Shqiptarët po ikin pas hijes së hënës.....

Diaspora

Shqiptarët po ikin pas hijes së hënës.....

Nga: Shkruan: Haxhi Zeneli Më: 25 shkurt 2015 Në ora: 14:31

Papërgjegjësia e një qeverie e cila ka "kapur demokracinë për bishti" ka sjellur Shtetin e Kosovës në një shkallë shumë të rëndë: ekonomike, politike dhe morale.

Shteti më i ri i Europës, sot përballët me sfida të mëdha. Kosova pas luftës ishte në gjendje të mjerueshme. Kaluan 15 vite që kur NATO-ja zbarkoi së bashku me Forcat Ndërkombëtare, të cilët erdhën për të administruar dhe ndihmuar këtë vend. Në atë kohë dëgjoja nga shumë shok të mi: si nga shqiptarët, ashtu edhe të huaj, kur më thoshin: "se tashti Kosova do bëhet Zvicër". Kosova në 15 vjetorin e saj, jo që nuk u bë Zvicër, por nuk u bë as Kosovë e plotë e cila ka vështirësi të mbrojë integritetin e sajë. Jeta në Kosovë dita, ditës po bëhet edhe më e vështirë. Me rastin e fundit vërejtëm sa shpejt shteti i Kosovës mund të destabilizohet, ku u desh një fjalë e serbit Jabllanoviq që ti ofendojë shqiptarët, dhe nuk vonoi shumë, me të drejtë fillojë sherri. Meqë serbet historikisht, janë të shquar për të krijuar konflikte, ata edhe kësaj herë me përpjekjet e tyre nuk munguan të krijojnë trazira me fjalët e tyre.

Serbia duke krijuar trazira në Kosovë, ajo krijon imazhet e këqija të këtij vendi herë pas here, në mënyra të ndryshme. Se vetëm kështu Serbia mundohet ta mbaj gjallë shpresën për tu rikthyer në Kosovë. Medoemos se këtë po ua lehtëson punën edhe disa qeveritar të Kosovës, me dashje apo pa dashje, të cilët kontrollojnë të gjitha arteriet e Kosovës.

Populli i Kosovës pas çlirimit nga Serbia, drejtuan sytë nga ndërkombëtarët, dhe shpresuan se ata kanë për ta bërë Kosovën "lule", me shpresë se do ti ofrojë këtij populli një jetë më të mirë. Por, siç e shohim, u mbushën 15 vite, ku shumica e shqiptarëve s'po e shohin ende "dritën në fund të tunelit".

Përkundrazi Kosova u bë "Zvicër" për ata që kishin duart në "hambar të drithit" ku pasuria e tyre mund të numërohet në miliona euro.

Andaj një fjalë thotë: "Nëse don ta njihesh karakterin e një njeriut jepi fuqinë e sundimit, pastaj do ta shohësh se kush është".

Pas shumë mosmarrëveshjeve që patën qeveritarët atje apo siç e quanin ata: "ngërç politikë", qeveritarët në pushtet, bënin çdo gjë që mos ta humbin pushtetin, kurse në anën tjetër, autobusët mbusheshin plotë me njerëz, që ende ikin me linjën e organizuar, për mes të Beogradit, "për të gjetur një jetë më të mirë". Shqiptarët përsëri po zënë qendrën e vëmendjes në mediat e Europës. Kurse qeveritarët, luftojnë për pushtet. Kush ka përgjegjësi për këtë? dhe për ç'arsye qeveria nuk ndërmerr masa?

Në një shoqëri apo qeveri të vetëdijshme dhe demokratike jepet dorëheqje, për këtë që ndodhë në Kosovë, sepse është dështim i menaxhimit të situatës, dhe kjo ndëshkohet.

Për mos-suksesin e qeveritarëve, kjo rrugë e vuajtjeve të këtij popull s'ka të ndalur, ku shumica e tyre kishin shpresën në Kosovën e lirë, për një jetë më të mirë.

Ky popull durojë shumë në luftën e fundit. Ai u masakrua dhe u dhunua mizorisht, vetëm që Kosova të fitojë lirinë.

Edhe pse përjetuan shumë vuajtje, ata nuk e lëshuan Kosovën, por qëndruan aty heroikisht. Kurse tashti, turmat e njerëzve që kanë humbur besimin tek qeveritarët, nuk kanë të ndalur. Shqiptarët janë të manipuluar në këtë drejtim, që nuk i dihet se si do të përfundojë! "Shqiptarët po ikin pas hijes së Hanës, e cila zhytët në ujë", kurse nga ana e qeverisë nuk shohim një angazhim që të parandalojë turmat, nga matrapazët, që kanë për qëllim të krijojnë huti dhe panikë tek populli, për ta zbrazur Kosovën.

Sipas kësajë që po ndodhë në Kosovë, këtu dështuan edhe Ndërkombëtarët të cilët nuk i kushtuan kujdesin e duhur Kosovës, ata u korruptuan së bashku me pushtetarët.

Ndërkombëtarët që erdhën këtu, ata shpejt harruan përse ishin aty! Detyra e tyre ishte të administrojë dhe ndihmojë që Kosova të kenë më lehtë në tejkalimin e krizës së pas-luftës. Por, siç dukët ata u bënë të "shurdhët". Për të gjitha vuajtjet, nuk është askush tjetër fajtor: përveç pushtetarët dhe ndërkombëtaret. Ata vazhdimisht flasin për imazhin e Kosovës. Por ata harruan se ishin aty për ta ndërtuar, e jo për ta keqësuar imazhin e Kosovës. Kosova kishte një imazh më të mirë. Ajo ishte ideatorja e përmbysjes së komunizmit në Europën Lindore. Aty filloi! me popullin dhe rinin e Kosovës, që ishte e pastër dhe e pa korruptuar. Ishte ajo rini, e cila nuk ju frigu makinerisë më të fortë në Ballkan. Ishte ajo rini që viteve të 80'ta doli para tanksave të Serbisë, për të kërkuar lirinë, kurse sot pas kësaj gjendje që kanë krijuar pushtetarët, po ju merret liria. Çfarë mund të pritët ndryshe nga populli? të cilit: "ja kanë afruar thikën në asht". Në këtë gjendje që Kosova gjendet sot, asgjë nuk është për tu habitur. Qeveritarët mos të arsyetohen me përralla boshe: "se populli ka dalur në rrugë ti marri pushtetin me dhunë". Po na tregoni ju qeveritar, se çfarë të mire i keni bërë popullit deri më tani? Sa vende pune keni krijuar? Po! ju keni bërë vetëm për vetën tuaj, keni mbushur xhepat.

Kosova po kalon nëpër një situatë shumë të vështirë, që nuk e kishim imagjinuar, së paku jo nga ata që dhanë çdo gjë për tu fituar liria, që Kosova të bëhet e pavarur.

Kosova gjendët para një prove të demokracisë!

Ndërsa, ndërkombëtarët vështrojnë anash!, mbase edhe kjo ishte pjesë e skenarit të tyre! për të vlerësuar, se a janë gati shqiptarët të mbrojnë "shtetin demokratik"?

Por, si do që të jetë, "ky lloj i demokracisë" nuk po tregon rezultate. Për arsye se në pushtet njerëzit po qëndrojnë gjatë. Dhe në një demokraci të tillë, njeriu krijon fushën e manipulimit, ku më tepër i ngjan një shteti diktatorial dhe komunist, ku pushteti nuk ndryshon me idetë e veprimit, që nuk përfshin inteligjencën jashtë partisë së tij. Andaj ky model i kësaj demokracie duhet të rishikohet.

Papunsia, është një problem që ka çuar popullin të bëjnë zgjidhje të pa dëshiruara.

Me vite, të rinjët e Kosovës u lënë në mëshirën e atyre që erdhën për të manipuluar me shtetin e ri të Kosovës. Njerëz të cilët ishin dërguar nga agjentura armiqësore, për ti prishur imazhin Kosovës. Këto dashakeqës shfrytëzuan pikat e zbrazëta të shtetit, i cili ka humbur kontrollin, ose ishin bashkëpunëtor të tyre, të cilët i kanë lejuar këto veprime me qëllim, për ti prishur imazhin e sajë.

Këto të gjitha pra janë produkt i pushtetarëve së bashku me ndërkombëtarët.

Kosova u kritikua shpesh herë: "si rrezik për terrorizmin islamik"!

A ishin të gjithë këta ndërkombëtarët aty të pranishëm? ku me dekada para syve të tyre, "këta njerëz" rekrutonin dhe indoktrinonin Rinin e Kosovës për ti dërguar në luftën e Sirisë dhe të Irakut? Si ka mundësi, që këta ndërkombëtar paguheshin nga Këshilli Europian, për të vëzhguar dhe raportuar çdo gjë që ndodhë në Kosovë! Çfarë raportuan ata? Ekziston një thënie për këtë: "Nëse bariu nuk e ruan kopenë siç duhet, atëherë vjen ujku dhe ja ha", andaj siç dukët kështu ndodhi me Kosovën, sepse krejt kjo u bë para syve të gjithë pushtetarëve dhe ndërkombëtarëve të "verbërt".

Ata të gjithë e dinin se çfarë po ndodhte në Kosovë. Kur krahasojmë këtë vend me të kaluarën, (e viteve të 80'ta), kur ne studionim aty, sot ka ndryshuar shumë në këtë "demokraci te shumë pritur". Në atë kohë: Shqiptarët të ish Jugosllavisë, ishin të mishëruar me Kosovën, ishte qendër studenteske, ishte lëvizje kombëtare. Aty mësuam se si ta duanim dhe ç'monim kombin dhe mëmën Shqipërinë. Kjo ishte Kosova për neve. Kishim shpresat të mëdha tek Kosova, sepse Shqipëria për ne kishte perde të hekurt, dhe s'kishim komunikim, andaj i kishim sytë nga Kosova. Me të gjitha këto se çfarë po ndodhë në këtë vend! Na duket sikur po na krijohen plagët të reja.

Pushtetarët nuk kanë të drejtë t’ia shuajnë popullit dritën e shpresës së bashkimit. Shqiptarët jashtë Kosovës dhe Shqipërisë, që ende po kërkojnë të drejtat e tyre, për të mbetur Shqiptar, nga shtetet që i kanë sunduar dhe po i sundojnë, ndihen të shkujdesur, tashti s’u mbetet gjë tjetër, përveç të ulin kokën për të mbijetuar aty ku jetojnë.

Shpresojmë të jetë "tranzicion", por me shpresë se Kosova, edhe kësaj here do të sfidojë. Kosova ka kaluar situata më të vështira, shpresojmë se shqiptarët do të gjejnë forcën e bashkimit për ta mposhtur këtë të keqe. Kjo tokë e vaditur me gjakun e heronjve, meriton një të ardhme më të mirë. Nga plagët e saja ka rrjedhur shumë gjak për të arritur deri këtu, dhe ai gjak i derdhur nuk bëhet ujë.

Kosova ka shumë njerëz që ia duan të mirën, të cilët nuk lejojnë të luhet me gjakun e dëshmorëve. Kemi besimin se ata kanë forcën dhe do dinë tu shmangen grackave që kanë kurdisur armiqtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat