​Shqiptarja kryetare e Këshillit të Medias të UNESCO-s

Diaspora

​Shqiptarja kryetare e Këshillit të Medias të UNESCO-s

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 18:10

Shqiptarja Albana Shala, e cila jeton dhe punon në Holandë, është zgjedhur kryetare e Programit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Medias të UNESCO-s – IPDC me mandat dyvjeçar.
Siç njoftoi Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë - UNESCO në ueb-faqen e vet zyrtare, Albana Shala është femra e parë në krye të IPDC-së, që nga themelimi i Programit në vitin 1980.
Shala, e cila u emërua në postin e ri nga Këshilli i IPDC-së, është e njohur si eksperte me përvojë 15-vjeçare në fushën e zhvillimit të medias së pavarur. Aktualisht është program-koordinatore e Free Press Unlimited, organizatë kjo holandeze e cila përkrah median e pavarur në mbi 40 vende të botës.
IPDC në vitin 1980 formohet si program i vetëm ndërqeveritar në kuadër të Kombeve të Bashkuara, me mandat mobilizimin e përkrahjes ndërkombëtare për të kontribuuar në zhvillimin e qëndrueshëm, demokracinë dhe qeverisjen e drejtë me anë të forcimit të kapaciteteve të medias së pavarur. Që nga krijimi, ka kanalizuar rreth 195 milionë dollarë për mbi 1.700 projekte për zhvillimin e medias në rreth 140 vende.
Albana Shala në krye të këtij Programi të KB-ve ka trashëguar Jyrki Pulkinenin nga Finlanda, në mbledhjen e mbajtur më 20 të këtij muaji në selinë e UNESCO-s në Paris.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat