Vëllai i shqiptaro-amerikanëve të vrarë paralajmëron kryeministrin serb

Diaspora

Vëllai i shqiptaro-amerikanëve të vrarë paralajmëron kryeministrin serb

Më: 16 prill 2015 Në ora: 16:51

Nju Jork (BIRN) - Fatos Bytyçi, vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmet Bytyçit, të cilët u vranë në Kosovë gati 16 vjet më parë nga forcat serbe, paralajmëroi kryeministrin Aleksandër Vuçiq se familja do të shkaktonte polemika nëse nuk bëhej ndonjë progres domethënës në këtë çështje para se kryeministri serb të vizitojë Uashingtonin.
Fatos Bytyçi tha se Vuçiq i kishte premtuar familjes në disa raste se ai nuk do ta vizitonte SHBA-në apo takohej me Presidentin Barak Obama para se të kishte zhvillime të rëndësishme në këtë çështje.
“Vizita në Shtetet e Bashkuara ose takimi me presidentin Obama pa pasur progres në këtë çështje do të ishte shkelje e premtimit të tij lidhur me këtë çështje. Ai më ka shprehur gjithmonë angazhimin e tij personal që vrasësit e vëllezërve të mi të ndiqeshin penalisht - pavarësisht se kush janë ata,” tha Bytyçi të enjten.
Premtimi i fundit që ai mori nga qeveria serbe ishte se çështja do të zgjidhej deri në mars të këtij viti, tha ai. Prokuroria serbe ka njoftuar gjithashtu disa herë se do të zgjidhë çështjen, por deri tani nuk është ngritur asnjë akuzë.
Vëllezërit Bytyçi, qytetarë amerikanë me origjinë shqiptare, iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Brigadat e Atlantikut, e cila ishte aktive gjatë konfliktit me forcat e Beogradit në vitin 1999.
Përkrahë anëtarëve të tjerë të Brigadave të Atlantikut, të cilët kryesisht kishin ardhur nga SHBA-ja, vëllezërit udhëtuan për në Kosovë për të luftuar kundër Serbisë. Sipas Fatos Bytyçit, pas marrëveshjes së paqes të qershorit 1999 që i dha fund luftës së Kosovës, ata ranë dakord të shoqëronin disa fqinjë romë në Serbi.
Por, kur ata kaluan një vijë të pashënuar kufitare pranë Merdares, u arrestuan nga policia serbe se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në atë që atëherë ishte ish-Jugosllavia.
Pasi kryen dënimet e tyre, ndërsa largoheshin nga burgu i Prokupjes, u arrestuan përsëri, u çuan në një qendër stërvitore policore në Petrovo Selo dhe u mbajtën në një magazinë atje.
Gjatë mbrëmjes së 9 korrikut 1999, ata u lidhën me tel nga persona të panjohur dhe u çuan në një vendgrumbullim plehrash, ku u ekzekutuan me plumba pas qafe.
Eshtrat e tyre u zhvarrosën në qershor të vitit 2001 nga një varr masiv në fshatin Petrovo.
Prokuroria e krimeve të luftës paditi dy oficerë policie, Streten Popoviç dhe Milos Stojanoviç, për transportim të vëllezërve nga Prokuplje në Petrovo Selo. Në vitin 2012 të dy u liruan nga akuzat.
Gjatë gjyqit, Stojanoviç dhe Popoviç u shprehën se ata morën urdhër t’i shoqëronin vëllezërit në Petrovo Selo nga Vlastimir Gjorgjeviç, i cili në atë kohë ishte ndihmës ministër i brendshëm i Serbisë.
Vitin e kaluar Gjykata e Hagës e dënoi Gjorgjeviçin me 18 vjet burg për krime lufte në Kosovë.
Hetimi fillestar për vrasjen e vëllezërve, i cili u nis nga prokuroria serbe për krimet e luftës me ndihmën e SHBA-ve, u përqendrua te tre persona: Gjorgjeviç, Vlajko Stojiljkoviç, një ish-ministër i brendshëm i cili vrau veten në vitin 2002, dhe Goran Radosavljeviç, ish-komandant i një njësie speciale policore dhe i qendrës së stërvitjes në Petrovo Selo.
Radosavljeviç tani është në pension, por mbetet aktiv në politikë si anëtar i bordit ekzekutiv të Partisë Progresiste të Serbisë. Ai gjithashtu drejton disa kompani të sigurimit.
Ai është marrë në pyetje në lidhje me vrasjet e vëllezërve Bytyçi, por nuk i është ngritur asnjë akuzë. Ai ka mohuar çfarëdolloj përfshirjeje në krim.
Serbia është vënë disa herë nën presion nga Shtetet e Bashkuara për të zgjidhur këtë çështje – më së fundi në muajin mars nga një agjenci qeveritare e quajtur “Komiteti Amerikan i Helsinkit”, i cili tha se mungesa e përparimit në çështjen Bytyqi tregonte se nuk ishte vendosur drejtësi.
Autoritetet u kritikuan gjithashtu edhe nga ambasadori i SHBA-ve për krimet e luftës Stefen Rap, i cili deklaroi se Serbia duhet të ndjekë penalisht ata që urdhëruan krimin dhe se asnjë ambasador amerikan s’do të pushojë së bëri presion Serbisë derisa kjo çështje të zgjidhet.
Vuçiq mori një ftesë për të vizituar SHBA-në më 9 prill nga zv/presidenti i SHBA-ve Joe Biden. Data e vizitës mbetet ende për t'u përcaktuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat