Kush lejohet të qendrojë në Gjermani?

Diaspora

Kush lejohet të qendrojë në Gjermani?

Më: 24 shtator 2015 Në ora: 20:05

Çfarë shansesh kanë njerëzit nga vendet e Ballkanit Perëndimor për të përfituar azil në Gjermani?

Serbia, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina njihen në Gjermani si të ashtuquajtura vende të sigurta të origjinës. Qeveria gjermane do që ta zgjerojë listën e vendeve të sigurta të origjinës me Malin e Zi, Shqipërinë dhe Kosovën. Aplikantët nga vendet e sigurta të origjinës kanë pak mundësi që të lejohen të qendrojnë përgjithmonë në Gjermani. Vetëm 0,2 për qind të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor u njihet këtu e drejta e azilit.

Ç'është një vend i sigurt i origjinës?

Një vend i sigurt origjine nuk e përndjek popullsinë e vet politikisht apo nuk praktikon ndëshkime antihumane apo poshtëruese. Por edhe qytetarët e vendeve të sigurta të origjinës nuk mund të dëbohen menjëherë. Juridikisht çdo azilkërkuesi në Gjermani duhet t'i jepet një shans për të dëshmuar se në vendin e tij është i rrezikuar politikisht. Kërkesa për azil nga njerëz nga vendet e sigurta të origjinës zakonisht refuzohet, përderisa nuk ka rrethana tepër të veçanta.

Kush ka të drejtë për azil në Gjermani?

Kushtetuta gjermane thotë: "Personat e përndjekur përfitojnë azil politik". I përndjekur politik konsiderohet ai, që për shkak të bindjes së tij politike është aq i përjashtuar nga shteti i i tij, saqë shkelet dinjiteti i tij njerëzor. Situatat e vështira si varfëria apo shpresa për mirëqënie dhe një jetë më të mirë nuk njihen si arsye për azil. Azil politik në Gjermani gëzojnë vetëm njerëzit, të cilët nuk vijnë nga një vend i ashtuquajtur i sigurt origjine.

Kush vendos për kërkesën për azil?

Vendimin për kërkesën për azil e merr Enti Federal për Migracion dhe Refugjatë (BAMF). Ai vlerëson, nëse një aplikant ka të drejtën e azilit, nëse merr statusin e refugjatit apo i mohohen që të dyja. Derisa të merret një vendim, njerëzit lejohen të jetojnë vetëm në vendstrehimet e refugjatëve dhe fillimisht nuk punojnë.

Çfarë ndodh nëse refuzohet një aplikim për azil?

Nëse një kërkesë për azil në Gjermani refuzohet, dhe personi nuk njihet si refugjat, ai duhet të largohet nga Gjermania. Ai kërcënohet me dëbim të detyruar. Azilkërkuesi mund ta kundërshtojë dënimin duke ngritur padi. Deri sa të dëbohen ose në rast se largimi është i pamundur, këtyre njerëzve u jepet Duldung (qendrim i toleruar pëkohësisht). Arsyet mund të jenë sëmundje, mungesa e dokumenteve, apo situata në një vend të caktuar. Kjo vlen edhe për të miturit, që janë arratisur pa shoqërimin e të rriturve.

Kush konsiderohet në Gjermani refugjat?

Ligjërisht si refugjat - në dallim me migrantët - kategorizohen ato që përfshihen në përkufizimin e Konventës së Gjenevës për refugjatë. Refugjat është ai, i cili është i detyruar të largohet nga vendi i tij i origjinës si i rrezikuar për shkak të racës, fesë, kombësisë, mendimit të tij politik, apo përkatësisë në një grup shoqëror.

Kush konsiderohet emigrant?

Emigrant është në parim kushdo, që shkon në një vend tjetër, brenda vendit të tij apo përtej kufijve të shtetit. Për emigrantë flitet zakonisht, kur dikush largohet nga atdheu i tij, pa qenë në rrezik atje, por për shembull për të përmirësuar kushtet e tij të jetesës.

Çfarë nënkupton procedura Dublinit?

Në Gjermani nuk vendoset për çdo kërkesë për azil. Sipas rregullores evropiane të Dublinit në parim përgjegjës për procedurat e azilit është vetëm ai vend i BE-së, në të cilin azilkërkuesi ka hyrë për herë të parë. Nëse dihet se cili është ky shtet, refugjatët dërgohen zakonisht atje pa asnjë testim dhe mund ta bëjnë kërkesën për azil atje, sepse të gjitha vendet e BE-së konsiderohen vende të sigurta./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat