Kur je larg?!...

Diaspora

Kur je larg?!...

Nga: Dibran Demaku Më: 21 maj 2015 Në ora: 23:14

Kur je larg, pikon loti në çdo varg!…

Ngjarjet tragjike të Kumanovës dhe rreth Kumanovës nxitën dhembje e lot për shqiptarët kudo ku ndodhen! Ato ishin dy fish më të dhimbshme për ata shqiptarë që momentalisht ndodhen larg vatrave të tyre etnike, që do të thotë në mërgim! Larg me mijëra kilometra nga vendlindja e tyre, mërgimtarët shqiptarë, për ngjarjet tragjike në Kumanovë do të mësonin nga mediat e ndryshme vizive dhe të shkruara. Dhe kur je larg, pikon loti në çdo varg! Në çdo varg e në çdo fjalë, loti lotin nuk e ndal!... Dhe ti ngjitesh e bëhesh një me ekranin e televizorit!... Do që të mësosh gjithçka që ndodhë atje në vendlindje, me njerëzit e tu, me shtëpinë tënde, me bashkëfshatarët apo bashkëqytetarët e tu!...Mëson se atje dikush po lufton!... Mëson se atje është barrikaduar një grup i luftëtarëve të lirisë të cilët luftojnë për jetë a vdekje!... Dhe ata, pra luftëtarët e lirisë janë të gjakut dhe të gjuhës tënde!...Ata janë të rrethuar nga të katër anët me zjarrë e me hekur!...Në ekran të televizorit sheh se si digjen shtëpitë, se si rrjedh gjak rrugicave të lagjes tënde!... Sheh se si njerëzit të trishtuar ikin nga sytë-këmbët?!...Dikush do që ta vrasë lirinë dhe ardhmërinë e kombit tënd!... Dikush do që ta vrasë lirinë dhe ardhmërinë e atyre fëmijëve të vegjël, që ti i sheh duke ikur nën breshërinë e plumbave dhe të flakës?!...

Koha dhe ngjarjet lëvizin ngadalë, tepër ngadalë!... Ti edhe më tutje rri i ngjitur me ekranin e televizorit!... Ka kaluar dreka dhe ti as që je kujtuar se duhet të drekosh!... Ti nuk e ke pirë as kafenë që ta ka sjellur yt shoqe!...

Në qytetin ku ti jeton, është ditë pushimi…Është pasdite maji dhe rrugët e qytetit janë të mbushura me kalimtarë që kanë dalë të shijojnë rrezet e diellit të pasdites së bukur të majit! Ti sheh fytyra të buzëqeshura, të moshuarish, të të rriturve si dhe të fëmijëve!... Dhe ato fytyra të buzëqeshura të qytetit në mërgim ku ti jeton, i merr dhe i krahason me fytyrat e të moshuarve, të të rriturve dhe të fëmijëve të vendlindjes tënde, që në ato momente me fytyra e shikime të trishtuara ikin nga të munden që t`i shpëtojnë flakës së luftës!... Po, po të luftës, se në qytetin tënd të lindjes bëhet luftë?!... Bëhet luftë për jetë a vdekje?!...

Dhe ti je larg!... Pranë e ke vetëm ekranin e televizorit, që të sjellë pamje rrëqethëse nga vendlindja jote ku luftohet për jetë a vdekje?!... Tymi dhe flaka kanë kapluar kulmet e shtëpive dhe ti nuk e di se në ato shtëpi që digjen ka ende njerëz apo kanë arritur që të dalin nga atje?!... Krismat e armëve që vijnë nga ekrani i televizorit të shpojnë veshë e zemër!... Pamjet nga qyteti yt që po digjet në flakë, fillojnë e bëhen më të errëta, sepse atje në qytetin tënd të lindjes ka ra errësira e mbrëmjes!... Dhe ti në zemrën tënde përveç trishtimit dhe pikëllimit të thellë, tash fillon të ndjesh edhe frikë!... Frikë për fatin e të rrethuarve, sepse ata tash mund t`i hajë vetë nata!... Nata e zezë ballkanike!... Sepse në Ballkan netët janë të zeza, tepër të zeza!...
Kur je larg, pikon loti në çdo varg!...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat