Malësorët në New York, mblodhën mbi 85 mijë dollarë për Shtëpinë Mortore në vendlindje

Diaspora

Malësorët në New York, mblodhën mbi 85 mijë dollarë për Shtëpinë Mortore në vendlindje

Më: 21 prill 2015 Në ora: 13:50

Shtëpia mortore në fjalë do të punohet për nevojat e gjithë trevës së Malësisë, për të gjithë malësorët që në këtë objekt duan të mbajnë shërbimet funerale, pa dallime fisnore, krahinore, fetare, politike e marrëzira tjera, që nuk mungojnë!
YONKERS NY : Të dielën më 19 Prill 2015, në një nga lokalet e Royal Regency Hotel në Yonkers, NY, nën organizimin e Shoqatës Malësia e Madhe, shoqatë kjo me seli në Neë York, u mbajt një tubim i gjërë fondmbledhes për financimin e ndërtimit të shtëpisë mortore - funerale, në vendlindje, me lokacion në fshatin Vuksanlekaj- Tuz, Malësi e Madhe, shkruan në faqen e tij të facebookut, Gjokë Gojçaj, i cili kujton se një tubim i ngjajshëm me këtë u mbajtë para disa ditësh edhe në Detroit, ku malësorët e komunitetit të atjeshëm grumbulluan mbi 60 mijë dollarë, akcion ky që mbetet i hapur edhe më tej, shkruan Gojçaj.
Duke folur më tej për tubimin e së dielës , ai shkruan se Malësorët e Nju Jorkut (ata që morën pjesë...), brenda tri orësh grumbulluan mbi 85 mijë dollarë, ndonëse ky numër ka gjasa të rritet, mbase në këtë tubim nuk morën pjesë (për shkaqe të ndryshme) edhe një numër i konsideruar familjesh dhe disa emra donatorësh që kanë histori kontributesh me numra (nominalisht) të mëdhenjë, të cilët besohet se në ditët që vijojnë mund t'u bashkangjiten bashkëvendasve të vet, edhe nga fakti se ky akcion mbetet i hapur. Poashtu edhe një komision përkatës është në veprim për t'i kontaktuar të gjithë malsorët, që kjo vepër të fitojë kuptimn e vet, sa ma të plotë dhe sa më përfaqësues për gjithë trevën e Malësisë, shkruan Gjokë Gojçaj në rrjetin social facebook duke informuar për këtë aktivitet.
Gojçaj më tej ka bërë edhe një sqarim ku ai shkruan se njohësit e komunitetit dhe rrethanave që e shoqërojnë atë këtu në SHBA, e sidomos atje në vendlindje, nuk mundet t'i shpëtojë pa perceptuar edhe një fenomen i lig, të cilit i ka kontribuar më së shumti pushteti i atjeshëm malazez, me ndihmën e, pak a shumë edhe të disa lidereve të politikës lokale. Një ndarje jonatyrore dhe "me vizore" të bie në sy në këtë tubim, që vetëm për naivin mund të duket koincidencë e rastësishme. Por, edhe kjo do të kalojë, sepse njerëzit nuk kanë ku të shkojnë, por të vetëdijsohen përdite dhe të kuptojnë se të ardhmen tonë sikur shqipëtarë e malesorë që jemi, ose vetëm sikur njerëz, duhet t'a menaxhojmë na vetë dhe të bashkuar! Alternative nuk ka, thotë Gojçaj.
Shtëpia mortore në fjalë do të punohet për nevojat e gjithë trevës së Malësisë, për të gjithë malësorët që në këtë objekt duan të mbajnë shërbimet funerale, pa dallime fisnore, krahinore, fetare, politike e marrëzira tjera, që nuk mungojnë!
Objekti do të jetë objekt neutral pa karakteristika religjioze dhe frika se mund ti jepen atribute fetare, nuk ka vend, aspak!
Kohërat për të mbajtur të vdekurit nëpër shtëpia , shkruan Gojçaj në kët sqarim duke pirë duhan, raki e kafe gjithë natën, e nganjëherë edhe duke "çarë drrasa" (varësisht nga rasti)... kanë mbaruar. Shekulli i sotëm nuk i duron këto më. Kohërat për të nxjerrur kufomën në livadh, në arë, në zabel e ambiente të hapura, nën qiellin herë me shi e here me borë, e në baltë deri në gju, ose herë me erë e stuhi, ose diellin si pisha...., kanë marrë fund përgjithëmonë. I mbeten të kaluerës dhe mesjetës. Atëhere nuk është mundë ndryshe. Por, sot duhet patjetër të mundet ndryshe. Dinjiteti është gjeja më e kushtuar në këtë botë. I vdekuri duhet të përcillet në mënyrë dinjitoze dhe pikë.
Në fund të kësaj replike - sqaruese Gojçaj - shkruan se për këtë objekt kemi nevojë të gjithë. Për këtë objekt ka nevoje gjithë Malësia, sepse, është i pari i kësaj natyre. Për këtë objekt kanë nevojë të krishterët, myslimanët, fetarët e jofetarët. Të gjithë lindim dhe vdesin dhe të gjithë meritojnë të përcillen në mënyrë dinjitoze. Uroj që në të ardhmen e shpejtë jo vetëm të kryejmë shërbesat funerale në të njëjtin objekt, por edhe të varrosemi në të njëjtat vorreza. JEMI NJË./B.S/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat