Motrat angleze ndihmojnë për shkollimin e të riut nga Kosova në Britani

Diaspora

Motrat angleze ndihmojnë për shkollimin e të riut nga Kosova në Britani

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 17:30

Dy motra janë duke i ndihmuar një të riu nga Kosova për të përfunduar studimet në Britani të Madhe.
Ato po shpresojnë që të grumbullojnë 3300 funte për të paguar tarifat shkollore të Astrit Bunjakut, që është në vitin e fundit në Richmond American University në Londër.

Astriti kishte shkuar në Grimsby në moshën 16-vjeçare me nota të shkëlqyeshme në Kosovë dhe menjëherë nisi të punonte. Në moshën 18-vjeçare, ai nisi studimet për Marrëdhënie Ndërkombëtare, ku u ndihmua nga një amerikan dhe pas një viti akademik fitoi çmimin “David Ross” që vlerëson të arriturat akademike, dhe që njëkohësisht i mundësoi vijimin edhe të një viti pa probleme financiare.

Gjithsesi, dy vitet e fundit ai kishte probleme të mëdha. Për shkak se Kosova nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, ai nuk po mundet të sigurojë përkrahjen siç munden qytetarët nga Evropia. Familja e tij në Kosovë i ndihmojnë me gjithçka që kanë mundësi, por ata nuk kanë kushte të mira, raporton “grimsbytelegraph”.

Ai po mundohet që me punë të arrijë të përfundojë studimet, por atij i lejohet vetëm dhjetë orë punë në javë. Pam Borrill dhe Val Collier, që e njohën Astritin përmes miqve të tyre, janë duke u munduar shumë që t’i ndihmojnë.

“Ai me të vërtetë e meriton t’i ndihmojmë. Është xhentëlmen, djalë i dashur nga një familje e dashur”, thotë Pam, që jeton në Cleethorpes.

“Jemi shumë të vendosura në këtë. Mendojmë se atij i duhet një shans”.

Astritit i është ofruar një vend pune në Kosovë. Ai po kërkohet nga një firmë e Kosoves, por punën do ta nisë me kusht që të përfundojë me sukses studimet në dhjetor.

“Nëse nuk i përfundon studimet, i gjithë mundi që ka përjetuar ai, humb”, ka shtuar Pam.

“Astriti është një djalë shumë i motivuar, i sjellshëm që punon shumë dhe lufton kundrejt shumë vështirësive. Andaj, është qenësore për të që të ndihmohet financiarisht sa më shpejt që të jetë e mundur që ai të jetë i pavarur dhe t’i ndihmojmë familjes së tij”, ka thënë Val.

Ato kanë hapur një fondacion ku po presin donacione për t’i ndihmuar Astritit në përfundimin e studimeve dhe në nisjen e karrierës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat