Intervistë me Eduard Gashin, Sekretar i CSU-së në Regensburg. Ai rrëfen për eksperiencën e tij politike në Gjermani

Diaspora

Intervistë me Eduard Gashin, Sekretar i CSU-së në Regensburg. Ai rrëfen për eksperiencën e tij politike në Gjermani

Nga: Intervistoi: Nehat SHAQIRI Më: 25 shkurt 2015 Në ora: 15:28

Në një intervistë për gazetën “Bota sot” Gashi na tregon të gjithë eksperiencën e tij gjatë këtyre viteve në Gjermani. Për më shumë se kush është Eduard Gashi, ku punon, dhe me çka merret në Gjermani, si dhe për planet e tij dhe për atë se çka tha për Kosovës, ju ftojmë që ta lexoni intervistën më poshtë.

“Bota sot”: Kush është Eduard Gashi?
Gashi: Unë jam i lindur ne vitin 1987 ne Prishtinë, dhe 6 vitet e para të jetës sime i kam kaluar në lagjen time, lagjen Dardani të Prishtinës. Pasi që babi sikur dhe shqiptarët e tjerë në atë kohë - u largua nga puna e tij në Hotel Grand Prishtina, në ca kohë me pas u detyruam nga politika barbare dhe jo njerëzore serbe të ikim dhe të lëshojmë Kosovën. Duke shpresuar se nuk do jetë largim i përhershëm por i përkohshëm.

Pasi që erdhëm në Nëntor të vitit 1993 në Gjermani, unë fillova në moshën 7 vjeçare shkollën fillore. S’kam qenë asnjëherë në ndonjë shkollë Shqipe as shtesë e as të rregullt. Vetëm njëherë e shoqëroja motrën në shkollën e saj të Dardanisë, ku shkolla i ngjasonte më shumë një kazerme sa që një shkollë, sepse para shkolle qëndronin polic të armatosur serb.

Pas shkollës fillore vazhdova me shkollat e rregullta dhe të përgjithshme dhe në vitin 2005 vendosa që ti drejtohem krejtësisht ekonomisë. Kështu që vizitova shkollën e lartë të tregtisë. Pastaj vazhdova me shkollën e lartë shtetërore të Bavarisë për ekonomi, administrim dhe juridik pas të cilës fillova në vitin 2008 të punoj në arkën e zyrtarëve gjerman - Debeka - e cila është sigurimi më i madh privat shëndetësor gjerman dhe kryesisht ka të siguruar zyrtarët gjerman ndër ta edhe krerët e shtetit. Gjatë punës time në Debeka unë vizitoja edhe kolegjin profesional për administratë të biznesit në degën e shërbimeve financiare ku diplomova pranë Odes Ekonomike në Regensburg në sigurime dhe financa, dhe u bëra këshilltar dhe administrator për sigurime dhe financa me specializim në sigurimin shëndetësor.

Pas diplomimit të suksesshëm në vitin 2011 dhe punës cilësore në kompani u pranova në punë, por vendosa që të filloj të studioj. Dhe kështu bëra, tani jam student i Administratës së biznesit dhe menaxhmentit ndërkombëtar dhe ndërkulturor në Universitetin e Regensburgut.
Përndryshe jam njeri i cili e sheh arsimin jo veç si një mundësi për ndonjë arritje në jetë por kryesisht si formim të personalitetit.

“Bota sot”: Çfarë do të thotë të jeni aktivist politik dhe anëtar kryesie në Partinë Popullore Demokristiane Bavareze (CSU)?
Gashi: Në CSU, Partinë Popullore Demokristiane të Bavarisë - e cila përveç se është parti konzervative e të djathtës politike mban edhe elemente të socialdemokracisë në vete, ka shumë pak shqiptar apo për të thënë më mirë unë nuk di për asnjë tjetër përveç meje. Kështu që nga kjo rrjedh se jam me një far mënyre më shumë si një anëtar i thjeshtë apo një anëtar i thjeshtë e Kryesisë në nivelin lokal. Jam disi edhe në një mënyrë përfaqësues i Shqiptarëve dhe i Kosovës në ketë parti.

Në CSU jam anëtar që nga viti 2008. Hapin për tu anëtarësua e kam menduar mirë sepse unë besoj anëtarësia partiake dhe e qenurit aktiv në të është një lloj martese me idenë politike. Nuk futesh në politik për përfitime personale, por për parimet që ke dhe të cilat donë ti mbrosh.

Pasi qe u bëra anëtar në vitin 2008, u "aktivizova" në Gusht të vitit 2013. Dhe më befasuan kur në Tetor te vitit 2013 kërkuan të jem pjesë e listës për asamble komunale, kjo më nderoj dhe e pranova me gjithë qejf, nder dhe krenari. Në fushatën parazgjedhore në të cilën na vizitoj edhe Kryeministri i Bavarisë dhe Kryetari i CSU-se Horst Seehofer, pata nderin që të jem unë pjesë e delegacionit të partisë sonë të cilët e priten dhe së bashku me të hymë brenda tek vendi i tubimit. Për këtë e pata vu emblemën të dy flamujve ati kombëtar Shqiptar dhe Gjerman. Dhe z. Seehofer e vërejti dhe tha "shumë bukur që kemi dhe Shqiptar në partinë tonë".

CSU është anëtare e EPP - Partive Popullore Evropiane - dhe nga kjo parti simotër me LDK-në. Kështu që edhe kjo ka qenë një arsye e përzgjedhjes së partisë politike në Gjermani. Ta gjej një parti e cila i ngjason LDK-së. Edhe se LDK-ja sot e CSU kanë dallim sa nata me ditën prapë se prapë politikisht i përkasin një ideje politike, se një vendi i duhet politik kombëtare, me një treg të hapur. Se politika e vendit duhet të jetë konformë shumicës së popullit dhe vlerave që ka tradicionalisht ai popull. Dhe që vendi të ndërtohet në ekonomi dhe arsim, kulturë e në cilësinë e jetës. Fatkeqësisht sot nga gjitha këto nuk shohim as një përpjekje të LDK-së. Unë tani në CSU jam Sekretar dhe delegat i nivelit lokal.

“Bota sot”: Si keni arritur deri këtu?
Gashi: Pasi që u anëtarësova ne CSU kontaktoja vazhdimisht me partinë. Shprehja mendimin tim - shpeshherë edhe jo konformë kryesisë. Dhe në vitin 2011 në manifestimin e përvjetorit të pavarësisë e ftova një zyrtar të CSU-së të komunës së Regensburgut për të marr pjesë në festime. Nga aty linden lidhjet direkte me CSU dhe isha vazhdimisht pjesë e tubimeve partiake. Në vitin 2013 u "aktivizova" dhe partisë apo kryesisë i pëlqyen idetë e mia dhe punët e mia dhe me dhanë mundësi për më shumë.
Për të arrit në një pozitë duhet natyrisht, vullnet, punë, kohë dhe durim. Më mirë me ec ngadalë por në hapa të sigurta sasa shpejt dhe duke rreziku imazhin personal.

“Bota sot”: A do të ktheheni ndonjëherë në Kosovë?
Gashi: Unë besoj se kjo nuk është pyetja thelbësore, por më mirë është se unë dhe çdo mërgimtar ta pyes veten "si do kontribuoj për Kosovën?"
Por dua të përgjigjem edhe pyetjes tende, nuk e di se ka do me qoj jeta, por një dëshirë e imja është që të më kthej në Kosovë. Unë jam Shqiptar nga Kosova, i cili e donë Kosovën, traditën tonë dhe kulturën tonë. Unë mendoj se një mërgimtar është si pema. Pemës i duhen rrënje të forta se pa to s’ka jetë por edhe frytet që i bëjnë duhet të jen të mira dhe të përshtatshme për vendin ku qëndron.
Pra unë çdo herë Kosovën dhe Shqiptarin e kam në zemër dhe në mendje dhe frymëzim për punën politike.
Dhe ndoshta një mërgimtar i fort nga jashtë i ndihmon vendit me shumë sesa po të ishte në vend. Kështu që ku do që të isha më i dobishëm aty dëshiroj të jem dhe unë.
Unë jam i lumtur që e vizitoj Kosovën, vendin tim Prishtinën dhe s’kam pas për këto 22 vite që jam në Gjermani asnjë shkëputje me vendin tim as në mënyrë fizike dhe as shpirtërorë, kjo dhe fal mediave dhe mundësive të krijuara nga prindërit.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në Kosovë?
Gashi: Kosova ka shumë probleme në fushën e politikes dhe të shkaktuara nga politika e keqe.
Pikë së pari, një problem kyç e shoh në ekzistencën e një numri shumë të madh të partive politike, kemi aq shumë sa që nuk na duhen. Problemi tjetër, mos ekzistenca e profilit politik të partive. Në Kosovë kemi vetëm një grusht të partive politike të profilizuara. Këto janë Partia Liberale me Kryetarin Gjergj Dedaj, LDK-ja e cila është anëtare e EPP-se, Partitë Demokristiane dhe partia Islamiste - Partia e Drejtësisë. Tjera parti jen krijua nga pakënaqësia e ca anëtarëve në partitë e tjera - shembull LDD dhe Nisma.

Për me qenë Kosova funksionale në fushën e politikes i duhet spektër i qartë politik. Po e marr si shembull Gjermaninë ku janë në krejt këtë territor tani për tani 7 parti të mëdha nga të cilat 5 gjinden në Bundestag, tjerat s’kanë kalua pragun. Dhe në Gjermani një qeveri me ma shumë se dy partner konsiderohet si e dëmshme, kurse në Kosove kemi qeveri me ka 5 apo 8 partner dhe këto qeveri s’munden të jenë për interes të popullit por për interesa private e personale gjë që e dëmton Kosovën në shumë aspekte.
Politikes i duhen aktivist. Jo servila!

Në partitë tona duhet me pas ma shumë njerëz aktiv, dhe jo vetëm asi të cilët janë konformë kryesisë apo Kryetarit. Ne jemi vend demokratik dhe çdo kush ka të drejt ta shpreh mendimin e vet personal, dhe krahas kësaj duhet edhe pjesëmarrje në zgjedhje nga populli. Sepse duke mos dal në zgjedhje e rrit votën e ati që e kundërshton. Mllefi dhe mos besimi ndaj politikes është shumë i madhe në Kosovë por populli nuk guxon ta lëshoj Kosovën prej dore. Duhet punë dhe durim. Dhe vetëm me zgjedhje ndërrohet qeveria. Është keq se në zgjedhjet e kaluara murrën pjesë vetëm rreth 43% të popullatës. Kjo tregon edhe mos interes. Por Kosova është shtëpi e madhe e të gjithë qytetarëve të saj dhe të gjithë duhet kujdes për të. Kosova do ketë krizë politike deri sa nuk arrin politika të bëj politikë për popullin. Populli e ndjen veten si të dorës së tretë nga trajtimi i politikes. Duhet lind një dijeni në Kosovë se deputetet s’janë më të lart se populli, por argat të popullit në Prishtinë për të prua vendimet e duhura për popullin.

“Bota sot”: Ku do ta shohim Eduard Gashin në të ardhmen, cilat janë projektet tua?
Gashi: Do vazhdoj rrugën e të ardhmes si në të kaluarën, duke vazhdua të kem vullnet, të punoj dhe të kem durim. Dhe nga kjo do rrjedh ma e mira e mundshme. Pikë së pari synoj ti përfundoj studimet, të punësohem i rregullt dhe me këto të arrij maksimumin brenda mundësive të dhëna. Por më e rëndësishmja si gjitha arritjet e mundshme profesionale për mua jetë arritja njerëzore. Mund të themi se çdo arritje është një zero dhe mund të jem drejtor është zero, të jem kryetar është zero, por të jesh njeri është një dhe me të qenurit njeri apo duke dëshmua njerëzi edhe ato zero marrin vlerën e vet. Synoj se sa më shpejt të ja ofroj Kosovës dijeninë time profesionale, gjë e cila deri më sot ka mbetur pa ndonjë reagim nga institucionet dhe organet e duhura edhe pasi që ju është ofrua aftësia ime nga unë. Mbetet të shihet se si do jetë e ardhmja në këtë aspekt, se sa më dëshiron e më pranon Kosova.

“Bota sot”: Cili është mesazhi juaj?
Gashi: Duhet të dimë se nga vijmë, kush kemi qenë, dhe kush jemi për me krijua një të ardhme sa ma të mirë. Ne duhet të krenohemi që jemi Shqiptar. Nuk ka të bëjë kjo me racizëm. Çdo kush të mburret me atë se çka është. Nuk do thotë se mburremi si Shqiptar e tija nximë dikujt jetën se nuk është i tillë apo se një jo Shqiptar është më i pavlerë.

Por historia jonë na mëson se jemi vërtet popull i mirë dhe i fort. Krenar dhe liridashës. Mos ti bëjmë miqtë tanë ndërkombëtar pishman se pse na dolën ne ndihmë. Të tregojmë se jemi vërtet komb evropian. Dhe e them përsëri se Kosova është e të gjithave dhe askush s’ka më shumë hise në të si një tjetër, pavarësisht të historisë së ti individuale.

Është ne interesin e të gjithëve se Kosova të ecë përpara të bëhet shtet ligjor, por kur bije fjala te ligjet, them që ligjet duhet jen pasqyre e kulturës të një vendi dhe atëherë mund të zbatohen. Kështu që edhe ligjet të behën me harmoni me popullin e jo veç se duhet të jen.

Duhet të punojmë të gjithë brenda mundësive tona për një të ardhme më të mirë. Të krijojmë një dije kolektive sepse s’jemi vet as në lagje, as në qytet, as në shtet dhe as në botë. Kështu që përgjegjësitë janë të barabarta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat