Mijëra shqiptarë kanë hequr dorë nga Kosova, kjo është humbja më e madhe

Diaspora

Mijëra shqiptarë kanë hequr dorë nga Kosova, kjo është humbja më e madhe

Nga: Shkruan: Idriz Zeqiraj Më: 27 prill 2015 Në ora: 17:04

Veprimtari i mirënjohur i mërgatës shqiptare, Xhafer Leci, tha se pavarësisht zhgënjimeve, në vijimësi, edhe pas shuarjes fizike të Presidentit Rugova, ne kemi mbetur simpatizantë të LDK-së, si parti që ka epërsinë parimore dhe morale absolute në Kosovë. Tubimi i sotëm ka vlerë të veçantë, sepse opinioni do të informohet për bashkimin e dy subjekteve të ndara, krejt aksidentalisht, ngaqë kanë një burim dhe një frymëzim, vizionin e ideatorit dhe realizuesit të Pavarësisë të Kosovës, Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova.
Akademik Nexhat Daci është shquar në drejtimin e Parlamentit të Kosovës, në një kohë kur "komandantët", gjeneralë të vetëshpallur, mendonin se mund të bëjnë gjithçka, të flasin kur të duan dhe sa të duan! Është pikërisht akademik Daci që ia ndali zërin mikrofonit, duke i dhënë leksionin e nevojshëm njeriut të gjithëfuqishëm Hashim Thaçit, se "je i barabartë me deputetët tjerë në këtë sallë dhe nëse nuk e ke ditë, mësoje tani, sepse foltorja ka radhë dhe kohë të caktuar, për debat kuvendor". Organizimi i përkryer e madhështorë i ceremonisë mortore të Presidentit Rugova, ishte meritë ekskluzive e akademik Dacit, përkundër kundërshtarëve të tij, që donin ta heshtnin, ta varrosnin pa "zhurmë", duke penguar edhe Gardën Kombëtare për pjesëmarrje, sikur ajo të ishte pronë private e shefave injorantë dhe të pacipshëm.
Gjyqet farsë kundër akademik Nexhat Dacit, ishin një hakmarrje primitive e dy palëve: e ekstremit bandë të majtë, por edhe e klaneve brenda LDK-së. Atë e akuzonin dhe dënonin për një palë syze leximi, ndërkohë që vetë kanë vjedhur milionat nga pasuritë shtetërore, shoqërore si dhe kanë vjelur dhe vjelin, edhe sot e gjithë ditën, haraçin privat, tha Leci.

Ndërsa, akademik Nexhat Daci pasi falënderoi organizatorët Hilmi Gashin dhe Zize Pepshin, siç tha ai për punën e tyre të shkëlqyer si dhe bashkëpunimin me strukturat e LDD-së në qendër dhe anëtarësinë në bazë. "Jam i ftuar nga Akademia e Shkencave të Evropës, në kuadrin e një Konference të Shteteve Danubiane. Me këtë rast falënderoj edhe kryetarin e Akademisë për zgjedhjen e bërë për mua. Ju falënderoj për përkrahjen e dhënë dhe sjelljen shumë miqësore ndaj meje.
Kam agjituar tek të tjerët, kemi vendosur pa asnjë kushtëzim të kthehemi në LDK-e, në shtëpinë tonë të vjetër, madje në kohën më të vështirë për LDK-në dhe Kosovën. Dhjetëra - mijëra shqiptarë kanë hequr dorë nga pasaportat e Kosovës dhe kjo është humbja më e madhe, pas ikjes në Turqi, mbi bazën e marrëveshjeve kundra shqiptare, të bëra ndërmjet Turqisë dhe Jugosllavisë”, tha Daci. Ai tha se nuk ka ngjarë në historinë e Kosovës, edhepse të punësuar burrë dhe grua, ta marrin arratinë. “Është një zhgënjim i madh, është humbje shprese. Resurset në Kosovë janë të mjaftueshme për një Kosovë me popullsi tri herë më të madhe. Por, kanë rrënuar gjithçka.
Lufta kundër meje ka qenë shumë speciale, me shpifje të rënda, sikur unë jam kundër ndërkombëtarëve, kundër Perëndimit. Jeta ime, shkolla ime, ka qenë jashtë Tërnovcit, jashtë Kosovës. Parimet dhe idealet e mia, formimi im si shkencëtar, si intelektual dhe si njeri, është tërësisht perëndimorë”, tha ai.
Më tej akademik Daci foli për hajninë galopante të pushtetarëve tanë. Ai solli shembuj nga bisedat e bëra, për këto probleme me ndërkombëtarët, që kanë punuar në Kamboxhia dhe Bosnjë. Dhe, rezulton se shumë më të përgjegjshëm kanë qenë pushtetarët në ato vende se sa në Kosovën tonë. “Dhe, kjo është e dhimbshme, tragjike”, tha ai. Akademik Daci u përgjigj në pyetjet e bashkatdhetarëve tanë, për probleme të ndryshme në Atdheun tonë.
Telegrame përshëndetëse, për aktin e bashkimit të LDD-së me LDK-në, kanë dërguar edhe anëtarët e Kryesisë të LDK-së: Lutfi Haziri dhe Muharrem Sfarqa.
Në pamundësi për të marrë pjesë në tubimin e organizuar në Ulm të Gjermanisë, për ta bërë publik vendimin e kthimit në shtëpinë e vjetër LDK-e, telegrame përshëndetjeje dhe miratimin e bashkimit, e kanë shprehur edhe: Mehdi Prushi, kryetar i deri sotëm i Degës të LDD-së në Austri; Skënder Berisha, kryetar i Degës të LDD-së në Francë; Lulzim Zagragjaj, kryetar i Degës së LDD-së në shtetet e Beneluksit
Gazetari dhe mjeshtri i kamerës, Halil Rrustemaj, e përcolli dhe fiksoi të gjithë - takimin e bashkimit - të dy subjekteve politike: LDD-së dhe të LDK-së. Ai, me kamerën e tij të artë, regjistroi akademik Nexhat Dacin, të nesërmen, në pjesëmarrjen e Tij në Konferencën Shkencore të Shteteve Danubiane. Edhe fotografitë e këttyre shkrimeve, janë realizuar nga mjeshtri Halil Rrustemaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat