Burri i Kombit Mid’hat Abdyl Frashëri, në 135 Vjetorin e Lindjes në Manhattan

Diaspora

Burri i Kombit Mid’hat Abdyl Frashëri, në 135 Vjetorin e Lindjes në Manhattan

Më: 26 mars 2015 Në ora: 08:52

“Çdo shqiptar gjendet sot përpara gjykatores së historisë. Historia po na gjykon: në mos patëm fatin të jem stërnipër të lumturë të stërgjysheve fatosë, kemi detyrën të përpiqemi që të bëhemi, ne vetë, stërgjyshër të ndershme për nipat tanë”.

Në zemër të Manhattanit në mjediset e “Producer’s Club Theater” u organizua nga Dr.Ilir Hysa dhe z. Pëllumb Lamaj një sesion përkujtimor me rastin e 135-vjetorit të lindjes së Burrit të ndritur të Kombit Mid’hat Abdyl Frashërit. Ndonëse shumë prej shqiptarëve dhe veçanërisht të gjeneratës sime as që e kanë ditur fare se Mid’hat Frashëri ishte djalë i Abdyl Frashërit, sepse regjimi diktatorial na e mësoi që ishte një renegat, tradhtar, si një njeri që s’e donte Kombin ose e kishte lënë në harresë të qëllimshme.

I ardhur nga dera e madhe e Frashëllinjve që i ka dhënë aq shumë Kombit shqiptar, si Abdyl Frashëri ( Babai i Midhat Frashërit), Samiu dhe Naimi dy xhaxhallarët e Tij medoemos që dhe Mid’hati do ecte në rrugën e tyre të dijes dhe të patriotizmit të zjarrtë.

Salla ku do të zhvillohej sesioni përkujtimor, në një faqe të saj skuqte Flamuri Kombëtar, ai Flamur që të parët e tij së bashku me Të shkrinë jetën si qiriri, ndërsa në sfondin kryesor ishte portreti i Mid’hat Frashërit.

Sesionin e moderoi intelektuali plot sqimë Dr.Ilir Hysa i cili i përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi ata për pjesëmarrjen e tyre në këtë sesion përkujtimor të 135-vjetorit të Midhat Frashërit. Dr. Hysa tha se jemi mbledhur këtu për të përkujtuar Burrin e shquar të Kombit, albanologun, diplomatin, kryetarin e Ballit Kombëtar, shkrimtarin, përkthyesin etj, dhe është krenari që ne sot e përkujtojmë në këtë sesion në Manhattan. është koha që duhet të njohim njerëzit që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare, është koha që historia duhet të vendos në vendin e nderit Mid’hat Frashërin, burri që shkriu gjithë jetën e Tij për çështjen kombëtare. Dr. Hysa ka ftuar z.Alfred Tollja pronarin e “Producer’s Club Theater”, si të zotin e shtëpise për të përshëndetur. Z.Tollja nuk e ka për herë të parë që mirëpret aktivitete të rëndësishme kulturore, por ato janë gati të panumërueshme. Z.Tollja tha midis të tjerash se e kishte krenari që një aktivitet i tillë zhvillohej në Producer’s Club Theater dhe përkujtohej 135 vjetori i lindjes së Midhat Frashërit.

Dr. Hysa ftoi të pranishmit për të parë dokumentarin rreth jetës dhe veprimtarisë së shquar të Mid’hat Frashërit përgatitur nga z.Pellumb Lamaj, ish i burgosur politik qysh në bankat e shkollës në burgun famëkeq të Spaçit.

Dokumentari që titullohet “4 Frashëllinjtë” është mjaft mbresëlënës. Që nga vetë titulli i tij ideatori të fut në botën e Frashëllinjve që dikur njihnim, nderonim, respektonim dhe mësonim që shumë ngjarje të Kombit ishin lidhur vetëm me tre Frashëllinjtë, por në film me fakte kokëforte mëson se nuk ishin vetëm tre burra Frashëllinj që luftuan për Kombin, por midis tyre ishte dhe djali i harruar Mid’hati nga regjimi diktatorial enverist, me një fjalë ishin KATËR FRASHËLLINJTË.

Pëllumb Lamaj si një historian me shumë mund dhe kulturë ka sjellë në këtë dokumentar se Mid’hat Frashëri ka qenë: Firmëtar i Pavarësisë, Ministër i Qeverisë së Ismail Qemalit, Kryetar i Kongresit të Manastirit, Nënkryetar i Komisionit të Alfabetit, Ambasador i Shqipërisë në Athinë, Themelues i librarisë “Lumo Skëndo”, Mbrojtës i përbetuar i Kosovës, Avokat i zellshëm i Çamërisë, Kryetar i Ballit Kombëtar, Hartues i Dekalogut etj.

Miqësia e tij me Ismail Qemalin, Faik Konicën, Gjergj Fishtën dhe shumë personalitete të tjera flasin qartë për punët e tyre të vyera si shërbestar të Kombit.

Me lot dhe dhimbje e përcolli Mid’hati ungjin e Tij, Poetin e Kombit Naim Frashërin dhe ja se çka thënë në ditën e varrimit të tij:
“Mbani mend fjalitë që na thosh, këshillat që na epte! Kieni për shëmbëll, se ish i mirë, i virtutshim, vetijmirë, një këshillojnës, një baba!

O Shqiptarë! në doni të nderoni kujtimin’ e këtij njeriu të madh që po e qan sot tërë Shqipëria, mbani mënt fjalët e tij: Jini të mirë, vetijë-pastër; doni mëmëdhenë dhe gjuhënë tuaj”.

Interesant është testamenti i Tij që e ka lënë në moshën 49-vjeçare në të cilin midis të tjerash shkruhet:

“Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin’ e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE” që të jetë një qendër e studimeve shqiptare, të mbrojë, të zhvilloje, të qendrësojë dhe të udhëheq një studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqiptarët.

2) Dua që nga biblioteka private ime të mos shkëputet gjë; të gjitha librat të rrinë tok. 3) Gjithë sa më kanë mbetur nga im atë dhe nga ungjërit, dhe që sot formojnë muzen t’i me familjarë, dëshironi që të ruhen prapë në formë të një muzeje të vogël, brenda në INSTITUT…

“Do të doja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjërve duke hyrë nga porta e rrugësë; mbi këtë varr dua një copë gur të d dhe një qiparis. Më duket sikur do të jem ruajtësi i INSTITUTIT, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij”.

Amanetin s’e tret as dheu thuhet në fjalën e popullit, por tek ne ndodh që e tret Kreu, e tret shteti se ata e kane fuqinë e parasë dhe të vendit, ata janë “pronarët” e dhunshëm sot për sot, se ndryshe nuk ka se si ndodh që varri i Tij vazhdon të jetë në New York.

Historia e dhunuar dhe mosçuarja e amanetit në vend është një njollë tjetër e turpshme e regjimit diktatorial enverist si dhe e regjimeve të mëpastajme.

Megjithatë le të shpresojmë siç shkruan vetë Frashëri në prozë “Të metat tona” se: “Është virtyt që njeriu të shohë dhe të njohë të metat e tij. Kur e shohim fajin, e ndjejmë që lajthitëm, jemi të penduar. Kjo siguri zgjon ndër ne dëshirën dhe vullnetin që të veprojmë, të ndreqim shtrembësinë, të hyjmë në të drejtë”.
Ne fund dokumentari u mirëprit me duartrokitje nga të pranishmit.
Unë bëra sa munda në mërgimin e detyruar duke i dhënë botës shqiptare Apostullin e munguar…
Dr. Hysa ftoi në skenë skenaristin e dokumentarit “4 Frashëllinjtë”, z. Pëllumb Lamaj ish i burgosur politik duke e falënderuar dhe shprehur mirënjohjen për këtë punë kaq me vlerë. Z. Lamaj tha se jam rritur me dashurinë për Mid’hat Frashërin qysh ne fëmijërinë time.

Z. Lamaj vazhdoi se ky dokumentar u realizua në kushte të vështira për vetë faktin që historiografia dhe propaganda sllavokomuniste e Tiranës për gjysmë shekulli jo vetëm e kishte censuruar dhe tjetërsuar figurën e Babait të Kombit, por dhe për faktin tjetër të mungesës së dokumentacionit ngaqë mafia neokomuniste që erdhi në pushtet, duke ju frikësuar të vërtetës historike, nëpërmjet veglave të saj, e shtiu në dorë arshivën e Mid’hat Frasherit që gjendej në Amerikë dhe ende e mban të fshehtë… Jam i bindur që në se një ditë kjo arshivë do t’i bëhet e mundur shoqërisë dhe studiuesve, do të jetë një thesar jo vetëm për brezin e ri që ka privilegjin e shkruarës së historisë, por dhe për vetë kombin shqiptar…Historinë e tyre shqiptarët duhet ta shkruajnë vetë, pa filtra ideologjik, pa ndjenjë inferioriteti karshi të huajve… Kush e harron atë, kush e shkatërron me dashje apo pa dashje, bën krimin më të madhe të të gjitha krimeve… Unë bëra sa munda në mërgimin e detyruar duke i dhënë botës shqiptare Apostullin e munguar….

Padyshim të tjerët që do të vinë do të na e sjellin edhe me të plotë, edhe më madhështor Gjeniun e kombit përfundoi fjalën e tij ish i burgosuri politik z. Pëllumb Lamaj.

Në këtë tubim e mori fjalën dhe z. Eduard Dilo pinjoll i familjes së Ilia Dilo Sheperit i cili ndër të tjera tha:
Sot na ka mbledhur përkujtimi i 135 vjetorit të lindjes të të madhit ndër të mëdhenjve, “Babai i Shqiptarizmës” Mit’hat Frashëri, që duhet të ishte ditë feste Kombëtare në krejt Kombin dhe për krejt Kombin Shqiptar. Ai është Bir ‘ i denjë i Familjes me vlera të larta Patriotike, Frashëllinjve të pavdekshem. Ai me devotshmëri ju përkushtua krejt vatanit, duke mos kursyer asgjë për të. Që në moshë të njomë, u mor me shkrime e përkthime, vepra këto që hyjnë në gjerdanin e letrave shqip!

I rritur në një familje ku Atdheu ishte idhull, në një familje ku Babai i Tij Abdyl Frashëri vuri krejt pasurinë për Shqipërinë (të bëjmë një parantesë këtu, Abdyl Bej Frashëri vuri pasurinë e tërë në dobi të Kombit, ndërkohë që batakçinjtë kombëtare që na kanë udhëhequr e udhëheqin, vjedhin Kombin, pasurinë e çdo gjë Kombëtare duke katandisur popullin në këtë gjendje mjerane që e dimë të gjithë). Ai nuk dinte te ishte ndryshe, po ishte ai që ishte Mid’hati i veçantë e i respektueshëm nga të gjithë.

Pjesëmarrës në çdo ngjarje me rëndësi të Kombit: në Kongresin e Alfabatit, apo në Shpalljen e Pamvarësisë etj Bëri që Ai të ishte figura kryesore dhe e respektuar deri para viteve 1944! Ishte udhëheqësi shpirtëror i shqiptarëve. Në Librarinë e tij në Tiranë u krijua një vatër e vërtetë patriotizmi. Me krijimin e Organizatës së Ballit Kombëtar u vu në krye të saj dhe u bë simbol i gjithë atyre që merrnin pjesë në këtë organizatë .

Mid’hat Frashëri është Ai që punoi me shumë përkushtim e atdhetarizëm deri në frymën e fundit. Një Luftë të pa epur e plot vetmohim, bëri sidomos në Vitet ’40-të për të sqaruar popullin rreth rrezikut komunist që i kanosej. Deviza e tij aktuale ishte dhe mbetet dhe sot “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve” dhe është një kushtrim për secilin që ta mbajmë e ta duam Atdhenë me shpirt. Në këtë përvjetor ai vjen përsëri i gjallë se porositë e mendimet e tij janë ende aktuale… Qoftë i pa harruar, nder, respekt dhe mirënjohje e lavdi të përjetshme për Të.

Në këtë tubim foli z. Xheladin Zeneli ish deputet i zgjedhur në vitet 1990 në Mal të Zi, i cili tha se jam i privilegjuar që marr pjesë në përvjetorin e 135-të të Kolosit të Kombit Mid’hat Frashërit. Ne jemi rritur tha ai me Frashëllinjtë. Unë i kam shpëtuar burgut kur recitoja vargjet e Naim Frashërit si: “Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqiptar”, i shpëtova për të vetmen arsye se u ndërruan qeveritë dhe nga zgjedhjet ishin në rrëmujë e sipër. Unë brengosem për vendin tim, brengosem për trojet tona që kanë ngelur jashtë Shqipërisë dhe janë nën robëri. Ne duhet të jemi të bashkuar siç kërkonin Frashëllinjtë, se vetëm kështu Shqipëria do të rrojë zonjë vazhdoi z. Zeneli.

Dr. Hysa ka falënderuar disa veprimtarë që me punën e tyre i shërbejnë Diasporës dhe çështjes Kombëtare si: Themeluesit e Shkollës Shqipe “Alba Life” që operon në Staten Island, Brooklyn, Manhattan, z.Esad Rizai një avokad i komunitetit që vazhdimisht punon me përkushtim për bashkatdhetarët, Xheladin Zenelin për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi, Eduard Dilon për vazhdimin e traditës familjare, z. Alfred Tolljen për mikpritjen dhe aktivistin z.Leo Ruçi nga Vlora.

Z. Dem Feta nga Prishtina ardhur enkas për këtë sesion përkujtimor tha se Midhat Frashëri është vigan i Kombit Shqiptar. “Jemi në fillim të udhës, duhen përpjekje për t’u bërë komb i lirë, i bashkuar i qytetëruar, shkruante Mid’hati në vitin 1897.

Në vitin 1909 ai shkruante se qëkur mbahet mend dheu ynë i gjorë gjithnjë në luftë. Këto turbullime të gjorit mëmëdhe i kanë ardhur së brendshmi dhe së jashtmi. Pyetni 1000 njerëz dhe do të mësoni nga gjyshërit dhe etërit 100 prej tyre janë vrarë. Të paktë janë ata që vdesin në shtrat.

Ai shtroi tezën se Shqipërisë shpëtimi do t’i vijë nga vetë shqiptarët, shpëtimin tonë ta presim nga vetja jonë si një punë të përmirësimit dhe të naltësimit tonë, si një punë që vjen vetiu me djersën me përpjekjet dhe dëshirat tona”.

Z. Esad Rizai ka falënderuar organizatorët për këtë sesion përkujtimor për burrin e shquar të gjithë kombit shqiptar Mid’hat Bej Frashërin.

Në këtë sesion ka përshëndetur dhe z. Leon Ruci i cili vlerësoi lart figurën e Mid’hat Frashërit dhe tha se brezat e ardhshëm duhet të njihen me historinë e vërtetë të shqiptarëve.

Sesioni përkujtimor shkundi pluhurin e harresës dhe tërhoqi vëmendjen për rishikimin e Historisë që siç thotë Mid’hat Frashëri se: “Çdo shqiptar gjendet sot përpara gjykatores së historisë. Historia po na gjykon: në mos patmë fatin të jemë stërniprë të lumturë të stërgjyshëvet fatosë, kemi detyrën të përpiqemi që të bëhemi, ne vetë, stërgjyshër të ndershmë për nipët tanë”.

Dr. Ilir Hysa e mbylli sesionin përkujtimor duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe i uroi ata që të jenë së bashku në të tilla aktivitete kaq të rëndësishme për Diasporën kushtuar burrave të shquar të Kombit si dhe historinë e vërtetë duhet t’jua mësojmë me përkushtim brezave.

Sesioni përkujtimor u filmua nga TV “Alba Life” në New York dhe do të transmetohet në kanalet televizive. Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat