Integrimi duhet të inkurajohet dhe të promovohet

Diaspora

Integrimi duhet të inkurajohet dhe të promovohet

Nga: Intervistoi: Shefqet Dibrani Më: 4 maj 2015 Në ora: 17:10

“Unë shpresojë dhe besoj në ndikimin e votës së shqiptarëve, po ashtu shpresoj se emigrantët në Zvicër do të jenë më aktiv në politikë”, thotë Bullakaj.

Z. Bullakaj, si dëshironi tu prezantoheni bashkëkombësve tuaj? Me një fjalë kush është Arber Bullakaj? Ky emër që tashmë ka tërhequr vëmendjen e shqiptarëve.

Arber Bullakaj: Unë kam lindur në Prizren dhe kur isha vetëm 8 vjeç kam ardhur në Zvicër. Pasi mora diplomën në ekonomi, fillova të punoj në fushën e financave, llogaritjeve, kontrollit dhe taksave. Sot jam drejtues i një zyre këshillimi në Wil të kantonit St. Gallen. Prej 8 vjetësh, jam anëtarë i Partisë Socialdemokrate në Wil, sepse jam një njeri, të cilit nuk i pëlqen të ulet në kafe a kolltuk dhe të diskutojë më shokë rreth politikës, ves ky që hasët dendur te ne shqiptarët. Me pakënaqësinë, nuk bashkëjetojë, por mundohem në mënyrë aktive të ndryshojë atë që më shqetëson. Sigurisht, unë shpresoj përmes angazhimit dhe punës sime të motivojë secilin, veçmas atë që nuk ndjehet i përfaqësuar sa duhet nga politika, ose i integruar në shoqëri. Në vitin 2013 jam zgjedhur anëtar i Parlamentit të qytetit Wil, gjë e cila më gëzoi shumë. Përveç kësaj, jam zëvendëspresident i Partisë Socialdemokrate në nivel kantoni (Sankt Gallen) dhe anëtar i komisionit për financa.

Çfarë mund të na thoni për Kosovën, atdheun e prindërve tuaj?

Bullakaj: Kosova është edhe atdheu im, vendi ku i kam rrënjët e mia. Jam rritur në një fshat të vogël të quajtur Sallagrazhë, komuna e Suharekës, me një natyrë mahnitëse, të cilën e kam shijuar me ëndje. Jam i fascionuar nga ajo natyrë, dhe nga historia e pasur e Kosovës. Bujaria dhe përzemërsia e njerëzve është model për mua, e cila tregon se si njerëzit duhet të ndërtojnë marrëdhëniet me njëri-tjetrin, kurse unë dua t’i ruaj lidhjet me të afërmit e mi në Kosovë! Kosova është vendi ku unë kam lindur, apo siç thotë poeti ynë ma i madh Ali Podrimja, “Kosova është gjaku im që nuk falet”, pra Ajo - Kosova ime më pret edhe mua gjithmonë me krahë hapur.

Z. Bullakaj, sivjet jeni kandidat për Parlamentin Nacional në Zvicër, e këtë e bëni në kuadër të Partisë Socialdemokrate (SP). A ka mundësi për lexuesit e gazetës sonë, t’i komentoni ambiciet tuaja?

Bullakaj: Si djalë emigrantësh (babai im punonte punë sezonale), i kam veçanërisht për zemër temat: Integrimi dhe kërkesat e të rinjve. Unë e di se nëse je emigrant nuk është gjithmonë e lehtë, prandaj luftoj për kushte dhe trajtim të barabartë. Sidomos në edukim këto mundësi duhet të jenë të barabarta për të gjithë, si për emigrantët ashtu edhe për zviceranët, burra dhe gra, të varfër e të pasur, në arsimim dhe edukim nuk lejohet diskriminim. Politikat e Partisë Socialdemokrate janë orientuar kah kërkesat për energji të rinovuar dhe për mbrojtjen e ambientit, tema me interes për mua, për të cilat unë do të mbaj qëndrimin tim. Do të doja të shtoja edhe çështjen e Drejtësisë Tatimore si dhe mbështetjen e sigurimit të njerëzve me të ardhura të ulëta, janë tema këto që më interesojnë më shumë.

Cilat janë përparësitë që i krijon Partisë Socialdemokrate (SP), për ty si kandidat dhe për shqiptarët si komunitet?

Bullakaj: Partia Socialdemokratike është angazhuar prej vitesh për emigrantët dhe azilantët. Është një angazhim shumë i madh i Partisë Socialdemokrate në fushën e integrimit, të tregut të punës dhe kërkesës së edukimit në kulturën dhe gjuhën e atdheut të tyre. Në Partinë Socilademokrate edhe emigrantët mirëpriten dhe do të pranohen përzemërsisht.

Cili është qëndrimi i SP në raport me të huajt. Natyrisht nëse ka diçka më specifike për shqiptarët. Si trajtohen nga kjo parti?

Bullakaj: Siç e kam përmendur edhe më sipër, angazhimi i Partisë Socialdemokrate për emigrantët është i madh. Në takimin e partisë në Lugano, Partia Socialdemokrate ka shpërndarë një koncept mjaftë të gjerë. Dhe sa i përket specifikisht Kosovës, më duhet të përmend këtu pikërisht këshilltaren e hershme të Partisë Socialdemokrate Micheline Calmy-Rey, e cila ka kontribuar shumë për të thyer akullin dhe për të ndërtuar rrugën për njohjen e Kosovës si shtet. Në tetor të vitit 2013 udhëtoi një delegacion i Fraksionit të Partisë Socialdemokrate në Kosovë dhe vizitoi projektet për Swisscoy, lidhi marrëdhënie me partnerët e mundshëm dhe bëri fushatë për negociatat për një marrëveshje të re të sigurisë sociale. Përveç kësaj Fraksioni i Partisë Socialdemokrate kërkoi edhe mundësi për intensifikimin e Punës në Diasporë, me qëllim që të favorizojë arritjet e mëdha të diasporës për vendin, dhe sigurisht të përforcojë zhvillimin social dhe demokratik të vendit. Të gjitha këto janë tema për të cilat Partia Socialdemokrate ka diskutuar në mbledhjet e saj.

A ke ndonjë gjë që do të donit ta veçoni me këtë rast?

Bullakaj: Ajo që unë do të dëshiroja të përmendja është fakti që Michele Calmy-Rey ditën e Pavarësisë së Kosovës erdhi tek ne në Wil, dhe mori pjese në Meshën e Misionit Katolik të shqiptarëve. Pikërisht në këtë ditë gëzimi morën pjesë edhe shumë shqiptarë besimtar të kishës, madje edhe shqiptarë të besimit islam pa dallim, kurse ajo ditë në tërë Zvicrën u bë një festë e madhe.

Z. Bullakaj, më 18 tetor 2015, në zgjedhjet nacionale, çfarë kërkoni nga shqiptarët?

Bullakaj: Natyrisht, do të doja një mbështetje shumë të fuqishme nga shoqëria shqiptare në Zvicër, veçmas ajo e kantonit St. Gallen e cila mundet të më mbështesë drejtpërdrejt me votën e tyre. Unë shpresojë dhe besoj në ndikimin e votës së shqiptarëve, po ashtu shpresoj se emigrantët në Zvicër do të jenë më aktiv në politikë. Për këtë jam i sigurt se edhe interesat e emigrantëve do të përfaqësohen shumë më mirë nëse unë do të zgjidhem deputet në Parlamentin Nacional, për këtë jam shumë i sigurt pasi unë jam i hapur për problemet e tyre.

Ju jeni i ri “secondo’s”, sa keni arritur me i përcjellur aktivitetet e diasporës shqiptare, e cila sikur është duke u dorëzuar. Ç’duhet të ndërmarrin bashkëkombësit tuaj?

Bullakaj: Në kantonin e St. Gallen jetojnë shumë shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia. Shumica prej tyre janë personalisht dhe profesionalisht të emancipuar, por fatkeqësisht jo të involvuar edhe në politikën e vendit ku jetojnë. Veprimtaritë në diasporën shqiptare i konsiderojë pozitive – për shembull në ngjarjet apo projektet në fushën kulturore ne jemi më të fortë, por kjo nuk mjafton. Për t’u bërë pjesë integrale dhe e suksesshme në shoqëri ne duhet të jemi edhe pjesë e politikës. Prandaj do të gëzohesha nëse më shumë shqiptarë do të interesoheshin e do të angazhoheshin në politikën zvicerane.

Ju a keni ndonjë plan konkret, ose të paktën a keni ndonjë mendim se çfarë duhet të ndryshojnë shqiptarët për t’u bërë pjesë përbërëse e strukturave shoqërore e politike të Zvicrës.

Bullakaj: Pikë së pari, mendoj se gjithçka do kohën e vet. Integrimi është një proces, i cili nuk mund të bëhet brenda një dite. Ndërkohë ka shumë shqiptarë, ose zviceranë me origjinë shqiptare të cilët janë angazhuar në fusha të ndryshme (p.sh. sport, mjekësi, ekonomi, gastronomi etj). Gjithashtu edhe në politikë shfaqen gjithmonë e më shumë emra shqiptarë. Ta zëmë, në kantonin e Gjenevës, para disa ditësh u zgjodhën 8 deputet me prejardhje shqiptare, në komunitetin legjislativ. Ndërsa kanditatët për deputet Blerim Bunjaku dhe Përparim Avdili kanë arritur rezultate të mira në zgjedhjet e kantonit të Cyrihut. Ky është një zhvillim, i cili mua personalisht më gëzon shumë. Edhe në aspektin shoqëror mendoj se jemi në rrugë të mirë. Në ndërkohë shqiptarët janë integruar mirë dhe bëjnë një jetë të suksesshme në fushën e biznesit dhe shkencës edhe këtu në Zvicër.

Po, për shqiptarët e kantonit tuaj, veçmas në aspektin organizativ, çfarë ke për të thënë, po mendoj, nëse ata dëshirojnë të bëhen faktor me ndikim dhe të respektuar?

Bullakaj: Shqiptarëve ju them: Angazhohuni! Bëhuni pjesë e projekteve kulturore, projekteve të integrimit ose politikës. Si president dhe bashkëthemelues i shoqatës “FAIR Wil”, angazhohem për integrim sa më të mirë. Por kjo duhet të dëshirohet nga secili prej nesh. Angazhohuni në lagjen tuaj të banimit, në projektet e shkollës, pra jepni ndihmën tuaj në komunitet. Kërkoni e ndërtoni sa më shumë kontakte me zviceranët. Organizoni një festë. Secili prej nesh me sjelljen dhe shërbimin e tij mund të bëhet aktiv në ambientin e tij, duke rrëzuar paragjykimet dhe frikën. Duke u bërë pjesë e shoqërisë juve do ju hapen shumë dyer. Urojë më gjithë zemër që në të ardhmen edhe më shumë shqiptarë të interesohen në politikë dhe të zgjodhën si kandidat. Vetëm në këtë mënyrë ne do të arrijmë të jemi pjesë dhe të përfaqësojmë më së miri shqetësimet tona politike.

Si e sheh, Arber Bullakaj, integrimin e shqiptarëve në Zvicër?

Bullakaj: Siç e thashë edhe më parë, unë e shoh gjendjen e integrimit të shqiptarëve në Zvicër të mirë dhe pozitive. Natyrisht ka përjashtime, por shumica e shqiptarëve ndërkohë janë integruar mirë. E di se integrimi nuk është i favorshëm, nëse dikush për shkakun e një emri të huaj, për shembull në kërkimin e një pune ose të një profesioni do të ndëshkohet, por kjo nuk guxon ta demotivoj e demoralizoj askë. Prandaj luftoj për mundësi të barabarta, dhe njëkohësisht u kërkoj bashkëqytetarëve të mi që të jenë një pjesë aktive në shoqëri. Integrimi duhet të inkurajohet dhe të promovohet.

Më 18 tetor 2015, janë zgjedhjet nacionale. Çfarë sjell Partia Socialdemokrate për qytetarët e saj, përkatësisht pse duhet të votohet kjo parti edhe nga shqiptarët?

Bullakaj: Partia Socialdemokrate është e angazhuar fort për “sekondo’s”, dhe e ka mbështetur shumë Kosovën që prej fillimit në përpjekjet për pavarësi. Partia Socialdemokrate është e vendosur për një politikë të drejtë sociale, nga e cila duhet te përfitojnë të gjithë qytetarët. Përveç kësaj ne luftojmë rregullisht iniciativat mizantrope si p.sh. Iniciativën e dëbimit ose iniciativën e emigrimit masiv, çka do të sillte sërish statusin mizor në familje, sidomos për punëtorët stinor.

Ne po ju urojmë juve që të fitoni dhe në të njëjtën kohë u bëjmë thirrje shqiptarëve që jetojnë në kantonin St. Gallen, që më 18 tetor 2015, të jenë të mobilizuar dhe të dalin masovikisht në votime për të të zgjedhur ty si kandidat i tyre!

Bullakaj: Ju falënderojë për intervistën, si dhe për interesin tuaj për mua dhe për politikën zviceriane. Që tash i falënderoj të gjithë ata që do të angazhohen në suksesin tim, pasi ky angazhim është ndikues dhe përcaktues dhe mjaftë i vlefshëm për zgjedhjen time, andaj vetëm me mbështetjen e shoqërisë shqiptare unë si kandidat mund të fitoj dhe pastaj bashkërisht do të arrijmë që të përfaqësohemi sa më mirë në politikën zvicerane. Sepse në thelb, parlamenti përfaqëson popullin, andaj çdo vizion a qasje të gabuar, ne e kemi mundësinë që ta rregullojmë.

Si mundemi ne t’ju ndihmojmё juve konkretisht nё kёtё fushatё zgjedhore?

Bullakaj: Ka mёnyra tё ndryshme pёr ta bёrё njё gjё tё tillё. Njё mёnyrё ёshtё pёr shembull tё bashkoheni nё komitetin tim. Gjithashtu ne kërkojmë vende tё dukshme pёr pllakata (restorante, shtёpi, nё njё rrugё kryesore, klube tё ndryshme etj.), pastaj na duhen njerёz qё shpёrndajnё fletёpalosje me ne, tё organizojmё sё bashku mbledhje qytetarёsh, ose ta sponsorizojnё fushatёn elektorale me njё gjest tё vogёl në lagjën e tyre, apo më thjesht t’i inkurajojnё tё afёrmit dhe tё njohurit e tyre me të drejt vote që nё mёnyrё aktive dhe të drejtpërdrejt të votojnë kandidatin e tyre, në këtë rast Arbër Bullakajn. Edhe çdo lloj mbёshtetje e natyrës tjetër do tё vlerёsohet shumё, ndërsa mua, (ata që dëshirojnë e kanë interes), mund tё mё kontaktoj drejtpërdrejt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat