Ministri Murati viziton kryetarët e komunave të Dukagjinit

Diaspora

Ministri Murati viziton kryetarët e komunave të Dukagjinit

Më: 19 maj 2015 Në ora: 09:54

Ministri i Diasporës, z. Valon Murati sot në tri takime të ndara ka vizituar kryetarët e tri komunave të rrafshit të Dukagjinit, z. Gazmend Muhaxheri – kryetar i Pejës, znj. Mimoza Kusari – Lila – kryetare e Gjakovës dhe z. Rasim Selmanaj – kryetar i Deçanit.
Kryetarët e tri komunave e falënderuan për vizitën Ministrin Murati me të cilin biseduan për koordinimin e aktiviteteve dhe pritjes së mërgimtarëve.
Që të tri kryetarët e Komunave u zotuan se do të bëjnë përgatitjet më të mira të nevojshme për pritjen e bashkatdhetarëve duke koordinuar kalendarin e aktiviteteve edhe me Ministrinë e Diasporës.
Ministri Murati i njoftoi kryetarët e Komunave për aktivitetet e planifikuara të Ministrisë, ndërsa ri përsëriti qëndrimin që bashkatdhetarët tanë duhet të priten në mënyrën më të mirë të mundshme.

Po ashtu, ministri Murati prezentoi edhe memorandumin e bashkëpunimit, ndërsa së bashku u dakorduan që të kenë edhe një kalendar të përbashkët të aktiviteteve gjatë muajve kur bashkatdhetarët tanë vizitojnë atdheun.

Gjatë këtyre takimeve po ashtu u diskutuan edhe çështje të tjera si hartimi i regjistrit të diasporës dhe mërgatës, mundësitë për investime nga diaspora dhe një varg çështjesh të tjera të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin socio – ekonomik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat