Krijimi me edukatë talenteve të jashtëzakonshme

Diaspora

Krijimi me edukatë talenteve të jashtëzakonshme

Nga: Rukie Rama Më: 26 shkurt 2015 Në ora: 15:25

Nuk është mësuesi ai që edukon njeriun, por nëna, dadua dhe edukatori i tij. Gruaja që është vetë e edukuar ose edukon vetë fëmijën e saj ose ia dorëzon një personi të edukuar.

Gjithmonë bie në sy një familje prej katër pjesëtarësh banorë të Brukselit, që me kulturën e tyre, sjelljen ndaj të tjerëve dhe me edukatën që tregojnë, kudo menjëherë prezantohen se janë një çift me shumë kulturë dhe po rrisin dy fëmijë shumë të edukuar, me kulturë të gjerë që nesër do jenë dikushi në jetë. Zyli me Toninin janë prindërit e Valerias dhe Brentonit. Valeria ndjek studimet në një shkollë muzike tek, e cila është regjistruar që në moshën 4 vjeçare, pra që në kopshtë, dhe sot është një ndër violinistet më të mira të shkollës së saj. Kudo që organizohen koncerte nga komuna e Skarbegut ajo është më e preferuara dhe nuk e zmadhoj, po të them ndër vajzat më të bukura.

Nuk ishte xhelozia fëmijërore e Brendit shkak që dhe ai të regjistrohet në këtë shkollë, por ishte talenti i tij, jo për violinë por për kitarë. Zyli, nëna e këtyre muzikantëve të vegjël tregon: që kur më lindi Valeria meqë ishim në vend të huaj, meqë ishte gëzimi i parë, fëmija i parë që sollëm në jetë, bashkë me tim shoq Toninin morëm një vendim që do ti rrisnim si shqiptarë, por do ti edukonim në mënyrë të tillë që kudo që të jetojnë të ndodhen si në shtëpinë e vet.

Falë Zotit, që u ndihmuam edhe nga talenti i vetë fëmijëve pasi të dy në moshë fare të vogël, tregonin që kishin prirje për muzikë. Nuk kisha vështirësi ti vija në gjumë, mjaftonte tu vija pak muzikë klasike dhe flinin si qengja.

Valeria që në moshën dy vjeçare çdo lodër që i jepja në dorë e kthente sikur të ishte një violinë dhe me ato duar të vogla bënte sikur i binte veglës muzikore. Po të njëjtin talent tregoi dhe djali. Atëherë ne si prindër, na u bë detyrë që tua ushqenim këtë talent dhe tu krijonim kushtet për të ecur para. Pas konsultimeve që bëmë me specialistë të ndryshëm të muzikës, morëm aprovimin e drejtorisë së një shkolle muzike e cila është ndër më të mirat e Brukselit.

Falë Zotit dhe talentit të fëmijëve, ndihmës së pakursyer të pedagogëve dhe kujdesit tonë të pandërprerë, kanë arritur që të jenë nxënësit më të mire dhe që të dy muzikantë të vegjël të preferuar të publikut. Kush janë prindërit e këtyre fëmijëve të talentuar dhe të rregullt që tërheqin vëmendjen e banorëve të lagjes, kolektivit pedagogjik dhe njerëzve që i shohin duke kaluar në rrugë këtë familje që e gjithë qenia e tyre manifeston kulturë dhe edukatë. Zyli thotë: unë kohën e programoj me minuta, përveç punës komplet koha tjetër është në dispozicion të fëmijëve dhe si me shaka përgjigjet-nuk kam kohë për vizita të kota, nuk kam kohë për shëtitje pa bereqet-, gjithçka për mua janë këta dy fëmijë që i përcjell në çdo minutë të jetës time duke u rrënjosur me themel gjithçka pozitive që do u duhet në jetë.

Në shkollë janë me vlerësimin maksimal saqë mësuesit e tyre na përgëzojnë në atë mënyrë që shpesh nuk gjejnë fjalë falënderimi. Vajza ime kurrë nuk ka dëgjuar fjalë të tepërta nga goja ime në fjalorin tonë të përditshëm, jo që e privoj nga të drejtat e saj por dua që ta edukoj në atë mënyrë që të jetë e aftë të jetojë kudo në rruzullin tokësor si e barabartë në mes të barabartëve. Garderoba e sime bijë, ndonëse është në adoleshencën e parë është e zgjedhur nga të dyja, unë dhe ajo. Po në të njëjtën mënyrë veprojmë dhe me djalin. Ndërsa, Tonini, një burrë shumë i urtë që vjen nga një familje punëtorësh shkodranë, ka marrë përsipër edukimin sportiv të fëmijëve. Të paktën dy herë në javë e sheh me biçikletë të ndjekur nga dy fëmijët, të cilët ose i çon në pishinë ose bën marshime (ecje sportive) që tu formojë trupin.

Asnjëherë Tonini nuk ka kohë për tu ulur në kafe dhe për të bërë llafe kot. Ai është një baba i mrekullueshëm, punëtor shumë i mirë dhe një edukator jashtëzakonisht i mirë për fëmijët e tij. Duhet ti përgatitim për jetë thotë Tonini, ndoshta ndonjëherë ata mund të vendosin të kthehen të jetojnë në Shqipëri por dhe aty është e rëndësishme të jenë vetvetja. Valeria kishte pak problem në përdorimin e shkronjave shqipe gj dhe xh, por dhe këtë e fiksoi dhe sot e shkruajnë e lexojnë që të dy fëmijët gjuhën shqipe krah flamishtes dhe frëngjishtes. Kjo është familja Qyrsaqi, banorë në Belgjikë prej disa vitesh, një familje model që të imponon respekt. Po e mbyll këtë shkrim me një fjalë të urtë: Mos e eduko fëmijën të bëhet i pasur, por edukoje të bëhet i lumtur, që kur të rritet, të di vlerën e gjërave dhe jo vetëm çmimin e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat