diskutohet për Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Megjithatë prej supozimit se kërkesa është e pajustifikuar, nuk shfuqizohet procedura e azilit në Gjermani. Detyra e autoriteteve për shqyrtimin e secilit rast vazhdon të mbetet. Azilkërkuesi duhet të dëgjohet dhe vazhdon të gëzojë të drejtën e ankimit kundër refuzimit të kërkesës për azil. Jurisiti Maximilian Pichl i organizatës për të drejtat e njeriut Pro Asyl thekson megjithatë se për njerëzit nga këto vende respektohen afate të tjera. Si rregull ata janë shumë të shkurtuara. Dhe shanset e suksesit të një ankese kundër vendimit janë minimale. Kuotat e njohjes së kërkesave për azil në gusht e demonstrojnë këtë qartë: nga Maqedonia 0,4 për qind të refugjatëve u është njohur e drejta për azil, nga Serbia 0,1, nga Shqipëria 0,2 dhe Kosova 0,3 për qind.

Azil, duldung dhe e drejta për punë

Nëse refuzohet aplikimi për azil i një personi, atij i jepet në Gjermani Duldung (qendrim i toleruar pëkohësisht). Duldung në të drejtën gjermane të qëndrimit do të thotë "pezullim i përkohshëm i dëbimit". Duldung jepet për një periudhë maksimale prej gjashtë muajsh, pas kësaj ai duhet rinovuar. Për personat me status Duldung ka rregulla të veçanta lidhur me mundësinë për të punuar.
Maximilian Pichl i Pro Asyl thotë se njerëzit nga këto vende shpesh janë të privuar nga çdo lloj pune. Autoritetet në këto raste nisen nga "këndvështrimi i politikës së migrimit". Në gjuhë të thjeshtë kjo do të thotë, të ashtuquajturit emigrantë ekonomikë nuk duhen joshur që të kërkojnë azil në Gjermani, me qëllim që në kohën që kanë Duldung të punojnë dhe të fitojnë para. Llogaria është e thjeshtë dhe e qartë, azilkërkuesve nga këto vende duhet t'u bëhet më e vështirë.

Çfarë ndodh pas refuzimit të kërkesës për azil?

Nëse ka një vendim përfundimtar negativ, autoritetet e imigracionit apo Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë (BAMF) përcakton afatin kohor, brenda të cilit duhet bërë largimi nga Gjermania. Këto afate arrijnë zakonisht deri në një muaj. Brenda kësaj periudhe, kështu është logjike, duhet bërë ndarja nga të njohurit, të rregullohen gjërat, të çregjistrohen fëmijët nga shkolla. Gjatë këtij afati paguhen madje akoma përfitimet sociale dhe personi gëzon sigurimin social në Gjermani.
Pas skadimit të afatit mund të bëhet dëbimi i detyruar, herët apo vonë në varësi të landit federal. Zakonisht nuk jepen data konkrete. Mund të ndodhë që policia ta kryejë dëbimin në mes të natës. Atëherë mbetet pak kohë për të mbledhur plaçkat, apo për të thënë lamtumirë. Sidomos për fëmijët, që shkojnë në shkollë në Gjermani dhe kanë shokë, një dëbim i tillë i papritur mund të jetë traumatizues, konstaton studimi i UNICEF-it "Vuajtje e heshtur" i vitit 2012.

Joshje për t'u larguar vullnetar

Autoritetet në Gjermani i këshillojnë azilkërkuesit e refuzuar që të largohen vullnetarisht. Ndryshime ka nga landi në land. Në Hamburg zyra e të huajve ka publikuar një llogaritje model në faqen e saj. Aty merren përsipër shpenzimet e udhëtimit, përmendet edhe mundësia e marrjes së një mbështetjeje të mëtejshme financiare për ushqim dhe për "lehtësimin e riintegrimit në vendin e origjinës", thuhet në faqen e internetit të zyrës së të huajve Hamburg. Shifra të sakta nuk jepen, ato janë të ndryshme nga rasti në rast, përgjigjet kjo zyrë.
Shifra konkrete jepen vetëm për rastin, nëse dikush nuk largohet vullnetarisht. Një biletë ajrore brenda Evropës mund të blihet për 150 euro, nëse kujdesesh për të vullnetarisht dhe në kohë. Në qoftë se deboheni me detyrim shpenzimet mund të jenë 4-5 fish më të larta, përveç kësaj shpenzimet e deportimit duhet t'i paguash vetë, me 111,40 euro në ditë. Kush largohet vullnetarisht mund të hyjë përsëri në BE apo në Gjermani. Kush është dëbuar nuk lejohet më.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat